Trajtimi i “abuzimeve” nga Frontex ngre pikëpyetje për zgjerimin në Ballkan

610
Sigal

Trajtimi i “abuzimeve” nga Frontex ngre pikëpyetje për zgjerimin në Ballkan

Ndërsa Frontex, agjencia kufitare e BE-së, përgatitet të zgjerojë operacionet e saj në Ballkanin Perëndimor, dokumente të brendshme zbulojnë se zyrtarët e lartë të saj shpërfillin vazhdimisht provat për abuzim të azilkërkuesve në kufirin hungarezo-serb.

Rojet e kufirit ishin hungareze, por oficeri me qen ishte finlandez. Së bashku, në mes të errësirës së natës, ata po ndiqnin “emigrantë ilegalë” diku pranë kufirit jugor të Hungarisë me Serbinë.

Oficeri me qen ishte atje si anëtar i Frontex, agjencia kufitare e BE-së. Operacione të tilla të përbashkëta ishin bërë të zakonshme në vazhdën e krizës së refugjatëve dhe emigrantëve që prekën për herë të parë Europën në vitin 2015.

Papritur, dikush doli nga shkurret.

“Qeni reagoi duke kafshuar, që është një reagim normal mbrojtës për qentë e shërbimit”, thuhet në një raport të brendshëm të Frontex të paraqitur menjëherë pas incidentit të 11 tetorit 2016.

Sulmi i qenve është një shembull i gjallë i asaj që grupet e të drejtave thonë se është një model i ndihmës dhe forcimit të taktikave të rënda të autoriteteve hungareze që patrullojnë nënnjë kufi të rëndësishëm të BE-së.

Dokumentet e brendshme të shqyrtuara nga BIRN tregojnë se kreu i Frontex refuzoi një rekomandim në vitin 2016 për të pezulluar operacionet në kufirin hungarezo-serb, në mes të shqetësimeve për bashkëpunimin në shkeljet e të drejtave nga oficerët hungarezë.

Ndër aktet e raportuara të brutalitetit: përdorimi i shkopinjve të gomës, gazi lotsjellës dhe spraji me piper për azilkërkuesit – përfshirë fëmijët – dhe “shtytjet” e dhunshme të refugjatëve dhe emigrantëve në veri të Serbisë.

Ndërkohë, ndërsa Frontex zgjeron praninë e tij në vendet jo anëtare të BE-së në Europën Juglindore, kritikët thonë se marrëveshjet midis agjencisë dhe qeverive të Ballkanit Perëndimor do të lejojnë stafin e Frontex të operojë me një nivel shqetësues mosndëshkimi për çdo shkelje të kryer nga ana e tyre.

Ata thonë se marrëveshjet tregojnë shumë rreth shkallës së llogaridhënies dhe transparencës që lidhet me veprimet e një prej agjencive me rritje më të shpejtë të Bashkimit Europian.

Çështje bashkëpunimi

I njohur zyrtarisht si Agjencia Europiane e Rojeve Kufitare dhe Bregdetare, Frontex u krijua në vitin 2006 për të koordinuar kontrollin e kufijve të jashtëm të BE-së nga vendet anëtare.

Në më shumë se një dekadë, ekspertët thonë se Frontex është rritur duke u bërë një nga agjencitë më të fuqishme të Komisionit Europian – por varësia nga burimet e vendeve anëtare të BE-së e ka kufizuar aftësinë e saj për të vepruar.

Tani, me një mandat të ri që i lejon të vendosë rojet e veta kufitare të pajisur me armë dhe uniforma, plus një buxhet të madh prej 11 miliardë eurosh për ciklin e ardhshëm të buxhetit të BE-së 2021-2027, agjencia me qendër në Varshavë po shndërrohet shpejt në një forcë që s’mund të shpërfillet.

Por ndërsa Frontex shpalos fuqinë e saj, ajo shoqërohet gjithashtu edhe nga polemika.

Midis vjeshtës së vitit 2016 dhe dimrit të vitit 2017, shumë përpara mandatit të ri, organizata të shquara humanitare dhe për të drejtat e njeriut paralajmëruan Komisionin Europian dhe Frontex-in për përdorimin e pretenduar të forcës ekstreme nga autoritetet hungareze që punojnë së bashku me agjentët e Frontex ndërsa përballen me njerëz që përpiqen të kalojnë në mënyrë të parregullt nga Serbia.

