Gëzim Loka/ Dom Nikoll Kaçorri, ikonë e Pavarësisë Kombëtare

1409
Me emrin e Dom Nikoll Kaçorrit, meshtarit të Pavarësisë, zëvendëskryministrit të qeverisë së Vlorës, lidhte një nga epokat më të ndritura dhe më të vështira të historisë kombëtare. Megjithë kontributin e madh në shpalljen e Pavarësisë dhe funksionimin e të parës qeveri shqiptare, emri i tij është lënë në gjysëmharresë dhe nuk i është dhënë merita që i takon. Dom Nikoll Kaçorri u lind në Krejë, Lurë në vitin 1862, fshat ky që ndan dy krahina të mëdha: atë të Dibrës e Mirditës. Ai rridhte nga një familje, me babain katolik, ndërsa nëna me besim mysliman, duke promovuar atë që jo vetëm në Lurë por në të gjithë Shqipërinë është modeli i bashkëjetesës fetare. Falë zgjuarsisë dhe dëshirës për t’u shkolluar, djaloshi ra në sy të arkipeshkvit të Durrësit, imzot Ambrosio, i cili gjatë një vizite në Lurë, u kujdes që ta shkollonte dhe ta bënte meshtar. 
Më 1884 mbaroi studimet filozofiko – teologjike për meshtar dhe u shugurua në Shkodër. Me kalimin e kohës kompletohet me shkollë të rregullt, kulturë të lartë, duke mbaruar në vitin 1890 në Zvicër për teologji, politikë, filozofi e magjistraturë me nota të shkëlqyera. Ai ishte sekretar i Arqipeshkvisë së Durrësit me qendër në Delmnisht të Kurbinit, ku shërbeu për 20 vjet, duke patur në administrim edhe kishat dhe famullitë e Kthellës, Selitës dhe Lurës. Pastaj u emërua famullitar në Durrës. 
Për veprimtarinë frytshme kishtare, Papa i asaj kohe e nderoi me “Kryqin e artë”, “Për Kishë dhe Papë”. Emërohet Ipeshkv dhe niset me shpejtësi për të kryer me përkushtim detyrën e lartë ipeshkvnore. Ishte ndër të parët në organizimin e shoqërive patriotike “Vllaznia”, “Bashkimi” Durrës (1907 -1909) dhe bashkëpunon me Abdi Toptanin dhe Mustafa Merlikën për rilindjen e Shqipërisë, arsimimin dhe gjuha shqipe. Gjatë 1905 – 1907 drejtoi kryengritjen e armatosur kundër turqve në Kurbin. Më 1908, Kaçorri mori pjesë në Kongresin e Manastirit dhe në 1909 ishe në Kongresin Kombëtar të Elbasanit. Dom Nikoll Kaçorri ishte në krah të Ismail Qemalit si nënkryetar i qeverisë shqiptare. 
Veprimtaria jashtë atdheut
Pas rënies së kësaj qeverie, u tërhoq në Durrës. Me shpërthimin e kryengritjes së Haxhi Qamilit, ai emigroi jashtë atdheut, ku vazhdoi veprimtarinë e vet politike e patriotike. Pas dështimit të Qeverisë së Ismail Qemalit imzot Nikollë Kaçorri së bashku me Mustafa Krujën, Luigj Gurakuqin, Themistokli Gërmenjin themeloi lidhjen “Për atdheun e për Thronin” për shpëtimin e atdheut nga trazirat e ndryshme antikombëtare. Me dekret të 28 janarit 1916, Franc Jozefi – perandori i Austro-Hungarisë e dekoroi me Kryqin e Konturës të Urdhërit të Franc Jozefit. Pas gjithë kësaj së bashku me shumë atdhetarë të tjerë imzot Nikollë Kaçorri emigroi në Austri, ku qëndroi tri vjet në Vjenë derisa vdiq me 29 maj 1917, nga një sëmundje e pashërueshme. Pas një ekzili të gjatë në dhe të huaj, eshtrat e këtij meshtari të lirisë e Pavarësisë, më në fund, u kthyen në atdhe, në tokën e premtuar, me rastin e 100 vjetorit të shpalljes së Pavarësisë. Të qenit e tij në gjysëmhije erdhi për shkak jo vetëm të rrobës së tij klerikale, por dhe për atë rol parësor që ai kishte në aktin e Pavarësisë, por për shkak të konjukturave të kohës, të vjetra e të reja, ky rol nuk është nxjerrë në pah aq sa duhet, pasi emir i tij nuk meriton të jetë vetëm në një shkollë të thjeshtë fshati në Lurë, por në rrugë e sheshe në Tiranë, Vlorë e kudo në shqiptari, ku pritet me dashuri e fisnikëri emri dhe vepra e paharuar e Dom Nikoll Kaçorrit. 
Sigal