Prof. Petrit Malaj: Shans të dytë për kandidatët cilësorë, që nuk fitojnë me konkurs

483
Sigal

Konkursi/ Flet Prof. Petrit Malaj, Rektori i Arteve: 222 kuota për 337 kandidatë. Në datën 7 shpallen rezultatet e konkursit

 Sipas përvojave të mëparshme, asnjëherë në Universitetin e Arteve nuk janë përmbushur të gjitha kuotat e miratuara, kjo për shkak të mungesës së cilësisë së kandidatëve në konkurs. Rialokimi i këtyre kuotave të ngelura në një degë të caktuar mund të bëjë fatlum ata kandidatë, që edhe pse të talentuar, nuk janë futur për shkak të kuotave të pakta në një tjetër program studimi. Këtë e bën të ditur në një intervistë për “Telegraf”, Rektori i Universiteteve të Arteve në Tiranë, prof. Petrit Malaj. Ndërsa përzgjedhja e kuotave të rialokuara, sipas prof. Malaj bëhet nga fakultetet, në bazë të cilësisë së paraqitjes së kandidatëve dhe pikëve që ata kanë marrë në konkursin e pranimit.

 Profesor, nesër, në 5 shtator është dita e fundit e konkurseve sipas degëve përkatëse në Universitetin e Arteve? Si ka vijuar ky proces?

Bazuar në udhëzimin e Ministrisë së Arsimit dhe Sporteve, ashtu si dhe në disa universitete të tjera publike në datën 1 shtator filloi konkursi për studentët e rinj të vitit akademik 2014-2015. Për gjithçka ka të bëjë me konkursin, tashmë, Universiteti i Arteve ka një traditë dhe përvojë, por jo vetëm kaq. Unë mendoj që gjithçka është bërë në kohën e duhur, qoftë nga Senati i universitetit me vendime të posaçme përsa i takon konkursit, miratimit të kritereve nëpër fakultete dhe më pas në Senat, me miratimin e rregulloreve, të cilat, jo vetëm që janë dërguar në MAS, por kanë parë jehonën e tyre dhe në faqen tonë të uebit. Unë dua të them që faqja jonë zyrtare është e pasur me çdo informacion që ka të bëjë me jetën studentore, aq më tepër me një moment kaq të rëndësishëm për shkollën tonë, siç është konkursi i pranimit të studentëve. Them që është shumë i rëndësishëm, sepse këtu kemi të bëjmë jo vetëm me përzgjedhjen e atyre që do të ndjekin studimet në Universitetin Arteve për 3 vite me radhë për diplomën “Bachelor”, por e rëndësishme dhe për faktin se do të përzgjidhet pjesa më e mirë e atyre kandidatëve që aspirojnë vërtetë të jenë artistët e ardhshëm në Shqipëri. Në këtë sens, i është dhënë rëndësi e veçantë çdo momenti që ka të bëjë me konkursin, por sidomos në fakultete përkatëse të Universitetit të Arteve me gatishmërinë e infrastrukturës dhe, nga ana tjetër, me përgjegjësinë e madhe që kanë pedagogët e mi kolegë, anëtarë të komisioneve të pranimit. Lidhur me mënyrën e organizimit, ne kemi ndjekur të gjitha procedurat që ushtrohen në këtë rast në bazë të udhëzimit të MAS dhe nga ana tjetër dhe një urdhri që nxjerr rektori i universitetit, apo dhe gjithçka tjetër që ka të bëjë me drejtimin e një fakulteti, ku dekanët përkatës shprehin përgjegjësinë e madhe për këtë moment, për të cilën e cilësova dhe më lart, shumë të rëndësishëm. Kam kërkuar me forcë nga dekanët e fakulteteve që të bëjmë kujdesin e duhur në përzgjedhjen e anëtarëve të komisionit, por që, pa dyshim, kam gjetur mbështetjen e tyre dhe në mendimin tim anëtarët e komisioneve janë të gjithë specialistë të mirëfilltë, artistë me zë të fuqishëm në skenën apo në ambientet tona artistike dhe jo vetëm shqiptare. Në këtë sens, unë mendoj se përzgjedhja do të jetë cilësore, mendoj se gjithçka do të rrjedhë normalisht deri në fund dhe do ta mbyllim me sukses këtë moment të parë të fillimit të vitit të ri akademik, i parë vërtetë, por bërë me shumë peshë për vazhdimin e vitit ashtu siç duhet.

