Prof. Bernard Zotaj: Lidhja Shqiptare e Prizrenit e viteve 1878-1881

244
Sigal

Dukuri të Lidhjes  Shqiptare të Prizrenit në vitet 1878-1881

Prof. Asoc. Dr. Bernard Zotaj

Organizimi ushtarak

Lidhja Shqiptare e Prizrenit u themelua, jetoi e veproi prej vitit 1879 deri me 1881, në një periudhë situatash e rrethanash të rënda dhe të ndërlikuara për Perandorinë Osmane, për Ballkanin e veçanërisht për Shqipërinë. Lidhja synoi të mobilizonte dhe të organizonte të gjitha funksionet e mundshme luftarake të kombit, duke u mbështetur në fronte organizative popullore, kryesisht vullnetare. Kriteri bazë i mobilizimit ishte “një luftëtar për shtëpi”, por në raste e vende të ndryshme, sidomos në krahinat kufitare që rrezikoheshin drejtpërdrejt nga agresioni i ushtrive armike, kjo normë u tejkalua, duke arritur edhe “tre burra për shtëpi”, ose dhe më tepër. Në bazë të regjistrimit të përgjithshëm që bëri Lidhja, efektivi i Forcave të Armatosura, “Rojes Kombëtare” do të arrinte 260.000 veta. Në varësi të situatës dhe të shkallës së rrezikut, mobilizimi do të realizohej i pjesshëm dhe i përgjithshëm. Mobilizimi i pjesshëm parashikonte kompletimin e reparteve dhe njësive që do të përdoreshin për ruajtjen dhe mbrojtjen e sektorëve kufitarë nga pritej mësymja e armikut. Rajonet më të përshtatshme për këtë mobilizim ishin rajonet kufitare, kryesisht zonat fshatare. Mobilizimi përfshinte moshat nga 15 deri 70 vjeç. Të mobilizuarit grumbulloheshin në vende të caktuara, të cilat quheshin “kampe ushtarake”. Këtu “rekrutët” pajiseshin me armatime e municion, organizoheshin në reparte e njësi, nën drejtimin e komisioneve të posaçme dhe stërviteshin në përputhje me organizimin e tyre si vullnetarë. Qendra të tilla u krijuan sidomos në rajonet në afërsi të kufirit: Ulqin, Shkodër, Tuz, Plavë, Guci, Pejë, Novipazar, Gjakov, Shkup, Artë, Prevez etj.