Organizatat përfshinin agjencinë e refugjatëve të Kombeve të Bashkuara (UNHCR), Médecins Sans Frontières (MSF), Amnesty International, Human Rights Watch dhe Komitetin Hungarez të Helsinkit.

Grupet thanë gjithashtu se refugjatëve po u mohohej qasja e duhur në procedurat për azil në Hungari, duke bërë që UNHCR të paralajmëronte se dëbimet pas në anën jo-BE të kufirit ishin me shumë gjasa një shkelje e ligjit ndërkombëtar.

Një dosje dokumentesh të brendshme të Frontex të siguruara nëpërmjet kërkesave për të drejtën e informimit nga Komiteti Hungarez i Helsinkit – dhe e analizuar nga BIRN – tregon se drejtuesit e Frontex ishin plotësisht të vetëdijshëm për akuzat e bëra.

Një raport i marsit 2017 nga Oficere e Frontex për të Drejtat Themelore para bordit drejtues të agjencisë – i cili përfshin përfaqësues të Komisionit Europian dhe vendeve anëtare të BE-së – citon një rast të tillë.

Më 16 dhjetor 2016, rojet hungareze hapën një portë në gardhin kufitar të Serbisë dhe lëshuan një qen policie ndaj një grupi afganësh – shumica prej tyre të mitur të pashoqëruar të moshës 10-17 vjeç – të cilët po përpiqeshin të hynin në Hungari, sipas raportit.

Qeni kafshon tre persona, mes tyre fëmijë. Pasi hynë në territorin serb, oficerët i ndoqën emigrantët, i spërkatën në fytyrë me spraj me piper dhe i rrahën me shkopinj gome. Lëndimet e tyre u vërtetuan më vonë nga një ekip mjekësor në një kamp tranzit aty pranë.

Shqyrtimi i dokumenteve të brendshme zbulon një mosmarrëveshje të gjatë të brendshme brenda Frontex-it për rolin e agjencisë në mbështetjen e operacioneve hungareze për kontrollin kufitar.

Mosmarrëveshja duket se ka arritur një pikë kulminante në vjeshtën e vitit 2016, disa muaj pasi Hungaria prezantoi legjislacionin e ri për kontrollet e kufijve.

Ligji i ri u dha oficerëve hungarezë fuqinë për të kthyer refugjatët ose emigrantët e kapur brenda tetë kilometrave nga gardhi që ndodhet përgjatë kufirit me Serbinë, ndalimin e tyre në zona të caktuara tranziti dhe dëbimin e tyre në Serbi.

Në korrik 2016, policia hungareze regjistroi 1,701 raste personash të shoqëruar në Serbi, sipas raporteve të tyre. Në gusht 2016, kjo u rrit në 1,842 raste.

Dokumentet tregojnë se situata së shpejti filloi të alarmonte Forumin Konsultativ të Frontex, një organ këshillimor i ngritur nga vetë Frontex dhe i përbërë nga ekspertë nga agjenci të tjera të BE-së, organizata ndërkombëtare dhe grupe të të drejtave të njeriut. Qëllimi i tij është të mbikëqyrë që agjencia të respektojë standardet e të drejtave të njeriut ndërsa kryen punën e saj.

Në fund të vitit 2016, Forumi Konsultativ rekomandoi që Frontex të ndërpresë operacionet në kufirin hungarezo-serb.

Por Drejtori Ekzekutiv i Frontex, Fabrice Leggeri e hodhi poshtë idenë, tregojnë dokumentet e brendshme.

Në një letër drejtuar një anëtari të Parlamentit Europian në mars 2017, Leggeri tha se ai e mori vendimin në mënyrë që agjencia të mund “të udhëzojë, mbështesë dhe vëzhgojë në përputhje me standardet e Frontex-it”.

Përveç mospërfilljes së rekomandimit të Forumit Konsultativ, Leggeri nuk ndoqi as këshillat e Zyrtares për të Drejtat Themelore Inmaculada Arnaez, një zyrtare e Frontex-it e ngarkuar të sigurojë që operacionet e agjencisë të jenë në përputhje me ligjin europian dhe atë ndërkombëtar.

