Suplementi Pena Shqiptare/ Luan Rama: Njerëzit janë si pemët

« Njerëzit janë si pemët », – tha ajo
dhe u mblodh kruspull në divanin e trishtë
ngjyrë okër,
Ç’stinë jemi? – vazhdoi ajo,

Kam kohë që ëndërroj,
nënën time pres, vdekur shumë kohë më parë…
“Po, njerëzit janë si pemët, miku im »
dhe një re e bardhë mu duk se shkonte

NOA

në hapësirat bosh të syve të saj,
e ajo mblidhej e mblidhej akoma më kruspull
si të ishte në barkun e nënës.
« Sa është ora ?… Lermë, në ag mos më zgjo. »

« Po, i thashë, ne jemi si pemët,
burri është ai farëmbjellësi i lashtë
i tablosë së Selenicasit
që përshkëndrit nga ajo dorë

që tutje farën hedh me forcë
dhe brazda hapet vetiu nga afshi,
nën shiun e nxehtë ngrihen avujt e dëshirës,
farëmbjellësi endet si në Kashtën e Kumtrit

të spërkasë madje dhe qiejt e botës.
Filizat poshtë shpërthejnë e harlisen me diell
mbartin ngazëllim e dehen
në freskun e mëngjezit

ngado aroma okër,
është koha e ngjizmës dhe krijimit të së gjelbërtës,
pemët flasin, bulëzojnë në të kuqe
dhe degëzat shtriqen në qiell,

përgjumen e zgjohen, duke mbartur ëndrra fëmijësh
dhe kurme të dashuruarish,
pastaj që larg, vonë vijnë stuhitë,
stinët ndërrohen,

pemët nisin e kërrusen si pleqtë,
krahë që thyhen plot zhurmë,
e hirta zëvendëson të gjelbërtën,
qilime shtruar në të verdhë veneciane,

e kuqja si gjaku nxiton
dhe nxihet çuditërisht,
ndërsa ajo grua e mbledhur strukur
kushedi ç’ëndërron,

vallë nesër do të zgjohet?
Vallë pret natën apo agun e mëngjesit?
Një psherëtimë e thellë qëndron pezull
në kohën pa kohë,

tutje ndërkohë, në agun që shfaqet,
silueta e farëmbjellësit hedh hapa të mëdha
si në një tablo të shndritur të Van Gogh,

ai spërkat brazdat që hapen vetiu
gjith dëshirë nën qiej homerikë.
“Njerëzit janë si pemët”, kishte thënë ajo…