Korpusi konsiderohej forcë e mjaftueshme

Lidhur me organizimin e ushtrisë në programin ushtarak të Lidhjes përcaktohej se ushtria vullnetare e cila do t’i kalonte dyqindmijët do të organizohej në bazë të rregullave të veçanta dhe do të ndahej, do të kishte pesë korpuse, prej tyre katër në Shqipërinë e Veriut dhe një në Shqipërinë e Jugut. Korpusi konsiderohej forcë e mjaftueshme për përballimin e agresionit të ushtrisë armike në drejtim të rajonit përkatës. Ai do të përbëhej nga disa brigada dhe thuajse vetëm prej këmbësorisë. Në raste e drejtime të veçanta, forcat e Lidhjes u përfaqësuan dhe me artileri, mjete lundrimi, mjete të ndërlidhjes ushtarake, shërbim të zbulimit, reparte shëtitëse dhe reparte mbrojtëse të kalave. Në planet e Lidhjes evidentohej se 1/5 e efektivit të forcave tokësore ishin kalorës dhe parashikohej që çdo batalion të kompletohej me 50-60 kafshë, me të cilët formohej kompania kalorëse në batalion. Ky nënrepart në të vërtet ishte për transport njerëzish dhe materialesh. Në pikpamje të formës së organizimit, vet korpusi nuk ishte një njësi e përhershme e me strukturë të rregullt, por një bashkim formacionesh vullnetarësh dhe i përkohshëm. Në të njëjtën mënyrë paraqitej organizimi i divizionit, i cili formohej e qëndronte në gadishmëri si njësi luftarake për aq kohë sa vazhdonte kërcënimi prej armiqëve ose për sa kohë do të vazhdonte lufta. Organizimi i nënreparteve e reparteve deri në brigadë ishte përcaktuar më qartë. Në Urdhëresën Ushtarake të KQ të Lidhjes thuhej: .. “çdo kompani të përbëhet nga njëqind njerëz. Çdo kompani do të ketë një kapiten, një toger, pesë rreshter, dhjetë tetarë dhe një shkrues. Katër kompani këmbësorie dhe një kompani kalorësie do të formojnë një batalion prej 500 veta i cili do të ketë një major, një zëvendësmajor, një imam, një sekretar batalioni dhe një numër të nevojshëm flamurtarë. Edhe kafshët e ngarkesës së batalionit do të numërohen si kalorësi. Katër batalione (të cilat formojnë një regjiment) do të kenë një kolonel, një sekretar regjimenti dhe një nënkolonel kurse trupat e dy kolonelëve (të dy regjimenteve do të kenë një gjeneral). Në këtë mënyrë kompania kishte 100 ushtarë, batalioni 500, një regjiment i kompletuar plotësisht do të kishte efektivin 2.000 veta, ndërsa brigada 4.000 veta. Në rast nevoja të ngutshme batalioni mund të kishte 300 veta, regjimenti rreth 1.200 veta, ndërsa brigada 2.500 veta. Sipas përllogaritjeve të Lidhjes, Roja Kombëtare do të kishte 380 batalione në Shqipërinë e Veriut dhe mbi 100 batalione në Shqipërinë e Jugut.” Nëpërmjet mobilizimit të të gjitha forcave të mundshme luftarake shqiptare ndaj organizimit të tyre në 5 korpuse, Komiteti qendror mendonte se mund të plotësoheshin të gjitha detyrat e mbrojtjes strategjike. Roli që do të luante secili korpus ishte ai më poshtë: Korpusi i Kosovës, i cili parashikohej të arrinte 70.000 veta kishte si detyrë kryesore mbrojtjen ndaj mesymjes së ushtrisë Sërbe dhe kundërmësymjes për çlirimin e viseve të pushtuara prej saj para vitit 1878. Ai mbronte një front prej rreth 250 km. Korpusi i Novipazarit, prej 20.000 veta do të shërbente si forcë plotësuese e Korpusit të Kosovës dhe të Shkodrës dhe nuk do të kishte front të veçant mbrojtjeje. Korpusi i Shkodrës, i cili së bashku me vullnetarët e Tiranës, Elbasanit, Ohrit, Dibrës e Matit do të arrinte 60.000 veta. Kishte si detyrë mbrojtjen ndaj agresionit të Malit të Zi dhe çlirimin e viseve shqipëtare të pushtuara prej tij. Fronti i mbrojtjes së tij shtrihej prej Forcës deri në Ulqin rreth 20 km i gjatë. Korpusi i Shkupit me rreth 40.000 veta detyrë kryesore kishte mbrojtjen në drejtim të Bullgarisë me një front që shtrihej në një sektor afërsisht 40 km, njëkohësisht ai do të mbështeste edhe veprimet mbrojtëse e kundërmësymjes të korpusit të Kosovës kundër ushtrisë serbe. Korpusi i Shqipërisë së Jugut që parashikohej të arrinte rreth 70.000 veta do të mbronte viset shqiptare në Jug nga agresioni ushtarak grek. Mbrotja në këtë drejtim parashikohej me sektorë të veçantë.