Arnaez paralajmëroi vazhdimisht në vjeshtën e vitit 2016 dhe dimrin e vitit 2017 se Frontex rrezikonte të ishte bashkëpunëtor në shkeljen e të drejtave nga autoritetet hungareze, por këshillat e saj u shpërfillën, pavarësisht një sërë provash të paraqitura në agjenci nga organizata të pavarura.

Arnaez nuk iu përgjigj një kërkese për koment nga BIRN.

Ndërsa pretendoi se provat e shkeljeve ishin të pamjaftueshme, Frontex e menaxhoi rrezikun e ekspozimit ndaj ndonjë shkeljeje duke kufizuar angazhimin e agjencisë në vijën e parë të kufirit hungarezo-serb.

Sipas një njoftimi këshillues të tetorit 2017, zyrtarët e Frontex-it të vendosur në rajon u ngarkuan me “aktivitete për mbikëqyrjen e kufijve” dhe “kapje të emigrantëve të parregullt” brenda Hungarisë brenda një zone deri në tetë kilometra nga kufiri i jashtëm i BE-së me Serbinë.

Megjithatë, ata u këshilluan posaçërisht që shoqërimi i emigrantëve në zonat e tranzitit duhej të “kryhej ekskluzivisht nga autoritetet hungareze”.

“Frontex ishte gjithmonë atje në fillim, por ata nuk ishin kurrë atje në fund”, tha Lydia Gall, një avokate për të drejtat e njeriut në Human Rights Watch, e cila punonte në rajon në atë kohë.

“Mbaj mend shumë emigrantë që më thoshin se ishin të lumtur që kishin rrotull policë të huaj pasi prania e tyre nënkuptonte trajtim më të mirë nga rojet kufitare hungareze.”

Sipas Gall, mungesa e dukshme e oficerëve të Frontex-it gjatë fazës përfundimtare të ndalimit dhe kthimeve pas tregonte se agjencia po përpiqej ta distanconte veten nga çdo shkelje ligjore apo abuzime të të drejtave gjatë dëbimeve.

“Trajtimi i njerëzve ndryshonte kur ata ngarkoheshin nëpër furgonë dhe dërgoheshin në zonat e tranzitit”, tha ajo. “Pse të mos e monitorosh të gjithë fazën kur e di se këtyre njerëzve mund t’u ndodhin gjëra? Ku është efikasiteti në këtë proces?”

Në atë kohë, dhe nën një gjendje të jashtëzakonshme, Hungaria po mblidhte një forcë të armatosur të përbërë nga 3,000 forca të njohura si “njësitë e gjuetisë në kufi” për të vënë në fuqi legjislacionin e saj të ri mbi kontrollet kufitare.

Oficerët e Frontex-it ndihmuan me patrullimet – në mesin e tyre kishte edhe oficerë të pajisur me qen të cilët kishin për detyrë të gjenin njerëz që kapërcenin gardhin për në Hungari. Frontex përdor rregullisht qen për të ndjekur emigrantët dhe e promovon këtë në rrjetet e saj sociale.

Leggeri nuk iu përgjigj kërkesës së BIRN për një intervistë, por agjencia dha përgjigje me shkrim për pyetjet e dërguara me postë elektronike.

Ajo tha se Frontex futi në përdorim tetë ekipe qensh në vitin 2016 dhe 17 në vitin 2017 në Hungari. “Ata punonin në pikat e kalimit kufitar, duke ndihmuar në zbulimin e drogave dhe materialeve të tjera të paligjshme”, tha Frontex. “Ata gjithashtu ndihmuan në zbulimin e hyrjeve klandestine. Për më tepër, disa ekipe ndihmuan në patrullimin e kufirit tokësor.”

“Të gjithë oficerët e vendosur nga Frontex respektojnë një kod të rreptë sjelljeje dhe janë të detyruar të respektojnë të drejtat themelore të njeriut. Në ditën e parë në zonën operacionale, oficerët marrin një udhëzim operacional që përfshin udhëzime specifike për respektimin e të drejtave themelore, procedurat e referimit, mekanizmin e ankesave dhe Kodin e Kufirit Shengen.”

