Dosier/ Stalingradi, kështjella që theu mitin nazist

1093
Sigal

Në Stalingrad humbën jetën rreth 200 000 ushtarë të
forcave të Boshtit dhe rreth 485 000 të vrarë nga ana e sovjetikëve

74-vjet nga kthesa e betejës më të madhe të Stalingradit
dhe epilogu i saj përfundimtar….!

Trupat gjermane morën goditjen përfundimtare
më 26 janar 1943 kur forcat sovjetike, ndanë forcat gjermane në dy grupe.

– Në fund të janarit të vitit 1943,
Paulus heq dorë nga luftimet dhe më 2 shkurt trupat gjermane i dorëzohen
ushtrisë së kuqe.

-91 000 ushtarë gjermanë dhe 22
gjeneralë, do të binin në duart e Sovjetikëve. Kjo do të ishte lufta më e madhe
në të gjithë historinë, si në shpenzime, ashtu edhe në humbje njerëzore

– Mendohet se Gjermanët humbën rreth 850
000 ushtarë

 

Agron Shabani

 

Na ka rastisur të dëgjojmë ose lexojmë
shpesh mbi luftën ose betejen e njohur të Stalingradit në mes ushtrisë së
fuqishme gjermane dhe trupave ruso-sovjetike – gjatë Luftës së Dytë Botërore, e
cila për vlerësimet e shumta të ekspertëve dhe analistëve të ndryshëm ushtarakë
dhe politikë, si e atillë çfarë ishte, i solli ndofta edhe pasojat dhe
rezultatet e saj në kahet dhe zhvillimet e mëtejshme të Luftës së Dytë
Botërore. E ndofta edhe pas përfundimit të saj?  Në kohën e ish
“luftës së ftohtë” dhe botës së ndarë bipolare ose bllokiste-sidomos.
Cilat ishin ato? 

 

Historia:

Siç dihet, më 27 shtator të vitit 1940 në Berlin, ishte firmosur “Pakti
Trepalësh” në mes Gjermanisë, Italisë dhe Japonisë “për ndihmën dhe
bashkëpunimin e ndërsjellë ose reciprok – në rregullimin e rendit të ri botëror
– pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore. Në këtë kuadër, Udhëheqësi
gjerman , Adolf Hitler, pas kontaktesh dhe bisedimesh të ndryshme me ish-ministrin
e jashtëm sovjetik Molotov – kishte këmbëngulur dhe insistuar në kërkesën e tij
për futjen nën kontroll të Ujdhesës strategjike të Krimesë si kompensim të
mundshëm ndaj rusëve – për daljen ose depërtimin e tyre në Jug – përmes rajonit
të Azisë Qendrore etj.  Mirëpo, edhe përkundër koncesioneve të
lartëpërmendura të palës gjermane, Molotovi, gjegjësisht, pala ruso-sovjetike,
atëbotë kishin këmbëngulur në kërkesat e tyre infantile dhe pakthyeshme për
futjen nën kontroll të Ballkanit dhe Ngushticës së njohur të Bosforit ose
Dardaneleve. Me çka pala gjermane, respektivisht,  Adolf Hitleri dhe
gjeneral-mareshalët e tij, nuk ishin pajtuar për asnjë çmim. Për këtë, më
18 Dhjetor të vitit 1940, Hitleri kishte urdhëruar për hartimin e Planit të
njohur “Barbarosa”- kundër Bashkimit Sovjetik që kishte filluar të
zbatohej në vitin pasues – 1941. Për shumë arsye koha për ofensivën dhe
sulmet e forcave gjermane, kundër ish Bashkimit Sovjetik (BRSS-së), ishin
shtyrë për më vonë. Kjo për faktin se, në radhë të parë duhej konsoliduar dhe
stabilizuar “fronti italian” në Tripoli, të cilin e kishte marrë
përsipër t´a bënte gjenerali i njohur Rommel në kuadër të “Korpusit
Afrikan” që kishte depërtuar deri në Deltën e Nilit, duke e përndjekur dhe
rrezikuar edhe flotën britanike që iu kishin shkuar për ndihmë forcave greke në
ujdhesat e Egjeut (pa i harruar këtu edhe ofensivat e njohura gjermane në
Ballkan dhe rajone të tjera të Evropës Juglindore gjatë Luftës së Dytë
Botërore). 