Sistemi i gadishmërisë dhe aparati i prapavijës

Në kuadrin e masave organizative ushtarake Lidhja krijoi edhe sistemin e gadishmërisë me forcat e ruajtjes, të zbulimit, sigurimit, të përballimit të agresionit etj. Në vartësi nga veprimet e kundërshtarit, nga largësia e rajonit të mobilizimit të forcave të kohës së përdorimit, si dhe të detyrave, që do të zgjidhnin forcat e gadishmërisë do të ishin të radhës së parë, të dytë dhe të tretë. Forcat e radhës së parë përbëheshin nga një numër i vogël vullnetarësh që dilnin nga popullsia e rajoneve kufitare dhe formonin repartet kufitare të ruajtjes dhe të zbulimit e lajmërimit. Detyra e tyre kryesore ishte asgjësimi i grupeve diversioniste të armikut, lajmërimi mbi dukjen dhe afrimin e forcave kryesore të armikut, si dhe pengimi i përparimit të tyre në rast se kalonin në mësymje kundër viseve shqiptare. Radhën e dytë e përbënin forca që do të mobilizoheshin në rajone më në brendësi të viseve shqiptare. Fillimisht forcat e kësaj radhe formonin reparte prej 1000-2000 vullnetarë për secilin sektor dhe përqëndroheshin në fshatra ose qyteza, sa më pranë kufirit. Kur armiku shtonte përgatitjet për agresion këto forca 2-3 fishoheshin dhe organizonin mbrojtjen për të përballuar mësymjen e armikut. Forcat e radhës së tretë dilnin nga viset më të thella të vendit dhe përgjithsisht luanin rolin e rezervave strategjike. Detyra kryesore e tyre ishte të përforconin forcat e radhës së dytë për të thyer armikun si dhe për të kaluar në kundërmësymje. Kështu forcat e Shqipërisë së Mesme, (Mat, Krujë, Tiranë, Durrës, Elbasan) që llogariteshin rreth 30.000 luftëtarë përbënin rezervat dhe do të përforconin njësitë e Shkodrës gjatë mbrojtes kundër Malit të Zi së bashku me ta do të kalonin edhe në kundërmësymje për çlirimin e viseve të pushtuara.Për sigurimin e ushtrisë me armatim, municion, ushqim, veshje, strehimin e reparteve etj. Lidhje krijoi edhe në aparatin e prapavijës. Në krye të këtij aparati qëndronte një komision prej 5 veta, i cili mblidhte ndihmat nga popullsia, rekuizimet e kontributet nga të pasurit për nevojat e ushtrisë dhe drejtonte grumbullimin e shpërndarjen e plaçkës së luftës. Aparati i prapavijës përbëhej nga komisionet krahinore, komisionet e komitetit e mbrojtjes së degëve të lidhjes, si dhe repartet e posaçme shëndetësore, të transportit e të ruajtjes.

Kuadri drejtues e komandues i forcave të Lidhjes përbëhej kryesisht prej pajisjeve popullore të zgjedhur në mënyrë demokratike si dhe prej ish oficerëve shqiptarë, që kishin shërbyer në ushtrinë osmane. Në urdhëresën ushtarake të Lidhjes thuhej: “Komandanti, majori dhe oficerët e tjerë të ushtrisë që do të nxirrnin në mënyrë të rregullt, sipas regjistrimit në çdo vend, do të caktohen me pëlqimin e popullsisë së atyre vendeve”. Në tërësi si kuadri i lartë ashtu dhe ai i ulët zgjidheshin nga njerëzit që kishin aftësi, përvojë, trimëri dhe autoritet. Gjatë operacioneve ushtarake të Lidhjes u formuan shtabet ushtarake “qendrat e operacioneve”, “Këshillat e oficerëve të divizioneve” etj., të cilat merreshin me çështjet e organizimit e drejtimit të luftimeve, me sigurimin material të trupave dhe sigurimin e rregullt të disiplinës në forcat e Lidhjes. Për nga rëndësia dhe vlerat e artit ushtarak Lidhja e Prizrenit shënoi kulmin e zhvillimit të krejt periudhës së Rilindjes dhe la një trashëgimi të pasur.