Vangjush Saro: Çështjet tona, si teatër….

550
Sigal

Është e vështirë të përcjellësh në publik ndonjë propozim konkret lidhur me atë që po ndodh sërish me Teatrin Kombëtar, çështje që është vënë disa herë në fokusin e medieve dhe të opinionit publik në tërësi. Por është e pamundur të rrish indiferent, ndërkohë që një pjesë e mirë e komunitetit të artistëve dhe shkrimtarëve, midis të cilëve shumë miq e kolegë, janë tejet të shqetësuar, të irrituar, shkojnë deri atje sa e riemërojnë teatrin; ndërsa shteti e ka çemëruar atë më parë, natën…

Si e thashë këtë? Natën… Pas tre dekadash në një rend të ri, ndërsa vendi përjeton gjithnjë përplasje të rënda njerëzore, politike, ideologjike e teknike, nuk di çfarë të mendosh më për këto çështjet tona të pazgjidhura. Ato janë shndërruar edhe vetë në njëlloj teatri. Por në këtë gjini të artit, njihen disa lloje: Pjesa që luhet e shfaqet mund të jetë dramë, mund të jetë tragjedi, por mund të jetë edhe komedi; madje mund të vijë edhe në sojin mediokër, të lehtë e larg pretendimeve dhe vizionit më të kthjellët artistik, që do të thotë… FARSË.

Duke ndjekur çështjet tona si teatër, është e lehtë të thuash cilin lloj kemi përzgjedhur ne: Është pikërisht farsa. E them këtë, pasi gjendemi herët në një kakofoni në lidhje me të shkuarën dhe trajtimin e saj në të gjitha dimensionet; këtë kakofoni e kemi krijuar vetë,

duke mos biseduar, por duke u sharë kohë e pa kohë,

duke i shkulur njëri-tjetrit flokët e bindjet ,

duke u përpjekur (sekush më vete a në klane) të përfitojmë ç’të mundemi nga këto përleshja groteske.

Po përpiqem t’i afrohem edhe më së vërtetës, që është mjaft e brishtë. Kam dëgjuar dikur piktorin Maks Velo, për vuajtjet dhe artin e të cilit kam nderim, të shajë filmat e ish-Kinostudios “Shqipëria e re”; por ndërkohë, po ai, ka mbrojtur basorelievin te Muzeu Kombëtar dhe, po ashtu, krijimtarinë e I. Kadaresë. (Kujtoj që shumica e veprave të këtij autori – ndër më të njohurit e më të rëndësishmit në kohëra – gjithashtu janë ekranizuar dhe vënë në teatër: “Gjenerali i ushtrisë së vdekur”, “Nëntori i një kryeqyteti” (si film “Radiostacioni”) “Dimri i madh” (si film “Ballë për ballë”) “Emblema e dikurshme” etj.) Siç shihet, ka një mospërputhje që, në dukje, është e cekët, por sa vjen thellohet, për sa kohë nuk i drejtojmë dot siç duhet argumentet tona. Për më tepër, kjo mospërputhje është e shtrirë në shumë plane, në breza, mentalitete, politika, programe dhe përbën thelbin e çështjeve tona pezull, për të cilat thamë se vijnë si teatër, por në llojin e farsës…

Kështu, mund të pyesim se, ç’lidhje ka një traditë e caktuar në art, letërsi, teatër, film, etj., me ndërtesën ku është zhvilluar aktiviteti në fjalë. Po të marrësh artin e kohës tjetër si krijimtari në vetvete, çfarëdo qoftë, produkt i teatrit, estradës, kinostudios, etj., shumëkujt i ka pëlqyer dhe i pëlqen ta shkelë atë me këmbë, ta quajë ashtu dhe kështu, të përpiqet madje ta ndalojë, ta mbajë sa më larg njerëzve; edhe pse është vërtetuar që kjo bën efektin e kundërt.

Në teatër, krahas shumë pjesëve që i qëndruan kohës, madje edhe nga autorë të huaj, rëndom janë shfaqur drama ‘komuniste’, që nga “Familja e peshkatarit” te “Cuca e maleve” etj. Bie fjala, te “Cuca e maleve” flitet për përplasjen mes rendit të ri dhe atyre që nuk e donin atë dhe që krijuan ‘Komitetin e Maleve’ e sot janë dekoruar. Në atë shfaqje, prifti vjen i zi sterrë, kurse në ditët e sotme po trajtohet si i persekutuar, si hero; edhe pse shumëkush thotë që një pjesë e këtyre fetarëve kanë qëndruar kundër partizanëve e kundër rendit të ri deri edhe me pushkë në dorë, çka nuk e lejonte besimi i tyre. Ndërkaq, lihet mënjanë fakti që edhe përfshirja e të rinjve, edhe e vajzave në ato ndryshime që po ndodhnin e për të cilat disa edhe u flijuan, e gjithë kjo, pra, ishte pjesë e një përplasjeje të pashmangshme. E njëjta gjë mund të thuhet për brendinë e shumicës së filmave të Kinostudios, për shumicën e letërsisë së botuar, për pjesët me humor pozitiv të Teatrit të Estradës, ku, bie fjala, përqeshen teprimet në dasma, e shumta stigmatizohej ndonjë përgjegjës ‘burokrat’ etj.