 Nisur nga eksperiencat e viteve të kaluara si paraqitet cilësia e studentëve, përsa i takon njohurive të përgjithshme, pasi dimë që 70 % e pikëve është talent, ama 30 % është formim i përgjithshëm. A është raporti i duhur ky dhe a kanë studentët formimin e duhur?

Ne kemi këmbëngulur fort prej disa vitesh me Ministrinë e Arsimit, pasi kemi menduar që pesha kryesore duhet të jetë në drejtimin artistik, por, personalisht, i mëshoj fort dhe idesë tjetër që edhe formimi i përgjithshëm studentor është një moment tjetër që duhet parë me shumë rëndësi nga ana jonë. Unë mendoj që kjo ndarje është në parametrat e duhur dhe shpreh më së miri peshën e madhe që zë drejtimi artistik me formimin e përgjithshëm të këtij studenti. Por dua të vazhdoj më tej. Në rregulloret përkatëse të konkurseve në fakultetet e Universitetit të Arteve, edhe brenda këtij 70 %-shi ne kemi disa momente që flet për formimin, jo vetëm të drejtimit të ngushtë artistik të kandidatit, por edhe për një formim të anës teorike të asaj se çfarë ka bërë kandidati në shkollën e mesme. Ne, në fakt, nga Fakulteti i Muzikës kam vënë re që nuk ka pasur një entuziazëm të madh , edhe nga vitet e tjera, për cilësinë që paraqesin studentët përsa i takon disa lëndëve si Solfezhi dhe Harmonia. Nuk e di për sivjet, pasi do të presim rezultatet dhe do të shprehemi edhe për këtë gjë. Për shembull, në Fakultetin e Muzikës nga 240 pikë maksimale që merr një student, 60 prej këtyre i përkasin formimit teorik dhe ky brenda speciales sepse flitet për Solfezhin dhe teorinë dhe 180 pikë të tjera janë maksimalja që studenti mund të marrë para komisionit të pranimit me specialistët përkatës, pra, në drejtimin artistik që ai vjen, pra për Piano, Kanto, Violinë e instrumente të tjera. Edhe në fakultete të tjera ka një peshë të përcaktuar, me vendim të këshillit të fakulteteve, formimi teorik. Pra, ne e matim këtë student, jo vetëm me atë që ka ardhur nga Matura Shtetërore, por komisionet kanë të drejtë që të përballen me secilin prej tyre me pyetje të ndryshme, përsa i takon Teorisë së Artit, Historisë së Teatrit, porsa i takon elementëve të ndryshme që kanë të bëjnë me edukimin teatror, apo me edukimin në artet pamore dhe e gjitha kjo bëhet nga çdonjeri prej anëtarëve të komisionit me kandidatin kur ai mbron dhe punët e tij përballë komisionit.

 Sa kandidatë janë regjistruar për konkurs, krahasuar këtë edhe me kuotat e miratuara nga MAS?

Po janë rreth 337 kandidatë që kandidojnë në Universitetin e Arteve në programe të ndryshme të studimit, ndërsa kuotat e miratuara nga MAS janë 222. Dua të theksoj këtu, se kemi kuota të miratuara edhe për studentët e trojeve nga Kosova, Mali i Zi, Maqedonia, edhe nga Presheva e Bujanovski, të cilët konkurrojnë si gjithë të tjerët, por kuotat i kanë në mes tyre. Pra nëse janë dy kuota në një program studimi, aty mund të regjistrohen 4 kandidatë, ato dy kuota janë vetëm për kandidatët nga Kosova dhe nuk janë të përfshirë në kuotat brenda vendit.

