Si mund të fitojnë maturantët në degën që dëshirojnë

3328
Sigal

INTERVISTA/ Flet Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve për plotësimin e Formularit A2, Alfons Harizaj

 Drejtori i Agjencisë Kombëtare të Provimeve, Alfons Harizaj, ka renditur procedurën që duhet të ndjekë një maturant për plotësimin në mënyrë të saktë të formularit dhe njëkohësisht për të fituar në degën që ai dëshiron. Në një intervistë për “Telegraf”, zoti Harizaj e ka vënë theksin tek llogaritja e saktë e pikëve që mund të ketë grumbulluar maturanti në provimet e tij. Sipas zotit Harizaj, maturantët duhet të rendisin qartë dhe saktë preferencat e tyre aty, ku ata dëshirojnë, por gjithmonë duhet të shohin se sa kanë qenë pikët e fituesit të fundit që kanë pasur në vitet e kaluara.

-Zoti Harizaj, si mund të bëhen fitues në degën që duan, meqenëse jemi fazën e plotësimit të Formularit A2?

Së pari, maturantët që janë në fazën e plotësimit të Formularit A2, këto ditë duhet të kenë parasysh që duhet të bëjnë një llogaritje të saktë të pikëve të tyre. Ky është një ndër hapat më të rëndësishëm dhe që maturanti duhet ta bëjë me kujdes këtë llogaritje. Ata duhet të llogarisin deri në sa pikë shkojnë. Ato e kanë formulën e llogaritjes së pikëve, pasi Ministria e Arsimit dhe Shkencës së bashku me Agjencinë Kombëtare të Provimeve e ka bërë publike atë para disa ditësh. Ata e kanë formulën e gatshme marrin dhe rezultatet dhe i zëvendësojnë tek formula dhe pastaj duhet të kalojnë në hapin tjetër. E Para edhe njëherë po e përsërit, e para që duhet të bëjnë maturantët është që duhet të dinë sa pikë kanë grumbulluar dhe pastaj duhet të shikojnë se çfarë ofron sistemi dhe çfarë ofron sistemi do të thotë sa janë kuotat e studimit për secilin fakultet dhe këtë ato e dinë tashmë. Ato kanë edhe informacionin që e gjejnë në vitet e mëparshme duke ditur se, cilat kanë qenë pikët e fituesit të fundit në vitet e kaluara ato mund të bëjnë një llogaritje më të mirë. Lëvizjet e pikëve për t’u pranuar në universitet në krahasim me vitet e kaluara nuk mund të kenë ndonjë ndryshim të madh.

 -Cili është hapi tjetër që duhet të bëjë një maturant për të arritur degën që duan?

-Pasi kanë bërë llogaritjen e pikëve siç thamë më lart, ato duhet të shikojnë pikët e fituesit të fundit për vitet e shkuara që edhe këto janë të publikuara në faqen zyrtare të Ministrisë së Arsimit dhe Shkencës dhe në faqen zyrtare të Agjencisë Kombëtare të Provimeve. Pastaj pasi kanë bërë krahasimin me pikët e viteve të kaluara, pastaj maturanti duke pasur pikë të afërta me ato programe studimi ato mund të vendosin preferencën e tyre që duan.

 -Po rëndësia e vendosjes së preferencave si duhet të variojë?

-Po edhe një pikë tjetër e rëndësishme në plotësimin e formularit është vendosja e preferencave në formular, ku një rëndësi të veçantë ka edhe renditja e tyre. Pasi dihet që sistemi është meritë-preferencë, që do të thotë maturanti ka të drejtë që të zgjedhë dhjetë programe studimi. Por sistemi ka prioritet edhe bazën e renditjes, nëse ke vënë të parin x program studimi atje do të provohesh së pari. Pastaj nëse nuk fiton tek preferenca e parë atëherë sistemi të provon me radhë zbritje, që do të thotë, tek preferenca e dytë e me radhë. Kjo do të vazhdojë duke zbritur për çdo preferencë deri sa programi të gjejë maturantin fitues në një nga programet e studimit që ai ka zgjedhur. Nëse nuk e gjen fitues programi do të shkojë deri tek preferenca e dhjetë e me radhë. Por kjo, normalisht që, do të bëhet sipas rregullave, vetëm atëherë mund të dali fitues maturanti dhe vetëm atëherë do të vazhdojë studimet në  universitetin publik për vitin e ri akademik.