Në rastin e ekipit finlandez, qeni i të cilit kafshoi një emigrant në tetor 2016, nuk pati asnjë hetim pasi policia hungareze e konsideroi dëmtimin si “aksidental” dhe tha se qeni ishte përdorur në përputhje me ligjin hungarez, sipas raportit të brendshëm për incidentin.

Tre ditë pas incidentit, më 14 tetor 2016, Zyrtarja për të Drejtat Themelore në Frontex, Arnaez, paraqiti një memorandum të brendshëm duke ngritur shqetësimin se Frontex “mund të funksionojë në kushte që nuk angazhohen për respektimin, mbrojtjen dhe përmbushjen e të drejtave të personave që kalojnë kufirin hungarezo-serb”.

Ajo sugjeroi se agjencia “mund të dëshirojë të rishikojë mbështetjen e saj në zonat operative” ku ka pasur pretendimet e përsëritura për shkelje të ligjit të BE-së, atij rajonal dhe atij ndërkombëtar.

Një muaj më vonë, më 10 nëntor, Forumi Konsultativ dha ​​rekomandimin e tij – i pari i këtij lloji – për drejtorin ekzekutiv dhe bordin drejtues të Frontex që “të ndërmarrin menjëherë veprime” dhe “të pezullojnë aktivitetet operative në kufirin hungarezo-serb”.

“Mbështetja operacionale në kufirin hungarezo-serb duhet të varet nga fakti që Frontex të jetë i kënaqur që njerëzit që mbërrijnë në atë kufi, regjistrohen si duhet nga autoritetet hungareze, duke iu dhënë qasje në një procedurë të individualizuar dhe azili, nëse e dëshirojnë këtë, nuk kthehen me dhunë në Serbi dhe se rastet e abuzimit dhe dhunës policore hetohen në mënyrë të pavarur dhe të paanshme”, thuhej në rekomandim.

Të gjitha institucionet e BE-së të përfaqësuara në Forumin Konsultativ – Këshilli Europian, Zyra Europiane për Mbështetjen e Azilkërkuesve dhe Agjencia e të Drejtave Themelore – abstenuan nga votimi për çështjen në forum, sipas dokumentit.

Pas një shkëmbimi korrespondence, Leggeri dhe Drejtoria e Përgjithshme e Emigracionit dhe Çështjeve të Brendshme e Komisionit Europian, një zyrë e menaxhuar në atë kohë nga Matthias Ruete, arritën në përfundimin se nuk kishte prova të mjaftueshme që kishin ndodhur shkelje sistematike.

Përfundimi i tyre u bazua në gjetjet e një “misioni teknik” nga Komisioni Europian në Hungari më 18-19 tetor 2016, gjatë së cilës ata “nuk gjetën prova të ndonjë praktike të tillë sistematike”, sipas përgjigjes me shkrim të Leggerit për rekomandimin e Forumit Konsultativ.

Pas konsultimit me bordin drejtues të agjencisë, Leggeri informoi Forumin Konsultativ më 1 shkurt 2017 për vendimin e tij për të mos pezulluar operacionet.

Letra e tij arriti në përfundimin se “rastet e pretenduara të përdorimit të paligjshëm të forcës nga policia hungareze, nëse konfirmohen, nuk ndodhën brenda aktiviteteve operative të koordinuara nga Frontex”.

Për më tepër, “pretendimet e pa konfirmuara në lidhje me përdorimin e paligjshëm të forcës dhe mungesa e raporteve në kuadër të aktiviteteve operative të Frontex nuk mund të mbështesin një vendim për të pezulluar operacionin e përbashkët”.

Në atë kohë, prokurorët hungarezë po merreshin me të paktën 44 hetime për abuzime të pretenduara nga oficerët kufitarë hungarezë, pasi policia hungareze pranoi se “në kufirin me Serbinë mund të ketë pasur përdorim të tepërt të forcës”, sipas një memorandumi të shkruar nga Arnaez në tetor 2016.

Shkalla e operacioneve përgjatë kufirit hungarezo-serb ishte e qartë.

Në memorandumin e saj, Arnaez përmendi një raport të policisë hungareze nga gushti 2016 që thoshte se oficerët kishin trajtuar 4,148 “përpjekje për hyrje të paligjshme”, “kishin parandaluar hyrjen” në 2,306 raste dhe kishin shoqëruar 1,842 persona nga zonat e tranzitit mbrapsht në Serbi.

