Kristaq Billo: Kush merret me kualifikimin e mësuesve?

Grupi i metodave mësimore, si kallëzimi, biseda, demonstrimi, shpjegimi, diskutimi, ligjërata, mund të përdoren duke e nisur trajtimin e lëndës së re në formë problemi, çka bën që ato të marrin emrin metoda problemore, si bisedë problemore, kallëzim problemor, etj.

(Baza e kualifikimit të mësuesve janë konceptet e qarta didaktike)


Nga Kristaq Billo *
*Ish-drejtor i Kabinetit Pedagogjik Lushnjë

NOA

  1. a) Mësues empirikë apo të pakualifikuar?

Jo pak mësues japin mësim edhe pse nuk kanë kulturën e duhur pedagogjike, apo koncepte të qarta didaktike. Në këtë drejtim, atyre u vjen në ndihmë përvoja e mësuesve që kanë pasur kur ishin nxënës. Dhe kjo përvojë në kujtesën e tyre është selektive, duke imituar më të mirën. Shumë prej tyre, në këtë mënyrë, falë edhe aftësive natyrore për mësimdhënie, kanë punuar jo keq. Këta mund t’i quajmë mësues empirikë. Natyrisht, kjo nuk mjafton, sepse përndryshe mësimdhënia do të riciklohej. Në këtë drejtim ndikim ka cilësia e punës kualifikuese, e cila vazhdon shpesh në mënyrë shkollareske, pa i lidhur konceptet didaktike me problemet konkrete të punës mësimore, me të cilat përballet mësuesi. Shembuj në këtë drejtim nuk mungojnë. Në një bisedë me mësues të njohur u shfaq ideja se është tepruar me metodat e mësimdhënies, sepse, sipas tyre, ekziston vetëm një metodë – ajo e analizës, etj. Natyrisht, këtu ngatërroheshin shumë gjëra, sepse në nivelin e analizës përfshihen: metoda e sintezës, e krahasimit, e abstragimit, e përgjithësimit, e vëzhgimit, e eksperimentit – të cilat janë metoda të njohjes shkencore, si rrugë që shprehin brendinë e tekstit, ndërsa metodat mësimore ndërtohen mbi to. P.sh., për dhënien e një koncepti nevojitet analiza (metodë e njohjes shkencore), ku zbërthimi i tij mund të trajtohet nga mësuesi me anë të kallëzimit apo bisedës. Ose, për eksperimentin që lidhet me një ligj (metodë e njohjes shkencore), mësuesi përdor në orën e mësimit demonstrimin apo metodën e punës laboratorike, të cilat janë metoda mësimore. Pra, duhet bërë dallimi ndërmjet metodave të njohjes shkencore dhe metodave mësimore. Në përgjithësi, metodat e njohjes shkencore shërbejnë si ura lidhëse ndërmjet brendisë së lëndës dhe metodave mësimore që përdor mësuesi.

Grupi i metodave mësimore, si kallëzimi, biseda, demonstrimi, shpjegimi, diskutimi, ligjërata, mund të përdoren duke e nisur trajtimin e lëndës së re në formë problemi, çka bën që ato të marrin emrin metoda problemore, si bisedë problemore, kallëzim problemor, etj.

  1. b) Karakteri linear-koncentrik i teksteve dhe programeve

Në një konsultë të ngushtë specialistësh për programet e tekstet, që organizonte Ministria, u shpreh me këmbëngulje se lënda e gjuhës shqipe duhej zhvilluar në mënyrë lineare që nga fillorja, sepse po humbet shumë kohë duke përsëritur.

Natyrisht, kundërshtimi ishte i fortë. Së pari, kjo do të thotë të trajtohet një koncept pothuaj përfundimisht në një fazë të vetme. P.sh, koncepti i emrit – a mund të trajtohet në fillore me të gjitha nuancat e tij dhe me vështirësitë në rritje? Së dyti, dihet se procesi i të mësuarit, si pjesë e procesit të njohjes, zhvillohet në formë spirale, ku njohuritë rimerren gjithnjë në një shkallë më të lartë. Përsëritja, që shprehet me “rrethin” e spirales, është kërkesë e rëndësishme e të mësuarit. Është kjo arsyeja që programet dhe tekstet mësimore (përmbajtja) duhen ndërtuar sipas parimit koncentriko-linear, ku karakteri linear shpreh njohuritë e reja dhe ai koncentrik rimarrjen e tyre. Nëse hapi i linearitetit është i madh, spiralja ngjitet shpejt dhe teksti bëhet i vështirë; nëse hapi është i vogël, dominon përsëritja dhe avancimi bëhet i ngadaltë.

P.sh, për matematikën e klasës së 7-të (tekstet e viteve ’90), nxënësit shprehnin se ishte e lehtë dhe pothuajse i dinin ato që kishte teksti. Arsyeja ishte se njohuritë e reja (linearja) ishin minimizuar, aq sa veprimet mendore ishin reduktuar në ato shqisore, tipike për ciklin fillor.

Kështu, pohimi “Në një trekëndësh, përballë këndeve të barabarta ndodhen brinjë të barabarta” testohej me matje si në ciklin e ulët. Mungonte arsyetimi matematik, sepse më parë programi dhe teksti kishin shmangur temën e konkurencës së trekëndëshave. Spiralja e njohjes ishte mbingarkuar me rimarrjen (koncentriken) në dëm të linearitetit (njohurive të reja).

