Zhdukja e biznesmenit italian/ Prokuroria e Peruxhias nis hetimet

55
Sigal

Prokuroria e Peruxhias në Itali ka nisur hetimet për zhdukjen e italianit Davide Pecorelli në Shqipëri.

Makina që kishte marrë me qira 45-vjeçari u gjet e djegur në një nga zonat më të thella në Shqipëri, pikërisht në Pukë.

Brenda makinës u gjetën mbetje njerëzore, që do të analizohen për të parë nëse i përkasin italianit.

Biznesmeni italian kishte një rrjet sallonesh bukurie në vendin e tij dhe një hotel me dy yje. Biznesi në Itali nuk po i ecte shumë mirë, raportojnë mediat italiane.

Ai është baba i katër fëmijëve, tre me gruan e parë dhe një me gruan aktuale, një shtetase shqiptare.

Sipas Repubblica, për shkak të konfidencialitetit të hetimeve, prokuroria e Peruxhias nuk jep asnjë informacion.

Mbetet mister se përse italiani gjendej në Pukë. Ai kishte ardhur për të bërë biznes në Shqipëri, ku do të shiste pajisje lazer për sallonet e bukurisë.

Mediat kanë raportuar se zjarri në makinë mund të ketë qenë aksidental. Por nuk përjashtohet mundësia që të ketë qenë i qëllimshëm.

A po kërkon italiani të zhdukë gjurmët e tij? Apo e kanë vrarë? Historia është ngarkuar me mister dhe po mban pezull opinionin në Shqipëri dhe Itali.