“Në total 8,296 persona i ishin nënshtruar këtyre masave përmbledhëse në një periudhë prej 30 ditësh”, shkroi ajo.

Anneliese Baldaccini, një eksperte për emigracionin në BE e Amnesty International që ishte pjesë e Forumit Konsultativ, tha për BIRN se provat e jashtme ishin minimizuar lehtësisht.

“Unë do të besoja se provat e shkeljeve ishin të mjaftueshme si në ligj – Komisioni Europian në fund të fundit nisi një procedurë shkeljeje në lidhje me procedurat kufitare të Hungarisë, dhe i njëjti institucion ulet në bordin drejtues të Frontex – dhe në praktikë, duke pasur parasysh rastet e vazhdueshme të dokumentuara nga një sërë burimesh të hapura”, tha Baldaccini.

Në korrik 2018, Komisioni Europian e çoi Hungarinë në Gjykatën e Drejtësisë të Bashkimit Europian, hapi i dytë në një procedurë gjyqësore për shkelje të nisur në vitin 2015 për mospërputhje të legjislacionit të tij për azil dhe kthim me ligjin e BE-së.

Një vit më vonë, ajo solli një çështje të dytë në gjykatë kundër Hungarisë për kriminalizim të veprimtarive në mbështetje të azilkërkuesve. Ajo gjithashtu filloi një procedurë të tretë shkeljeje kundër Hungarisë për mohim të ushqimit për azilkërkuesit në zonat e tranzitit në kufirin me Serbinë.

Baldaccini vazhdoi: “Kështu që mungesa e veprimit – në këtë rast, Forumi Konsultativ  kërkoi ndërprerjen e operacioneve në Hungari – duket se është e motivuar nga një numër i ulët i Raportesh Incidentesh të Rënda dhe mungesa e ankesave të pranuara nga Frontex përmes mekanizmit të ankesave.”

Punonjësve ose zyrtarëve të Frontex nga vendet anëtare të BE-së u kërkohet të paraqesin Raporte Incidentesh Serioze (SIR) sa herë që vihen në dijeni për ndonjë anomali që lidhet me operacionet e agjencisë.

Dokumentet e brendshme tregojnë se Leggeri jo vetëm që nuk dukej i shqetësuar nga efektiviteti i mekanizmave të Frontex për të monitoruar abuzimet, por ai gjithashtu përdori mungesën e SIR-eve si një justifikim për shpërfilljen e provave të paraqitura nga organizatat ndërkombëtare.

Në përgjigjen e tij për Forumin Konsultativ, Leggeri përmendi se mbledhja e fakteve e kryer nga Divizioni i Operacioneve prodhoi vetëm tre SIR-e në vitin 2016 përmes sistemit të raportimit të brendshëm të Frontex – dhe të gjitha këto “nuk përfshijnë anëtarë të ekipeve europiane të rojës kufitare dhe asaj bregdetare”.

I pyetur nga BIRN se si vendosi që të tre SIR-et nuk mjaftonin për të justifikuar një vendim për pezullimin ose jo të operacioneve, agjencia u përgjigj: “Frontex u informua nga autoritetet hungareze se ata hetuan incidentet në fjalë dhe i gjetën ato jo të besueshme bazuar në prova. Është e rëndësishme të theksohet se, sipas Rregullores Europiane të Rojës Kufitare dhe Bregdetare të vitit 2016, Frontex-it nuk iu dha fuqia për të hetuar. Janë autoritet kombëtare ato që ndjekin akuzat në raportet e SIR.”

Statistikat tregojnë se zyrtarët e Frontex rrallë paraqesin SIR, pavarësisht se e kanë për detyrim ta bëjnë këtë sa herë që ndodh diçka.

Gjatë gjithë vitit 2018 dhe gjatë gjysmës së parë të vitit 2019, Frontex bashkë-financoi dhe koordinoi 508 fluturime  kthimesh të detyruara për emigrantë dhe azilkërkues që kishin mbërritur në vende anëtare të BE-së. Në ato 18 muaj, u paraqit vetëm një Raport Incidenti Serioz.

Megjithatë, një mungesë e tillë raportesh nuk përputhet me numrin e madh të akuzave që vijnë nga terreni.