Pikërisht në ndryshueshmërinë e raportit ndërmjet lineares dhe koncentrikes ekziston hapësira për programe e tekste të reja. Gjetja sa më e mirë e këtij raporti është burimi për zhvillim metodik e përmbajtësor.

  1. c) Shembuj të tjerë të mungesës së kulturës didaktike

Në shkollat tona u dërgua para disa vitesh për zbatim një udhëzues për përdorimin e kartonave në orën e mësimit. Ai ishte hartuar mbi bazën e një studimi të Ministrisë, që drejtohej nga përgjegjësja e kualifikimit në shkallë vendi. Qëllimi ishte vendosja e rregullit dhe disiplinës në orë, në analogji me arbitrin në fushën e futbollit, duke përdorur ngjyrat e kartonëve.

Por, siç u shpreh vetë drejtuesja në televizion, udhëzuesi nuk po gjente zbatim në shkolla – dhe s’mund të ndodhte ndryshe. Është e qartë se klasa nuk ngjan me fushën e futbollit, po ashtu dhe afërsia mes mësuesit e nxënësve krijon marrëdhënie të tjera ndërmjet tyre. Për të vendosur rregull me kulturë pedagogjike, një mësues i vërtetë përdor shumë mënyra. Dihet sa nuanca ka një vështrim apo një fjalë e mësuesit me ndjesi, ndryshe nga ilariteti që krijon “kartoni”, edhe për arsye moshe. Mësuesia është një profesion që kërkon krijimtari; prandaj është edhe art. Këtë nuk e kishin parasysh autorët e studimit.

  1. d) Alterteksti

Si ide, alterteksti shpreh një nuancë të demokracisë në arsim, sepse përmban në vetvete konkurrencën dhe lirinë në hartimin e teksteve. Natyrisht, kjo liri nuk duhet kuptuar si absolute, sepse programi është unik (miratuar nga Ministria) dhe tekstet miratohen nga komisione të specializuara pranë saj. Por kjo liri, e shtrirë në shpërndarjen e teksteve në shkolla, siç tregoi praktika, krijon shumë probleme – çka, për matematikën, solli mohimin e saj. Gaston Mialaret, në librin “Pedagogjia e Përgjithshme”, thekson se problemi i teksteve shkollore është tepër kompleks dhe se edhe në Francë, liria e madhe në zgjedhjen e teksteve ka krijuar shqetësime pedagogjike dhe ekonomike për prindërit. Kuptohet se tek ne, ku institucionet që sigurojnë shpërndarjen e altertekstit kanë treguar dobësi, shqetësimet kanë qenë edhe më të mëdha. Duke pasur parasysh se alterteksti karakterizohet nga dy procese – miratimi i teksteve dhe shpërndarja e tyre – mendoj se rruga e konkurrencës duhet përdorur në miratimin e përmbajtjes së teksteve, sepse kjo është thelbësore, ndërsa për shpërndarjen duhet përdorur administrimi i centralizuar. Ministria e Arsimit ka treguar se ka kapacitetet për të siguruar sekretimin dhe pavarësinë e vlerësimit, pra mund të ndërtojë sistemin e duhur të konkurrencës. Për këtë do të mjaftonte:

  • Pjesëmarrja e autorëve në konkurrim të bëhet me tekst elektronik (digital) për të shmangur shpenzimet e mëdha që ka teksti fizik.
  • Të përzgjidhen deri në dy ose tre tekste që marrin më shumë pikë nga komisioni.
  • Pas përzgjedhjes, teksti më i mirë elektronik plotësohet me elementet e tjera të nevojshme për botim.

Kjo mënyrë krijon lehtësi në shpërndarje, duke bërë të mundur administrimin e centralizuar, eliminimin e ndërmjetësve privatë (dispeçerëve), uljen e çmimeve dhe rritjen e eficiencës.

Mendoj se zëvendësimi që i bëhet një grupi lëndësh duke huazuar tekste nga jashtë apo duke i monopolizuar ato, bie ndesh me parimin e konkurrencës dhe me nevojën për pasqyrim të ambientit vendas.

Kjo dukuri, për kohën e sotme, përbën një kontradiktë me nivelin e arritur dhe përvojën 50-vjeçare në hartimin e teksteve – përvojë që nuk duhet mohuar kurrë. Edhe në fillimet e saj, në vitet ’50, me tekstet e matematikës të Q. Turdiut, shokët tanë përfaqësoheshin denjësisht në testimet paraprake jashtë vendit. Edhe konkurrimi në matematikë i nxënësve 15-vjeçarë në vitet 2015 dhe 2018 në PISA, të cilët kishin studiuar me altertekstin vendas, krahasuar me vitin 2022 (kur u përdorën tekstet e monopolizuara që nisën në 2013), tregoi rënie deri në 69 pikë – një rënie shumë e madhe. Alterteksti duhej parë me më shumë seriozitet si një dukuri e kohës. Mohimi i tij ishte një mosvlerësim dhe një goditje e rëndë për mendimin pedagogjik shqiptar.

Ai, nëpërmjet gjuhës së komunikimit, jo vetëm pasuron dhe gjallëron punën në shkolla, por është edhe shtrat i sigurt për kualifikimin e mësuesve, ku autorët e teksteve do të kishin një rol kryesor.