Rreth 6 mijë mësues janë prekur nga ulja e pagës pas hyrjes në fuqi të VKM-së 425 të qershorit 2024, për shkak të zhvlerësimit të diplomave. Sindikata e Pavarur e Arsimit e cilëson vendimin të padrejtë për mësuesit që ishin pjesë e sistemit para këtij vendimi dhe kërkon korrigjimin e situatës përmes një VKM-je të re. Me hyrjen në fuqi të Vendimit të Këshillit të Ministrave nr. 425, datë 26 qershor 2024, një kategori mësuesish është përballur me ulje page për shkak të ndryshimit të grupit të pagës për vlerësimin e diplomës. Sipas Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë, vendimi ka prekur mësues që kanë qenë pjesë e sistemit përpara hyrjes në fuqi të VKM-së, duke cënuar statusin dhe të drejtat e fituara prej tyre ndër vite. Për këtë çështje janë zhvilluar disa takime me Ministrinë e Arsimit, ku është pranuar se zhvlerësimi i diplomave për këtë kategori është bërë gabim. Megjithatë, zgjidhja ende nuk është formalizuar, ndërsa sindikatat vijojne te kërkojnë ndërhyrje Sipas presidentit të Sindikatës së Pavarur të Arsimit të Shqipërisë Nevrus Kaptelli zhvlerësimi i diplomave nuk duhej të kishte ndikim financiar për mësuesit, që tashmë ishin në sistem, ndërsa problematika prek rreth 6 mijë mësues në të gjithë vendin. Ndërkohë, çështja është dërguar në Gjykatën Kushtetuese nga një shoqatë, ndërsa sindikatat u bëjnë thirrje mësuesve të mos bien pre e keqinformimeve dhe premtimeve të rreme.


