 -Sa janë shanset që një maturant të fitojë në preferencën e parë, duke ditur që ka arritur rezultate të mira dhe mesatare të mirë?

Atëherë po supozojmë që nëse një maturant ka fituar 5500 pikë dhe ai dëshiron Inxhinieri Telekomunikacioni, që vjet e kanë fituar me 5400 ai e ka të sigurt që të fitojë sivjet me pikët e grumbulluara në provimet që ai ka zhvilluar të Maturës Shtetërore.

 -Po koefiçentët e shkollave sa rol luajnë në llogaritjen që duhet të bëjë një maturant për të fituar universitetin?

Koefiçentët janë publikuar nga Ministria e Arsimit dhe Shkencës, tashmë dhe maturantët i dinë dhe janë njohur me to tashmë. Por koefiçentët janë dikush 1.3 dikush 1.4 dhe tani maturanti nuk ka pothuajse punë fare me koefiçentët, pasi maturanti e di shkollën që ka mbaruar, ai thjesht tani do të bëjë zëvendësimin tek formula e llogaritjes dhe mund të plotësojë formularin. Nëse maturanti nuk di t’i llogarisë këto sipas formulës, ai mund të kërkojë ndihmë nga një shok i tij për të bërë llogaritjen.

 -Si po ecën plotësimi i Formularit A2, pasi tani janë realizuar një pjesë e aplikimeve nga maturantët?

Po, plotësimi i Formularit A2 po ecën normalisht pa probleme, tashmë janë bërë aplikimet e para sipas radhës së kalendarit që ka publikuar Ministria e Arsimit dhe Shkencës së bashku më Agjencinë Kombëtare të Provimeve. Dhe aplikimet për formularin do të shkojnë deri në datë 5 gusht edhe kjo është bërë e ditur.

Shanset për të fituar

Atëherë po supozojmë që nëse një maturant ka fituar 5500 pikë dhe ai dëshiron Inxhinieri telekomunikacioni që vjet e kanë fituar me 5400 ai e ka të sigurt që të fitojë sivjet me pikët e grumbulluara

Llogaritja e pikëve

Maturantët  kanë edhe informacionin që e gjejnë në vitet e mëparshme duke ditur se cilat kanë qenë pikët e fituesit të fundit në vitet e kaluara ato mund të bëjnë një llogaritje më të mirë.

Renditja e preferencave

Sistemi është meritë-preferencë, që do të thotë maturanti ka të drejtë që të zgjedhë dhjetë programe studimi. Por sistemi ka prioritet edhe bazën e renditjes, nëse ke vënë të parin x program studimi atje do të provohesh së pari.

Rastet kur nuk është i vlefshëm formulari

Sipas specialistëve të Ministrisë së Arsimit, maturantët nuk duhet të humbasin mundësinë për t’i plotësuar të gjitha preferencat që u janë vënë në dispozicion, pra 10 të tilla. Në listën e programeve të studimit, nuk mund të ketë më shumë se dhjetë kuti të plotësuara me shifrat nga 1 deri në 10. Kuptohet që të gjitha kutitë e tjera do të jenë bosh. Në këtë mënyrë plotësohen të gjitha preferencat e shënuara. Është e detyrueshme që të mbushen të 10 kutitë e preferencave, ndryshe formulari quhet i pavlefshëm. Në rastet kur keni zgjedhur më pak se 10 programe studimi të preferuara, kutitë e tjera të tabelës së preferencave (lart dhe djathtas) mbushen detyrimisht me shifrën 000. “Rekomandojmë të mos humbni mundësi, zgjidhni dhjetë programe studimi. Kujdes: Maturantët kandidatë që parapëlqejnë më shumë programet e studimeve që parashikojnë konkurs si Arte, Sporte, Arkitekturë, FASTIP etj., dhe vendosin t’u nënshtrohen konkurseve përkatëse të pranimit, në preferencat e tyre, këto programe duhet t’i rreshtojnë në krye të listës se përndryshe rrezikojnë të humbasin shansin e tyre për t’u shpallur fitues në këto degë”, – thuhet në udhëzimin e MASH.