Shteti, nga piktor të kthen në vrasës!

2847
Sigal

KOMUNA GOLEM/ Pronat, konflikt me armë tek mali i Robit, vriten 2 persona, plagosen nënë e bir

Një konflikt pronësie për një sipërfaqe prej 1.5 hektarë, që zanafillën e ka prej më shumë se 8 vjet më parë, e për të cilin Gjykata e Tiranës nuk ka dhënë asnjë vendim, ka përfunduar në një tragjedi të tmerrshme, me bilanc 2 të vdekur dhe 2 dy plagosur. Konkretisht pas plumbave të derdhur nga një kallashnikov, i vdekur ka mbetur 53-vjeçari Sulejman Shehu dhe të plagosur në gjendje të rëndë për jetën bashkëshortja e tij, Beglije dhe djali Erjoni. I mbetur i vdekur në vend ka mbetur edhe roja i sigurisë së kompleksit turistik, Durim Pashollari. Ngjarja, e cila ka ndodhur në mesditë në mes të zonës së plazhit në kufi me resortin e madh turistik, pranë çadrave, ku pushonin pushues të moshave të ndryshme nga Kosova, Maqedonia dhe vendi ka tmerruar pushuesit që në plazh lanë edhe sendet personale duke ikur me vrap në pyllin me pisha të kësaj zone që gjendet tek mali i Robit, në vijën e verdhë të Komunës së Golemit. Të shtënat e armëve midis të dy palëve kanë tmerruar pushuesit dhe në gjendje paniku janë larguar nga plazhi.

Prona ishte njohur nga ZRPP për dy pronarë të ndryshëm

Familja Tragaj, e cila njihet në Durrës, si një familje e vjetër vendalie, ka blerë pronën prej 1.5 hektarë në këto vite, pronë, e cila u uzurpua më vonë nga familja Shehu. Të mërkurën në mëngjes Tragaj kishte shkuar të sqaronte palën tjetër për të liruar pronën, për të cilën është hapur edhe gjyqi në Shkallën e Parë të Gjykatës në Tiranë, por familja Shehu më e shumtë në numër, ku sipas dëshmitarëve ishin 4 persona, tre meshkuj dhe një grua, kanë dhunuar autorin duke e rrahur dhe qëlluar me tytën e një pistolete në kokë. Nga pushuesit që kanë qenë dëshmitarë në vendngjarje mësuam se pasi e kishin rrahur Tragaj ishte kthyer pak minuta më vonë me një armë zjarri dhe ka qëlluar duke lënë të vdekur në vend dy persona dhe të plagosur në gjendje të rëndë bashkëshorten Beglie dhe djalin Erjon të Sulejman Shehut, me të cilin konfliktet për pronën ishin thelluar prej disa vitesh.

Policia

Pak minuta më pas, policia shpalli si të dyshuar autor të ngjarjes së rëndë Ardian Tragajn, lajm, i cili ka shkaktuar habi të madhe tek të gjithë qytetarët e Durrësit, të cilët e njohin Tragajn, si një piktor të njohur dhe fitues të shumë çmimeve ndërkombëtare në dhjetëra ekspozita të hapura jashtë vendit, por edhe si një njeri të qetë. Gjithashtu, policia ka arrestuar edhe dy djemtë e viktimës Sulejman Shehu, ku në automjetin e njërit prej tyre është gjetur një armë pa leje dhe një kapele policie. Autori i dyshuar është shpallur në kërkim, ndërsa për jetën po lufton djali i viktimës Erjon Shehu, në spitalin e Durrësit. Inspektorë, prokurorë dhe forca të shumta kanë mbërritur në vendngjarje, të cilët po punojnë për zbardhjen e ngjarjes. Ndërkohë, policia ka ngritur postblloqe të shumta, pasi dyshohet për persona të tjerë të përfshirë në konflikt. Nga kronologjia dhe hetimet e ngjarjes, rezulton se fillimisht konflikti ka nisur ndërmjet shtetasve Durim Pashallari, roje i objektit, ku ndodhi ngjarja (objekt, i cili është në pronësi të shtetasit Ardian Traga) dhe Sulejman Shehu, punonjës i një Shoqërie të Ruajtjes dhe Sigurisë Fizike në Tiranë. Ndërkohë, në këtë konflikt janë përfshirë edhe shtetasit Erjon dhe Begle Shehu (kjo e fundit bashkëshortja e Sulejman Shehut), vëllezërit Ardian, Emiljano dhe Erjon Traga, si dhe dy djemtë e Sulejman Shehut, aktualisht të ndaluar nga Policia. Konflikti ka përfunduar me të shtëna armësh dhe me pasoja sa sipër.

Detajet rrëqethëse

“Telegraf”, komunikoi me familjarët e autorit të dyshuar të ngjarjes Ardian Tragës, të cilët kanë zbuluar detajet rrëqethëse të kësaj kronike, e cila zanafillën e ka në vitet 2004 -2005. Familja e piktorit Tragaj, i cili ka qenë edhe anëtar i Këshillit Bashkiak të Durrësit, ndërsa vëllai i tij një ekonomist që jeton në SHBA, ish- kandidat për deputet në zgjedhjet e 2005-s, disponojnë dokumentet e pronësisë së truallit. Ata shprehen se këtë sipërfaqe e kanë blerë dhe kanë certifikatat e pronësisë, por që pak vite më vonë kjo sipërfaqe u zaptua nga familja Shehu, e cila edhe kjo e fundit pretendon pronësinë e truallit që gjendet në zonën bregdetare. Familjarët e Tragës tregojnë se vetëm për tre muajt e fundit u janë çuar kërkesa dhe ankesa zyrtare të gjithë institucioneve më të larta të shtetit, pasi këtë gjë e kishin bërë në institucionet lokale, që prej Inspektoratit Ndërtimor, policisë, gjykatës, Komunës së Golemit, etj.. Një letër së fundi i është dërguar edhe Kryeministrit Sali Berisha, ku i kërkohej të ndërhynte, në të kundërt pasojat mund të ishin tragjike. Familjarët e Tragajt, i kanë shkruar kryeministrit duke e vënë në dijeni për të gjithë situatën dhe për mos ndërhyrjen e asnjë prej institucioneve shtetërore në zgjidhjen e konfliktit. Ata shprehen se, policia mund të parandalonte këtë krim, ashtu si edhe institucionet e tjera përgjegjëse. Policia e kësaj zone ka qenë në dijeni për konfliktin prej disa muajsh, i cili kishte nisur për një urë, e cila ishte ndërtuar nga Tragaj.