Një ekspert i të drejtave të njeriut i Këshillit të Europës i cili u ul në Forumin Konsultativ dhe këshilloi bordin drejtues të Frontex tha në një intervistë në shtator se “sistemi i brendshëm i Frontex-it prodhon zero raporte të mira për incidente serioze. Me fjalë të tjera, sistemi i brendshëm i Frontex-it thotë se nuk ka kurrë ndonjë incident për shkelje të t drejtave të njeriut”.

Në një takim në prill 2017, përfaqësuesit e MSF i thanë Leggeri që midis marsit 2016 dhe shkurtit 2017, ishin trajtuar 106 raste “lëndimesh të qëllimshme” të dyshuara se ishin shkaktuar nga patrullat kufitare hungareze që monitoronin kufirin jugor.

MSF tha se lëndimet ishin në përputhje me aktet e dhunës të raportuara shpesh që u atribuohen autoriteteve hungareze: goditje, rrahje me grushte ose shkopinj gome, kafshime nga qentë e policisë dhe inflamacion i shkaktuar nga gaz lotsjellës ose spraj me piper. Nga 106 raste, 22 nga viktimat e dyshuara ishin të mitur.

Sipas një përfaqësuesi të MSF që mori pjesë në takim, Leggeri përsëri përmendi mungesën e raporteve të paraqitura nga oficerët e Frontex-it si arsye për të mos ndërmarrë veprime.

I pyetur në lidhje me raportin e MSF për më shumë se 100 “lëndime të qëllimshme”, Frontex i tha BIRN se Hungaria i kishte ndjekur akuzat.

“Frontex u informua nga autoritetet hungareze se ata hetuan raportin në fjalë të MSF-së dhe i gjetën pretendimet për abuzime jo të besueshme bazuar në prova.”

Në mars 2017, një muaj pas vendimit të Leggerit për të mos pezulluar operacionet, Zyrtarja për të Drejtat Themelore Arnaez bëri një vizitë në terren për të parë operacionet e Frontex-it në Hungari.

Versioni i redaktuar prej tetë faqesh i raportit që ajo hartoi pas vizitës së saj. i paraqitur në 14 mars 2017, përsëri ngriti shqetësime në lidhje me asistimin dhe përkrahjen e shkeljeve nga autoritetet hungareze.

Sipas Arnaez, agjencia rrezikonte të kontribuonte në “një veprim që nuk garanton qasje për azil dhe procedura ndërkombëtare mbrojtjeje”.

Për më tepër, Frontex ishte ekspozuar ndaj rrezikut të mundshëm për të kontribuar në “një zinxhir trajtimi çnjerëzor dhe degradues”. Ajo përfundoi duke thënë se “rreziku për përgjegjësi të përbashkët të agjencisë në shkeljen e të drejtave themelore” mbetet “shumë i lartë”.

Rikthimi me forcë i azilkërkuesve në vende ku ata rrezikojnë përndjekjen nuk lejohet sipas ligjit të BE-së apo atij ndërkombëtar.

Stefan Kessler, kryetar i Forumit Konsultativ nga tetori 2012 deri në dhjetor 2019, tha për BIRN se çështja e operacioneve të Frontex në Hungari mbetej e hapur.

Në raportin e tij vjetor për vitin 2019, Forumi Konsultativ përsëriti rekomandimin e tij të vitit 2016 se shefi i Frontex duhet të ndërmarrë masa për të pezulluar aktivitetet operative.

“Forumi Konsultativ nga nëntori 2016 deri në fund të vitit 2019 ka këshilluar në mënyrë të përsëritur Frontex-in të ndërpresë operacionin e tij në Hungari, pa një përgjigje pozitive”, tha Kessler.

I pyetur në lidhje me këmbënguljen e Forumit Konsultativ, Frontex tha për BIRN: “Ne nuk mund të flasim për Forumin Konsultativ. Por do të nënvizonim se prania e oficerëve të vendosur nga Frontex dhe stafi i tij mund të kontribuojnë në mënyrë aktive për të minimizuar çdo rrezik të mundshëm të një keqpërdorimi të forcës, si dhe për të siguruar një burim objektiv dhe të besueshëm informacioni për të gjitha rrethanat në terren.”

