SHBA godet objektet bërthamore të Iranit, Trump: Tani Irani të bëjë paqe ose tragjedia do të jetë shumë e madhe!

42
Sigal

Presidenti i SHBA-ve, Donald Trump, deklaroi se ushtria amerikane ka përfunduar sulmet ndaj tre objekteve bërthamore në Iran, duke shënuar një përshkallëzim të rëndësishëm në luftën e vazhdueshme midis Iranit dhe Izraelit.

“Kemi përfunduar me shumë sukses sulmin ndaj tre objekteve bërthamore në Iran, përfshirë Fordow, Natanz dhe Esfahan. Të gjitha avionët ndodhen tani jashtë hapësirës ajrore të Iranit,” deklaroi ai.

Trump shtoi se një “ngarkesë e plotë bombash” u hodh mbi Fordow-n, një objekt pasurimi i fshehur në një mal të largët, që është thelbësor për ambiciet bërthamore të Iranit.

“Do të ketë ose paqe, ose një tragjedi për Iranin shumë më të madhe se çfarë kemi parë gjatë tetë ditëve të fundit,” paralajmëron Trump.

“Kujtoni, ka ende shumë objektiva të mbetura. Sonte ishte më i vështiri prej tyre, me diferencë, dhe ndoshta më vdekjeprurësi. Por nëse paqja nuk vjen shpejt, ne do të shkojmë drejt atyre objektivave të tjerë me saktësi, shpejtësi dhe aftësi,” deklaroi presidenti amerikan.

Zyrtarë izraelitë thanë se ishin në “koordinim të plotë” me SHBA-në për planifikimin e këtyre sulmeve.

Një nga objektet që SHBA sulmoi ishte një vend sekret bërthamor i quajtur Fordo. Ai ndodhet i fshehur në një shpat mali në jug të Teheranit dhe besohet të jetë më thellë nën tokë se Tuneli i Kanalit që lidh Mbretërinë e Bashkuar me Francën.

Objekti i pasurimit të uraniumit konsiderohet nga ekspertët si thelbësor për ambiciet bërthamore të Iranit.

Thellësia e Fordo-s nën sipërfaqen e Tokës e ka bërë të vështirë për t’u goditur nga armët e Izraelit. Vetëm SHBA-ja konsiderohej se kishte një bombë të tipit “bunker buster” mjaftueshëm të fuqishme dhe të madhe për të shkatërruar Fordo-n.

Kjo bombë amerikane quhet GBU-57 Massive Ordnance Penetrator (MOP). Ajo peshon 13,000 kg dhe, sipas ekspertëve, është në gjendje të depërtojë rreth 18 metra beton ose 61 metra dhe, përpara se të shpërthejë.

Si mund të përgjigjet Irani? 

Ekspertët thonë se Irani është dobësuar ndjeshëm nga sulmet e Izraelit ndaj bazave të tij ushtarake deri tani, si edhe nga shkatërrimi i përfaqësuesve të tij rajonalë në Liban (Hezbollahu), në Siri dhe në Gaza (Hamasi). Megjithatë, Irani mbetet ende i aftë të shkaktojë dëme të konsiderueshme.

Zyrtarët iranianë paralajmëruan SHBA-në që të mos përfshihet, duke thënë se ajo do të pësonte “dëme të pariparueshme” dhe se do të rrezikonte një “luftë të përgjithshme” në rajon.

Irani ka kërcënuar të godasë bazat amerikane në rajon në shenjë hakmarrjeje. SHBA operon baza ushtarake në të paktën 19 zona në Lindjen e Mesme, përfshirë Bahreinin, Egjiptin, Irakun, Jordaninë, Kuvajtin, Katarin, Arabinë Saudite dhe Emiratet e Bashkuara Arabe.

Ndër objektivat më të dukshme për Iranin është Komanda e Flotës së 5-të Detare të SHBA-së në Mina Salman, në Bahrein.

Ai mund të synojë gjithashtu një rrugë detare jetike të njohur si Ngushtica e Hormuzit, që lidh Gjirin Persik me Oqeanin Indian dhe përmes së cilës transportohet 30% e furnizimit global me naftë. Mund të ndërmarrë sulme edhe ndaj rrugëve të tjera detare që mund të destabilizojnë tregjet globale.

Irani mund të godasë gjithashtu asetet e vendeve fqinje që i percepton si ndihmëse të SHBA-së, çka rrezikon përhapjen e luftës në të gjithë rajonin.