Nga njëra anë, bëjmë sikur nuk i ‘duam’ ato çka trashëguam nga koha tjetër, madje shpesh nuk qasemi as për ndonjë dallim a përzgjedhje; kurse nga ana tjetër i trajtojmë këto institucione si tabu, sidomos teatrin. Kur u mbyllën estradat, Lidhja e Shkrimtarëve dhe kur ish-Kinostudio u bë lesh arapi, nuk pati kaq zhurmë. Veças çështja e qytezës së parë (dhe të fundit) të filmit shqiptar, ‘nuk u luajt’ në asnjë lloj zhanri… Madje tani vonë dolën edhe mendja të çartura që donin të na imponoheshin për t’i ndaluar e zhdukur filmat. Edhe kur na e morën Lidhjen e Shkrimtarëve, prapë as edhe një farsë nuk u luajt… Edhe në këtë gjini, pati dhe ka ende zëra që të shurdhojnë se (të gjitha) librat e botuar në atë kohë, janë ‘komunistë’, duhen djegur… Dhe nuk doli askush të kërkonte mosprishjen e tabusë. (Madje as ata që komuniteti i shkrimtarëve dhe artistëve i ka përkëdhelur tërë jetën, i dërgonin edhe jashtë shtetit, i përkthenin dhe i botonin (falas) në gjuhë të huaja, iu jepnin Çmimet e Republikës dhe iu siguronin strehimin më komod për kohën.

Gjithsesi, këto institucione duheshin trajtuar njësoj, çka nuk do të thotë se ajo që nuk u bë për Estradën, ish-Kinostudion dhe Lidhjen e Shkrimtarëve, nuk duhet të bëhet as edhe për Teatrin Kombëtar. Jo! Ato ishin, janë (aq sa ka mbetur prej tyre) pjesë e një kulture dhe tradite që nuk mund të merret nëpër këmbë nga askush, qoftë edhe në emër të ‘përparimit’ e të ‘modernizmit’. Kryeministri i sotëm, kur ishte Ministër i Kulturës dhe Kryetar i Bashkisë, fliste për ‘kthimin në identitet’ të qendrës së Tiranës. E dimë se ç’iu bë dhe ç’po i bëhet kësaj qendre; dhe se mos vetëm asaj.

Tani, këta që po mbahen pas termave ‘zhvillim’ e ‘modernizim’ e hanë fjalën, s’e kanë për gjë. Nuk e kanë për gjë të prishin kinematë, teatrot, Kinostudion, etj., institucione dhe godina që mund të silleshin me sens në zhvillimet e sotme të një qyteti në rritje si Tirana. Këtyre s’iu bëhet vonë se iu fakton gafat dhe marrëzitë e teksteve (të miqve a puthadorëve të tyre) dhe iu kërkon të thirren ekspertët dhe shkrimtarët e të respektohet hierarkia e këtij komuniteti në krijimin e asaj që na e quajnë (shikoni ç’fjalë e frikshme) ‘kurrikula’ dhe që më krijon imazhin e ndonjë shpendi grifshë e të shëmtuar…

Ani. Le të kthehemi te ato institucione që, siç thamë, janë pjesë e historisë, traditës; ato kanë shumë për të treguar: për jetën, vuajtjet, teprimet, censurat, përqafimet ideologjike; (sepse një shumicë e atyre veprave, siç shpjeguam më lart, kanë përqafuar ideologjinë dhe detyrimet e kohës). Pra, me ato ente nuk mund të sillemi pa përgjegjësi dhe ca më pak, mbi to nuk duhet të abuzojmë, siç është bërë së paku me ish-Kinostudion dhe po tentohet të bëhet me Teatrin Kombëtar. Shumëkatëshet e pasanikëve dhe të shtetarëve nuk mund të na hedhin hi syve e të na sillen si ‘zhvillim’.

Por nga ana tjetër, pyetja që ngrihet është: Si mbrohen ato ente, në ç’masë, me ç’vendime dhe nga kush?… Pikërisht kjo gjë, institucionaliteti, është termi a logjika që mungon në këtë histori, në të gjitha këto histori; me më shumë fjalë, për to dhe për shumë çështje të tjera pezull, duhet të dimë kujt i takon të vendosë. Nuk vihet në dyshim roli i artistëve, i qytetarëve etj. Pyetja, që përsëritet, është: Kujt i takon, me ligj, të marrë vendime për to? Kuvendit? Qeverisë qendrore? Asaj vendore? Presidencës? Akademive? Kujt i ka përkitur mbrojtja e Romës, Parisit, Amsterdamit? E kanë bërë këtë qeveritë qendrore, ato vendore, komuniteti i artistëve, qytetarët, akademitë e këtyre vendeve apo thjesht kultura e institucionalitetit?

Këtë duhet të zgjidhim ne edhe në këtë rast dhe, këtu, kam ikur nga ironia dhe aludimet për llojet teatrale. Pyetjet nuk janë më teatër. Dhe ato s’mund të presin pa fund justifikimet e pushtetarëve, në këtë rast kreut të Qeverisë dhe atij të Bashkisë, jo pak të përgojuar në çështje përfitimesh dhe abuzimesh e bashkëpunimi me ‘të fortët’ dhe pasanikët; që s’i tregojnë këmbët asnjëherë, por tregojnë ligje e vendime (si ai i Kuvendit për Teatrin) që gjithashtu, mund të jenë abuzivë e, me sa duket, kështu janë; prandaj edhe ndonjë punë bëhet natën, kurse llogaria kërkohet ditën…