 

Sulmi i befasishëm

 

Sulmi i fuqishëm i Ushtrisë Gjermane
kundër Bashkimit Sovjetik, kishte ndodhur i papritur dhe i pa paralajmëruar,  më 22 qershor të vitit 1941. Në fillim, trupat
gjermane në BRSS-së ishin pritur dhe përshëndetur me epitetin dhe ovacionet e
“çlirimtarëve të shumëpritur nga sundimi dhe diktatura e egër e
Stalinit” . Me çka dëshmon fakti i mbi 3 milion rusëve të dorëzuar atëkohë
– para trupave gjermane. Ndërkohë në viset dhe rajonet e ndryshme të ish
BRSS-së, ishte ngritur dhe themeluar atëkohë edhe e ashtuquajtura
“Ministria për Lindjen” -nën komandën e Alfred Rosenbergut, e cila
kishte për qëllim përhapjen e ideologjisë ekonomike gjermane, përkatësisht, të
superioritetit të “Racës Ariane”. Erich Koch ishte emëruar
Administrator i dhunshëm i Ukrainës. Në këtë kohë njësitet e njohura
“SS” Schutz Sttafet -nën Himmlerin, në bashkëpunim me Armatan
Gjermane, kishin depërtuar vazhdimisht, duke shënuar fitore dhe rezultate, progresione
të vazhdueshme në frontin e luftës. Kjo fitore bëri që në këtë zonë të promovohej
Himmleri si njeriu më fuqishëm (pas Hitlerit) në Reichun e Tretë Gjerman. 

Së këndejmi, Himmleri ishte zotuar për realizimin dhe çuarjen në vend të
idealeve, vizioneve ose  fantazive të
njohura te  Adolf Hitlerit mbi zgjerimin e hapësirës jetësore ”
lebens raum” si dhe mbi popullimin e Lindjes së Rusisë me fshatarë gjermanë
të cilët, gjithnjë sipas Hitlerit dhe Reichut III, do t’i edukonin dhe “deasimilonin”
pjesëtarët e etnitetit gjerman të Rajonit të Vollgës së bashku me Königsbergun
( Kalinigradin) në Prusinë Lindore etj. Duke i dëbuar dhe përndjekur që andej
hordhitë ruse. Së këndejmi, në sulmet dhe ofensivat e sipërpërmendura të
trupave gjermane në Rusi, e ashtuquajtura “Taktika e Befasishme” e Ushtrisë
Gjermane, menjëherë i kishte dhënë frytet dhe rezultatet e saj. Aradhat ose
Çetat Gjermane që po përparonin dhe sulmonin në kuadër të tre Armatave ose
Grupimeve të mëdha luftarake, disa herë i kishin rrethuar forcat e shumëta të
ushtrisë ruse, duke i zënë robër mbi 3 milionë ushtarë dhe komandantë rusë, si
dhe duke ua konfiskuar tërësishtë armatimin e rëndë ushtarak. Mirëpo, edhe
përkundër humbjeve dhe disfatave të rënda kundër forcave gjermane,
ruso-sovjetikët kishin arritur të konsolidoheshin paksa në frontet e tjera të
luftës. Përkatësisht, në frontet alternative ose sporadike gjithandej Rusisë
(BRSS-së). Ndërkaq, për shkak të kushteve të rënda atmosferike dhe
klimaterike në Rusi, si dhe për shkak të molisjes dhe stërngarkesës së madhe të
trupave të tyre, gjermanët ishin të vetëdijshëm se nuk do e arrinin cakun ose
qëllimin e tyre luftarak – para dimrit. Ndërkaq, në anën tjetër, qeveria e
atëhershme sovjetike nga Moska ishte strehuar në Lindje, gjegjësisht, në
qytetin e Kujbishevit, ndërkohë që fabrikat dhe uzinat e ndryshme, rusët i
kishin bartur dhe tërhequr në anën tjetër të Uralit nga frika e sulmeve dhe invazioneve
të mundshme të trupave të fuqishme gjermane. Stalini personalisht e kishte
marrë në dorë komandimin e trupave sovjetike duke apeluar dhe bërë ftesë të
ashtuquajturit “patriotizmit rus”. Por, në udhëheqjen dhe komandën
gjermane, asokohe kishte ardhur gjer te kriza dhe një përçarje e ndjeshme përsa
i përkiste “qëllimeve strategjike” të Adolf Hitlerit në BRSS etj. Në
këtë kuadër, ishin ndërruar edhe gjeneralet Runstedt, Bock, Leeb etj, duke u
zëvendësuar me gjeneralë ose komandantë të rinj gjermanë. Hitleri e kishte
marrë nën komandën e tij këmbësorinë e ushtrisë gjermane më 19 dhjetor 1941 me
qëllim që Shtabi i përgjithshëm dhe ‘Komanda Supreme’ të zbatonin dhe
realizonin deri në detaje – dëshirën dhe kërkesat e tij. 

