28 aplikantë për dy ditë, 15 vetëm në DAR Tiranë

1608
Sigal

Kandidatët për mësues, pyetjet dhe përgjigjet më të shpeshta për aplikimin on-line

28 kandidatë për mësues kanë aplikuar deri tani në portalin mësues.arsimi.gov.al., që prej datës 12 nëntor, ditë kur u prezantua ky portal nga Ministrja e Arsimit dhe Sporteve znj. Lindita Nikolla. Kjo është nisma më e re e MAS me qëllim punësimin e mësuesve. Të gjithë të interesuarit që dëshirojnë të punësohen si mësues në sistemin parauniversitar, mund të aplikojnë duke u regjistruar në portalin mësues.arsimi.gov.al. deri në 27 nëntor, ditë kur mbyllen dhe aplikimet. Në rubrikën e statistikave në portalin “Mësues për Shqipërinë” mund të shikosh në kohë reale numrin e kandidatëve për mësues dhe se në cilin DAR kanë aplikuar. Kështu nga 28 kandidatë, numrin më të madh e ka DAR Tiranë bashki prej 15 aplikues; vijon me DAR Elbasan, 5 aplikues; DAR Shkodër dhe Fier me nga 2 kandidatë; DAR Tiranë Qark, Durrës, Vlorë dhe Kukës me nga 1 aplikant. Gazeta “Telegraf” për t’u ardhur në ndihmë aplikantëve zbardh pyetjet dhe përgjigjet më të shpeshta në lidhje me këtë proces.

 Aplikimi për mësues, pyetjet dhe përgjigjet

 Si mund të aplikoj për të marrë pjesë në nismën “Mësues për Shqipërinë”?

 Çdo i interesuar për të aplikuar në portal duhet të asksesojë në mesues.arsimi.gov.al. Afatet e aplikimit janë nga data 12-27 nëntor 2014.

 A është e nevojshme të dorëzoj dokumente të printuara përpara testimit? Ku?

 Nuk është i nevojshëm dorëzimi i dokumenteve në ketë fazë. Aplikimi është vetë-deklarim dhe, në momentin e ofrimit të vendit të punës, me paraqitjen e dokumentacionit origjinal, çdo deklarim i rremë/i ndryshëm nga formati, do të bëjë s’kualifikim të menjëhershëm të kandidatit.

 Kush ka të drejtë të aplikojë?

 Çdo individ i cili ka përfunduar studimet e larta në profilet e mësuesisë në institucionet e arsimit të lartë brenda vendit ose jashtë. Për individët që kanë përfunduar studimet e tyre jashtë kërkohet ekuivalentimi i diplomës në përputhje me dispozitat ligjore.

Çdo individ punëkërkues në zonën ku banon ose që shpreh interesin e tij për të kontribuar si vullnetar në zona të tjera të vendit.

Çdo individ i cili aktualisht është në marrëdhënie pune provizore si mësues me kontratë.

 Kur dhe si do të shpallen datat e provimeve?

 Në periudhën 27 nëntor – 1 dhjetor do të publikohen në portal në rubrikën TESTIMI:

Lista e individëve që do të marrin pjesë në testim

Kalendari i testimeve sipas DAR/ZA-ve dhe profileve

Ambientet e testimeve për çdo DAR/ZA

Testimet e kandidatëve

 Kur dhe si do të shpallen vendet vakante në arsim?

 Në rubrikën VENDE VAKANTE informacioni i përditësuar nga të gjitha DAR/ZA-të do të pasqyrohet pas datës 20 nëntor.

 Çfarë nevojitet për të patur një formular të plotësuar saktë?

 Çdo i interesuar duhet të ngarkojë gjatë plotësimit të formularit dy dokumente:

Diploma universitare e nivelit më të lartë në profilin përkatës të mësuesisë;

Dokumenti identifikues që mund të jetë Karta e identitetit ose pasaporta personale.

Një individ që dëshiron të aplikojë, duhet të tregojë kujdes në plotësimin e këtij formulari, pasi nuk ka të drejtë ta përsërisë atë pas konfirmimit të aplikimit.

 Sa herë kam mundësi të aplikoj në portal?

 Ju duhet të aplikoni vetëm një herë. Duhet të tregoheni të kujdesshëm në plotësimin e fushave. Pas konfirmimit, nuk keni më mundësi të bëni ndryshime.

 Kur do të fillojë testimi?

 Testimi do të fillojë pas datës 1 dhjetor. Kalendari i testimeve sipas profileve dhe DAR-eve do të bëhet publik në ambientet e portalit.

 Sa ditë do eë zgjasë procesi i testimit? Ku do të behet testimi dhe a kam të drejtë të zgjedh zonën e testimit, pavarësisht vendbanimit tim?

 Për fazën e parë testimi do jetë në të njëjtën ditë në gjithë DAR-et.

Testimi do të bëhet në ambientet e përcaktuara nga Drejtoritë Rajonale, të cilat do të jenë të publikuara në ambientet e portalit. Gjatë plotësimit të formularit, ju mund të zgjidhni vetë Drejtorinë Arsimore, ku doni të zhvilloni testimin.

 Duhet të dorëzoj dosje të aplikimit pranë DAR/ZA-ve?

 Po, dosja duhet të dorëzohet pas afishimit të kandidateve dhe forma e aplikimit në portal duhet të jetë pjesë e dosjes.

 Për çfarë do të testohem?

 Testimi i të gjithë kandidatëve do të jetë në përputhje me profilin e tyre. Orientimet në lidhje me testimet sipas profileve do të behën publike në ambientet e këtij portali.