 Pra, sipas numrave, duket se probabiliteti është i madh për të fituar…

Ka probabilitet, ka programe studimi që ka më pak kandidatë se kuota, por unë mund t’ju them një gjë. Ne këtë praktikë kemi ndjekur dhe në vitet e kaluara. Për shembull, në një program studimi ne mund të kemi 10 kuota të miratuara me VKM dhe kandidatë mund të jenë 8 apo 9. Nuk është e thënë, absolutisht, dhe e them me plotë gojën, që këta mund të hyjnë automatikisht. Ne kemi dhënë prova për këtë gjë, kur vitin e kaluar apo në vitet e tjera nuk i kemi përmbushur kuotat si rezultat i mungesës së cilësisë së kandidatëve. Në princip kam gjetur një bashkëpunim pozitiv me të tre fakultetet, me dekanët apo me komisionet tona, sepse ne në fund të fundit duam të zgjedhim cilësinë, ne duam të zgjedhim studentët më të mirë, nuk duam që edhe një kandidat i vetëm, i cili mund të aspirojë brenda vetes së tij, por që nuk ka të dhëna për fushën e caktuar, të jetë studenti ynë. S’kemi pse, më pas, të vemë në dyshim cilësinë e shkollës për një kandidat, për dy apo për tre. Pra, kjo është e prerë. Ne kemi disa programe studimi edhe sivjet, ku ka më pak kandidatë se kuota, por kjo nuk do të thotë që ata janë të sigurt; mund të hyjnë më pak, mund të hyjnë gjysma, mund të hyjnë të gjithë siç mund të mos hyjë dhe asnjë. Varet nga ajo se çka ata paraqesin.

 Po me kuotat që ngelen pa u plotësuar, çfarë ndodh?

Ka një udhëzim të posaçëm të MAS për kuotat që ngelen. Më pas i dërgojmë në ministri dhe në bazë të këtij udhëzimi bëjmë dhe kërkesat tona për një rialokim të mundshëm të kuotave që kanë ngelur nga programe të ndryshme studimi. Nuk do të thotë që ajo kuotë mund të shkojë në atë program studimi, mund të shkojë dhe në një program tjetër studimi. Kjo përzgjidhet nga fakultetet në bazë të cilësisë së paraqitjes së kandidatëve dhe pikëve që ata kanë marrë në konkursin e pranimit. Pra, vitet e kaluara, por edhe sivjet, udhëzimi parashikon se mund të ketë një rialokim të kuotave të cilat do të ngelin pa u shfrytëzuar në raundin e konkursit.

 Pra mund të kemi një fatlum, i cili nuk fiton nëpërmjet konkursit, por fiton në një fazë të dytë…

Do ta quaja fatlum atë që është paraqitur mirë dhe nuk ka mundur të hyjë në ato 2 apo 3 kuota që kanë qenë, por ka dalë i treti apo i katërti. Pa dyshim që ai mund të jetë fatlum dhe mund ta meritojë, por për hir të kuotave nuk hyn dot. Kështu që, pse jo, me një rialokim të mundshëm, mundet të shikohet që ai të jetë student i shkollës.

Përzgjedhja e fituesve dhe afatet

 Në përfundim të konkursit në Universitetin e Arteve është specifikuar në urdhrin që rektori ka nxjerrë për konkurset e pranimit për këtë vit akademik, që sekretaritë e fakulteteve hedhin të gjithë të dhënat me rezultatet përkatëse në portalin e Maturës Shtetërore, sipas një udhëzimi teknik të AKP-së që është shpërndarë në sekretaritë e fakulteteve. Më pas, dekanët firmosin listat me pikët përkatëse të secilit kandidat në vende të dukshme në fakultetet përkatëse të Universitetit të Arteve. Po ashtu kjo gjë do të bëhet e mundshme, pra, pikët përkatëse të marra në konkurs për secilin kandidat shpallen në faqen ueb, 2 ditë pas përfundimit të konkursit. Pra, rreth datës 7 çdo gjë do të qartësohet.

Ledjana Saliu