Në frontin lindor

Në frontin lindor ndërkaq, pas sukseseve dhe fitoreve të shumëta
fillestare si dhe “qetësisë së rrejshme” (taktike) në dimrin e viteve
1941-42, sovjetikët kishin arritur që  në një masë të konsiderueshme t’i
zbrapsnin dhe parandalonin sulmet dhe ofensivat e Armatës së fuqishme gjermane
pranë Moskës.  Gjatë vitit 1942 (18 nëntor 1942) ishte sulmuar Stalingradi
(Volgogradi) së bashku me rajonin e pasur me naftë, vajguri dhe pasuri të tjera
nëntokësore të Kaukazit. Duke shënuar në këtë mënyrë kulminacionin e luftës dhe
ofensivës së trupave gjermane kundër ish Bashkimit Sovjetik. Respektivisht,
njërën ndër luftërat ose betejat më të gjata dhe më të përgjakshme jo vetëm
gjatë Luftës së Dytë Botërore, por, në historinë e luftërave dhe konflikteve të
ndryshme ushtarake në përgjithësi. Beteja e njohur e Stalingradit kishte
përfunduar më 1943  kur e ashtuquajtura “armata e kuqe”
ruso-sovjetike, pas fitores ushtarake kundër “armatës së gjashtë gjermane”
të Gjeneral-Mareshal-von Paulus-it (Ndonëse, të mbështetur dhe ndihmuar në
forma të ndryshme teknike, logjistike, konspirative dhe të tjera nga
amerikanët, britanikët, francezët dhe forcat tjera të “koalicionit të madh
antihitlerian”) ia kishin dalë të çlironin Stalingradin e shkatërruar
tërësisht nga lufta. Duke i zënë robër një numër të madh ushtarësh dhe
oficerësh të “Wermachtit” gjerman. Së këndejmi, në luftën  e lartpërmendur të Stalingradit, atëkohë do të
bëhen të famshme të ashtuquajturat “Katjushat ruse” dhe Tankset -T-34 .
Sidomos në “betejën e tankeve” në Kursk gjatë vitit 1943 etj. Ndonëse,
pa mbështetjen dhe ndihmën e forcave të “koalicionit të
madh-antihitlerian”, sovjetikët nuk do ia dilnin kurre mbanë kundër
ushtrisë së fuqishme gjermane. U cek edhe më lart  përkrahja ose mbështetja e fuqishme e forcave
amerikane dhe atyre britanike në favor te trupave ruso-sovjetike gjatë Luftës
së Dytë Botërore në përgjithësi, përkatësisht, gjatë betejës së madhe të
