Ministri i Jashtëm Hasani: Shqipëria gati për Konferencën e Dytë Ndërqeveritare me BE, kemi ndërmarrë reforma transformuese për vendin

14
Sigal

Të martën në takimin informal të Këshillit të Çështjeve të Përgjithshme të Bashkimit Evropian mes ministrave të shteteve kandidate, ishte edhe Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Igli Hasani. Takimi mbahej me rastin e 20 vjetorit të zgjerimit të Bashkimit Evropian. Gjatë fjalës së tij ministri kërkoi mbajtjen e konferencës së dytë ndërqeveritare me BE e bllokuar aktualisht nga Greqia. Ministri tha se Shqipëria ka ndërmarrë reforma transformuese të mëdha. Pas takimit, ministri Hasani tha se në takim u diskutua tematika shumë e rëndësishme e shtetit të së drejtës në Procesin e Berlinit. “Shteti i së drejtës që është në themel të vetë BE është shumë i rëndësishëm edhe për vendet kandidate përfshirë Shqipërinë. Ajo që duhet të arrijmë sa më shpejt është mbajtja e konferencës së dytë ndërqeveritare, që nis negociatat me grupkapitujt themelorë të sundimit të ligjit dhe institucioneve demokratike. Referova arritjet e Shqipërisë në reformën gjithpërfshirëse të sundimit të ligjit, me krijimin e institucioneve të pavarura të gjyqësorit, ngritjes së strukturave të posaçme kundër krimit dhe korrupsionit, si dhe rezultatet e prekshme dhe të qëndrueshme të këtyre reforma. Përgëzova miratimin e Planit të Rritjes dhe posaçërisht instrumentit lehtësues të rritjes dhe reformave, që do të sjellë një nxitje thelbësore edhe në zbatimin nga Shqipëria në kuadër të negociatave të anëtarësimit. Kërkova me ngulm që procesi të bëhet i prekshëm për qytetarët përfshirë edhe integrimin më të përshpejtuar me mekanizmat dhe programet e BE për sundimin e ligjit, për t’i mundësuar qytetarëve tanë Shqipërinë Evropiane dhe Ballkanin Perëndimor evropian përpara anëtarësimit në BE”,- tha ndër të tjera në deklaratën e mbajtur në përfundim të këtij takimi ministri Hasani.