Catherine Woollard, drejtoreshë e Këshillit Europian për Refugjatët dhe të Dëbuarit, një grup të drejtash për refugjatët me qendër në Bruksel, tha se Frontex e kishte për detyrim të investonte në përpjekje jo vetëm për të parandaluar shkeljet e të drejtave themelore, por edhe për të promovuar të drejtat themelore në vendet ku ai funksionon.

“Nëse nuk e bën, ai mund të mbahet përgjegjës për veprimet që vijnë si pasojë e kësaj, përfshirë këtu oficerët e vendosur nga shteti anëtar, kur ekzistonte një rrezik dhe ekzistojnë masa parandaluese që mund të kishte ndërmarrë, por nuk e bëri.”

Analistët thonë se mbështetja e Frontex-it për operacionet kufitare të Hungarisë ka qenë thelbësore për mbajtjen nën kontroll të rrugës së emigrantëve në Ballkanin Perëndimor – një përparësi për Komisionin Europian dhe shumicën e vendeve anëtare të BE-së.

Falë një rregulloreje të re që hyri në fuqi në fillim të dhjetorit, Frontex pritet të luajë një rol në rritje në Ballkan – dhe jo vetëm në shtetet e BE-së.

Agjencia tashmë administron një program prej 3.4 milionë eurosh për të ndihmuar vendet e Ballkanit Perëndimor të përmirësojnë mënyrën se si ata identifikojnë dhe regjistrojnë emigrantët dhe azilkërkuesit.

Ajo gjithashtu ka caktuar miliona euro investime për zyra, automjete për kontroll kufitar dhe mjete mbikëqyrjeje.

Dhe për herë të parë, agjencia o mbledh një forcë ligjore rojesh kufitare të Frontex. Me 700 rekrutë fillestarë, forca ka gjasa të vendoset në Ballkan në fillim të vitit 2021.

Agjencia tashmë ka shkelur në Ballkanin jashtë BE-së, me 50 oficerë të vendosur në Shqipëri në maj 2019.

Ky operacion synon të trajtojë emigracionin e paligjshëm dhe të forcojë kontrollet kufitare në kufirin shqiptaro-grek. Ai gjithashtu përqendrohet në luftimin e krimit ndërkufitar, përfshirë kontrabandën e armëve dhe drogës, të dyja probleme shumë të mëdha në rajon.

Zgjerimi i aftësisë së Frontex për të kryer operacione në vendet e treta (jo anëtare të BE-së) i shërben një objektivi më të madh strategjik për krijimin e pushtetit ekzekutiv të BE-së në rajon, thonë analistët.

Së bashku me mandatin e tij të zgjeruar, Frontex ka nevojë për të ashtuquajturat Marrëveshje Statusi me vendet individuale, nëse do të operojë në shtetet jo anëtare të BE-së në Ballkanin Perëndimor. Ai e nënshkroi të parën nga këto majin e kaluar me Shqipërinë.

Në fund të nëntorit 2019, Frontex kishte lidhur marrëveshje të ngjashme me Malin e Zi dhe Serbinë. Marrëveshjet e Statusit me Bosnjën dhe Hercegovinën dhe Maqedoninë e Veriut janë në punë e sipër.

Si për ironi, Dimitris Avramopoulos, ish-Komisioneri Europian për Emigracionin dhe Çështjet e Brendshme, përshëndeti nënshkrimin e marrëveshjes me Malin e Zi si “një hap më shumë drejt afrimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor me BE-në” – 10 ditë para se BE-ja të bllokonte fillimin e bisedimeve të pranimit me Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut.

Eurodeputetët gjithashtu kanë miratuar Marrëveshjen e Statusit me Malin e Zi si “thelbësore për të siguruar transparencë, shqyrtim publik dhe mbikëqyrje demokratike mbi bashkëpunimin e Frontex-it me shtetet jo anëtarë të BE-së”.

Një ekzaminim më i ngushtë i Marrëveshjeve të përfunduara të Statusit, si dhe hartimet e atyre që janë në pritje, i botuara nga mbikëqyrësi i politikës së BE-së, Statewatch, shtron pyetje në lidhje me nivelin e imunitetit të ofruar për oficerët e Frontex-it të vendosur në terren.