Stalingradit në veçanti. Dhe kjo për faktin se, lufta ose beteja e
Stalingradit, për vlerësimet e përgjithshme të eksperetëve dhe analistëve të
shumtë ushtarakë, kishte qenë njëra ndër betejat më vendimtare dhe kruciale për
fatin dhe zhvillimet e mëtejshme të Luftës së Dytë Botërore. Për më tepër
ndërkaq, menjëherë pas fillimit të sulmit gjerman në BRSS-së (Rusi),
kryeministri i atëhershëm britanik, Winston Churchill, i kishte ofruar Stalinit
bashkëpunim dhe një aleancë të përgjithshme ushtarake dhe politike. Kjo
pavarësisht qëndrimeve dhe pikëpamjeve të kundërta ideologjike dhe politike të
këtyre të fundit. Pikërisht për këtë arsye gjatë vitit 1941 në Moskë do të
nenshkruhet  “Traktati ” i
përbashkët britaniko-sovjetik sipas të të cilit, të dyja fuqitë ushtarake
(Britania e Madhe dhe ish  BRSS-së) atëbotë ishin të obliguara që te
përfundonin Luftën e Dytë Botërore vetëm në bazë të marrëveshjes dhe analizave
të përbashkëta politike dhe ushtarake. Britanikët dhe më vonë Amerikanët
ndërkohë u kishin dërguar ndihma të shumëta teknike dhe ushtarake trupave ruso-
sovjetike në luftë kundër trupave gjermane.  Ndërkohë që, për shkak të
zhvillimeve të përgjithshme dramatike dhe të përshkallëzuara, përkatësisht, me
qëllim të mbështetjes së përbashkët amerikano-britanike si dhe forcave të tjera
të “koalicionit antihitlerian” ndaj trupave sovjetike të Stalini në luftë
kundër ushtrisë së fuqishme gjermane: Në Anijen e njohur Luftarake “Prince
of  Wales” më 14 gusht të vitit 1941
(në Atlantikun e Veriut) ishin takuar atëbotë kryeministri britanik, Çurçili me
presidentin amerikan, Rusvelt. Duke e firmosur në këtë kuadër “Dekleratën e
njohur të Atlantikut” të vitit 1941.  Ndërkaq edhe inkuadrimi i SHBA-së në
Luftën e Dytë Botërore, për vlerësimet e përgjithshme, kishte qenë i një peshe
dhe rëndësie të veçantë morale dhe ushtarake-historike. Duke e sjellë në këtë
kuadër edhe fitoren e forcave të “koalicionit të madh-antihitlerian”
në Luftën e Dytë Botërore. 

