Ndryshojnë rregullat e legalizimeve dhe pronësisë, afate të reja dhe procedura të përshpejtuara. Pengimi i kontrolleve mund të çojë në përjashtim nga legalizimi

Një projektligj i ri, i hedhur në konsultim publik, propozon ndryshime të rëndësishme në ligjin nr. 20/2020 për përfundimin e proceseve kalimtare të pronësisë, duke ndërhyrë në procedurat e legalizimit të ndërtimeve pa leje, kalimin në pronësi të tokës bujqësore, marrëdhëniet me truallin dhe trajtimin e rasteve të paligjshmërisë në vendimmarrjet e kadastrës.Një nga risitë është përshpejtimi i procedurave të legalizimit. Autoriteti i zhvillimit të territorit mund t’i kërkojë Agjencisë Shtetërore të Kadastrës përfundimin e procedurës brenda 30 ditëve, kundrejt pagesës së një tarife shtesë. Kjo mund të ndodhë si në rastet kur poseduesi ka bërë aplikim, ashtu edhe kur nuk ka një aplikim nga poseduesi.

Afate të qarta për tokën bujqësore

Sigal

Projektligji vendos një procedurë më të detajuar për kalimin pa shpërblim të tokës bujqësore në pronësi. ASHK do të hartojë listat e përdoruesve faktikë për çdo ish-kooperativë apo ish-ndërmarrje bujqësore dhe do t’ia paraqesë ato për miratim këshillit bashkiak.Në rast se kërkuesi nuk paraqitet për verifikimin në terren, do të njoftohet publikisht. Nëse brenda 30 ditëve nuk përmbush detyrimet procedurale, procedura pezullohet për 60 ditë të tjera. Nëse edhe pas këtij afati nuk ka reagim, kërkesa refuzohet.

Pengimi i kontrolleve mund të çojë në përjashtim nga legalizimi

Projektligji ashpërson pasojat për poseduesit e ndërtimeve pa leje që pengojnë punonjësit e ASHK-së të kryejnë evidentimin në terren. Nëse pengimi bëhet me veprime konkrete, ASHK mund të vendosë përjashtimin nga procesi i legalizimit.Kur poseduesi nuk identifikohet, ASHK duhet të bëjë njoftim publik brenda 10 ditëve nga evidentimi në terren. Nëse brenda 90 ditëve nga njoftimi nuk paraqitet subjekti që pretendon të drejta mbi objektin, ASHK vendos moslegalizimin dhe njofton autoritetet përgjegjëse.Një tjetër rregull i rëndësishëm është se një aplikim në ASHK nuk e konsideron automatikisht një ndërtim pa leje në proces legalizimi. Sipas ndryshimit të propozuar, kjo ndodh vetëm pasi ASHK konstaton se objekti përfshihet në fushën e zbatimit të ligjit.

Ndryshojnë rregullat për ndërtimet mbi truallin e të tretëve

Projektligji parashikon një trajtim të veçantë për objektet e banimit që ndodhen plotësisht mbi tokë private të të tretëve dhe për të cilat dokumentet e planifikimit parashikojnë ndërtime mbi gjashtë kate.Në këto raste, legalizimi mund të miratohet vetëm për objektin, ndërsa marrëdhëniet me truallin do të rregullohen përmes marrëveshjeve noteriale. Poseduesi duhet të deklarojë se pranon që, në rast zhvillimi të parcelës, sipërfaqja që do t’i vihet në dispozicion të përcaktohet me marrëveshje me pronarin e truallit ose investitorin. Në mungesë të një marrëveshjeje, parashikohet kalimi i një sipërfaqeje banimi sipas normave për familjet e pastreha.

Investitorët me shkelje evidentohen si subjekte me risk

Për ndërtimet e ngritura nga persona juridikë, ndryshimet përcaktojnë se njësitë individuale për të cilat ka kontrata me subjektin ndërtues ose investitor legalizohen në favor të poseduesve.Kur nuk ka kontratë apo aktmarrëveshje, njësia individuale legalizohet në emër të subjektit ndërtues/investitor. Në rast se ky subjekt është shuar juridikisht dhe nuk ka të drejta reale të palëve të treta të depozituara në ASHK, njësia legalizohet në favor të shtetit.Një risi tjetër është trajtimi i mosmarrëveshjeve. ASHK nuk do ta pezullojë domosdoshmërisht procedurën administrative për shkak të një konflikti ndërmjet investitorëve, poseduesve apo pronarëve të truallit. Nëse plotësohen kushtet ligjore, legalizimi mund të miratohet pa përcaktuar përfituesin dhe regjistrimi përfundimtar do të bëhet sipas vendimit gjyqësor të formës së prerë.Në të njëjtën kohë, subjektet zhvilluese ose investitore që kanë shkelur kushtet e lejes së ndërtimit apo nuk bashkëpunojnë për dokumentacionin e legalizimit do t’u përcillen autoriteteve të zhvillimit të territorit si subjekte me risk në keqmenaxhimin e territorit.

Një kapitull i ri për pronat e bashkësive fetare

Projektligji shton një kapitull të ri për kalimin në pronësi të objekteve dhe sipërfaqeve funksionale të tokës të bashkësive fetare.

Rregullat do të zbatohen për objektet e kultit, si dhe objektet me destinacion social, shëndetësor ose arsimor që lidhen me veprimtarinë e bashkësive fetare dhe që plotësojnë kriteret e përcaktuara. Një kusht është që objekti të jetë ngritur përpara 10 gushtit 1991 dhe të jetë pa titull pronësie deri në hyrjen në fuqi të ligjit.Procedura mund të nisë me kërkesë të bashkësisë fetare përmes e-Albania, kundrejt pagesës së tarifës së shërbimit, ose kryesisht nga ASHK gjatë procedurave të evidentimit dhe regjistrimit.Kur toka është pronë shtetërore dhe përdoret për objekte fetare pa qëllim fitimi, kalimi i sipërfaqes funksionale bëhet pa pagesë. Kur trualli është në pronësi të të tretëve, kalimi i pronësisë së objektit bëhet sipas procedurave të përcaktuara, ndërsa marrëdhëniet me tokën lidhen me kompensimin e pronarit joposedues.

ASHK merr kompetenca për të korrigjuar akte të paligjshme

Një nga ndryshimet më të rëndësishme lidhet me aktet administrative të pronësisë të nxjerra në kundërshtim me ligjin.Kur paligjshmëria konstatohet brenda afateve ligjore dhe pasuria ende është në pronësi të përfituesit, strukturat përgjegjëse të ASHK-së mund të shfuqizojnë, anulojnë ose konstatojnë pavlefshmërinë absolute të aktit. Në rast ankimi, zbatimi pezullohet deri në vendimmarrjen përfundimtare administrative dhe mbi pasuri vendoset kufizim për të ndaluar veprimet mbi të.Nëse paligjshmëria zbulohet pas afatit ligjor ose prona ka kaluar te të tretët, çështja i përcillet Avokaturës së Shtetit ose subjektit të legjitimuar për ndjekje gjyqësore. Në këto raste, vendimi i ASHK-së nuk prodhon efekt përfundimtar pa u shqyrtuar mosmarrëveshja nga gjykata.Ndryshimet prekin edhe kompensimet. Kur një vendim kompensimi është nxjerrë mbi bazën e një legalizimi të paligjshëm, ekzekutimi i kompensimit pezullohet. Nëse kompensimi është paguar, prona private mund t’u rikthehet pronarëve vetëm pasi të kthehet shuma e marrë si kompensim. Deri atëherë, mbi pasuri regjistrohet hipoteka ligjore.