Në raportin e përgatitur nga Sekretari i Përgjithshëm Antonio Guterres në Këshillin e Sigurimit të Organizatës së Kombeve të Bashkuara u panë qartazi përplasjet e qëndrimeve mes Kosovës dhe Serbisë. Kjo e fundit përmes kryeministres serbe Ana Bërnabiç mohoi çdo përfshirje në sulmin ndaj Policisë së Kosovës në Banjskë. Bërnabiç u justifikua duke thënë se ngjarjet ishin rezultat i “terrorit” ndaj serbëve. Sipas saj që kur kryeministri i Kosovës Albin Kurti, ka marrë pushtetin dy vjet më parë, “11 për qind e serbëve janë larguar nga komunat” në veri të Kosovës. Po ashtu ajo foli për dy sulmuesit serbë, që u vranë duke thënë se hetimet do të tregojnë se dy nga tre sulmuesit serbë që u vranë gjatë përleshjeve, janë “vrarë pasi janë dorëzuar”. Bërnabiç insistoi se kushti që të zbatohen marrëveshjet e tjera është themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe. “Asociacioni është një element i pashmangshëm për zbatimin e çdo marrëveshjeje tjetër”,- tha ajo. Serbja hodhi akuza për “fushatë të dhunshme” ndaj serbëve, që sipas saj po bëhet në Kosovë duke pretenduar se vitin e kaluar kanë ndodhur mbi 400 incidente ndëretnike. Ndërsa Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, akuzoi Serbinë dhe tha se ata duan territor të Kosovës “por, nuk do ta marrin kurrë”. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani tha se me 24 shtator Kosova “ishte shënjestër e një akti të agresionit të kryer nga Serbia nëpërmjet grupeve terroriste dhe paraushtarake të saj” dhe se Serbia sipas Vjosa Osmanit priste të të kishte sukses në aneksimin e saj të planifikuar të veriut të Kosovës sipas stilit të Krimesë. Serbia provoi të minimizojë shkallën e këtij kërcënimi të pashembullt të sigurisë dhe aktit të agresionit. Ata gjithashtu duan të shtrembërojnë të gjithë të vërtetën, që u shpalos para syve të botës. “Ne duam paqe dhe Serbia e dëshmoi më 24 shtator se do luftë. Por, ne nuk do ta lejojmë të ndodhë kjo”,- tha Osmani. Sipas saj, më 24 shtator plani ishte “destabilizimi i rajonit” të Ballkanit Perëndimor dhe jo vetëm i Kosovës. Osmani tha se burimi kryesor i financimit, armatosjes dhe trajnimit të grupit të armatosur në Banjskë “është Republika e Serbisë”. Presidentja e Kosovës iu drejtua me një mesazh serbëve që jetojnë në Kosovë, duke u thënë se Kosova është shtëpia e tyre. “Konfirmoj se jemi të përkushtuar që të bëjmë më shumë për serbët në Kosovë. Por, ne nuk do t’i japim Serbisë instrumente përmes së cilave ata mund të shkatërrojnë jetën e serbëve, që jetojnë në Kosovë dhe të vazhdojnë të tentojnë të shkatërrojnë sovranitetin dhe integritetin tonë territorial. Kosova është e përkushtuar për paqe dhe mbetet e angazhuar për dialogun për normalizimin e raporteve me Serbinë. Ne kurrë nuk do të heqim dorë nga dialogu si mënyrë për të zgjedhur dallimet mes nesh”,- tha Presidentja e Republikës së Kosovës Vjosa Osmani.
Ballina Bota dhe Rajoni Debate në OKB mes Kosovës dhe Serbisë, Presidentja Osmani: Doni territor? Nuk...