Shifra dhe fakte nga beteja e
Stalingradit

Beteja Stalingradit, përkufizon
luftimet midis forcave sulmuese gjermane dhe atyre sovjetike nga gushti i vitit
1942 deri më shkurt të vitit 1943. Si një nga betejat më të përgjakshme të
Luftës së Dytë Botërore, në Stalingrad humbën jetën rreth 200 000 ushtarë të
forcave të Boshtit dhe rreth 485 000 të vrarë nga ana e sovjetikëve. Mbas kësaj
beteje, ushtria e kuqe avancoi pa u tërhequr deri në Berlin. Gjeneralët që
morën në dorë drejtimin e ushtrisë sovjetike ishin Georgi Zhukov dhe Aleksandër
Vasiljevski. Ndërsa Adolf Hitler ia caktoi Frederik fon Paulusit detyrën për të
mposhtur Stalingradin. Stalingradi (Vollgogradi i sotëm) ishte një qytet i madh
i zhvilluar si në industri ashtu edhe në hekurudha. Rëndësia e tij më e madhe
qëndronte në faktin se Stalingradi ishte një pikë strategjike për të depërtuar
në rajonet e pasura me minerale të Kaukazit. Nga ana tjetër Josif Stalin caktoi
dy gjeneralët e tij më të mirë Georgi Zhukovin dhe Aleksandër Vasiljevskin në
mbrojtjen e qytetit. Strategjia e tyre konsistonte në krijimin e një xhepi
(rrethimi) të trupave gjermane, brenda vetë qytetit. Qyteti u bombardua
masivisht nga forcat ajrore gjermane. Por kaq larg mund të shkonin ata. Për më
tepër njësia e tankeve gjermane qëndroi pasive në luftime pa pasur mundësi të
avanconin më në brendësi të qytetit. Beteja ndoqi luftime guerrilase dhe ofensivat
e kundërofensivat ndoqën njëra tjetrën. Me kalimin e kohës në Stalingrad trupat
gjermane po sfiliteshin nga luftimet e mundimshme, ndërkohë që nga ana tjetër e
lumit Vollga partizanë dhe rekrutë të rinj mbërrinin për t’iu shtuar Ushtrisë
së kuqe. Një problem tjetër për trupat gjermane ishin edhe furnizimet e
nevojshme që duheshin për luftimet, ndërsa forcat sovjetike jo vetëm që
përdornin potencialin e tyre, por merrnin ndihmë edhe nga aleati i tyre ShBA.
Në të tilla kushte sovjetikët i kishin të gjitha mundësitë për të lëshuar një
kundër-ofensivë efektive në nëntor të vitit 1942, e cila u emërua Operacioni
Urani. Gjerësia e territorit për t’u mbrojtur, detyroi gjermanët të mobilizonin
trupat e Rumanisë, Italisë dhe disa aleatëve të tjerë të boshtit. Trupat e
vendosura pranë lumit Don, duhej të mbronin furnizimet për trupat gjermane në
Stalingrad. Ushtria e Kuqe, sulmoi garnizonet Italiane (të keq pajisura dhe të
keq trajnuara) dhe të çdo fuqie tjetër armike duke i shpartalluar ato. Me
rënien e ushtrive mbrojtëse nga anët, sovjetikët arritën të mbyllnin xhepin
(rrethimin) e armatës Wehrmacht në Stalingrad. Armata e gjashtë e Wehrmacht dhe
Njësia e Katërt e Panzerave ndodhej e rrethuar. Ndaj kërkesave të vazhdueshme
të Frederik Paulusit për të bërë një përpjekje për të thyer xhepin e për t’u
tërhequr, Hitleri iu përgjigj, jo. Furnizimet u premtuan se do të vinin nga
ajri por një gjë e tillë nuk u realizua dot. Sovjetikët kishin bllokuar rrugët
dhe sulmonin avionët furnizues të Luftëaffe-s. Një përpjekje e re u bë për të
dërguar ndihma për ushtrinë e mbetur në rrethim. Von Manstein do të formonte
një batalion modest me ushtarë gjermanë, me qëllim për të shkuar në ndihmë
ushtrisë që kishte ngecur në Stalingrad. Por ai do të afrohej vetëm 50
kilometra me ushtrinë e mbetur në brendësi të Stalingradit. Trupat gjermane
morën goditjen përfundimtare më 26 janar 1943 kur forcat sovjetike, ndanë
forcat gjermane në dy grupe. Në fund të janarit të vitit 1943, Paulus heq dorë
nga luftimet dhe më 2 shkurt trupat gjermane i dorëzohen ushtrisë së kuqe. 91
000 ushtarë gjermanë dhe 22 gjeneralë, do të binin në duart e Sovjetikëve. Kjo
do të ishte lufta më e madhe në të gjithë historinë, si në shpenzime, ashtu
edhe në humbje njerëzore. Mendohet se Gjermanët humbën rreth 850 000 ushtarë
(të vrarë dhe të dorëzuar – edhe pse mungon referenca ndaj shifra është e
diskutueshme).