Sipas marrëveshjeve, stafi i Frontex-it do të gëzojë, në parim, imunitet në vendin ku vendos përsa i takon detyrimeve penale, civile dhe administrative që rrjedhin nga veprimet e ndërmarra gjatë detyrës së tyre – aq sa gëzojnë paqeruajtësit e Kombeve të Bashkuara dhe anëtarët e organizatave të tjera ndërkombëtare të vendosura në të gjithë botën.

Nëse një anëtar i stafit akuzohet për një shkelje, i takon drejtorit ekzekutiv të Frontex-it të vendosë nëse vepra penale është kryer gjatë detyrave të parashikuara në planin operacional të misionit.

Nëse përgjigja është po, nuk mund të fillohet asnjë procedurë ligjore kundër anëtarit të stafit. Në të kundër, zbatohet ligji i vendit ku është i vendosur misioni.

Në thelb, kreu i Frontex-it konsiderohet i vetmi autoritet i aftë për të dhënë dritë jeshile për ndjekjen penale të personelit të Frontex-it në vendet e Ballkanit, pasi që pa pëlqimin e tij/saj nuk mund të fillojë asnjë procedurë.

Kjo nuk do të thotë që agjentët e Frontex-it nuk mund të ndiqen penalisht në vendet e tyre të lindjes. Për shembull, neni 7 i Marrëveshjes së Statusit me Malin e Zi thotë: “Imuniteti i anëtarëve të ekipit nga juridiksioni i Malit të Zi nuk do t’i përjashtojë ata nga juridiksionet e shteteve të tyre përkatëse.”

Marrëveshjet e Statusit përcaktojnë gjithashtu se anëtarët e misioneve të Frontex-it mund të mbajnë armë dhe t’i përdorin ato kur veprojnë.

Çështja e llogaridhënies dhe përgjegjësisë penale ndërlikohet më tej nga rekrutimi i vazhdueshëm i forcës ligjore të Gardës Kufitare të BE-së, e cila përfundimisht do të jetë pjesë e një force të përhershme prej 10,000 personash.

Duke qenë se Frontex së shpejti do të jetë në gjendje të vendosë stafin e vet ligjor së bashku me rojet kufitare nga shtetet anëtare, e drejta për të mbajtur armë është zgjeruar për të gjithë personelin e korpusit që punon për Frontex-in.

Drejtoresha e Këshillit Europian për Refugjatët dhe të Dëbuarit Woollard tha se vendimi nuk ishte i lehtë për vendet e Ballkanit Perëndimor.

“BE-ja këmbënguli për imunitet ndërsa vendet e rajonit donin të njëjtin trajtim siç kanë oficerët lokalë”, tha ajo.

“Kjo pabarazi është një burim pakënaqësie të thellë dhe të justifikuar. Këtu ka histori: situata është analoge me atë të misioneve të CSDP (Politikës së Përbashkët të Sigurisë dhe Mbrojtjes) të BE-së, dhe misioneve të tjera ndërkombëtare, në rajonin e Ballkanit ku ka pasur mosndëshkim për oficerët e vendosur aty, përfshirë edhe për krime të rënda ndërkombëtare.”

Këshilli Europian për Refugjatët dhe të Dëbuarit ka paralajmëruar që nga nëntori 2018 se marrëveshja mund të rezultojë në mungesë ndëshkimi për krime të kryera nga stafi ligjor i Frontex-it.

Ai këshilloi që derisa dhe nëse nuk ekzistojnë rregulla të qarta përgjegjësie, asnjë person i punësuar drejtpërdrejt nga Frontex nuk duhet të dërgohet në vendet e treta në bazë të marrëveshjeve ekzistuese.

“Kufijtë e BE-së nuk lëvizin; vendet e tjera ia transferojnë BE-së funksionet e menaxhimit të kufirit”, tha Woollard.

“Në Marrëveshjet e Statusit për Ballkanin, fuqitë ekzekutive për funksionet e menaxhimit të kufijve të vendeve në fjalë janë të kombinuara me imunitet nga juridiksioni i atyre vendeve, duke krijuar një situatë pushteti pa llogaridhënie dhe duke dëmtuar kështu sovranitetin e atyre vendeve.”

Frontex thotë se synon të adresojë shqetësimet duke aplikuar një kod të rreptë sjellje.

“Kodi i Sjelljes është i zbatueshëm për të gjithë personat që marrin pjesë në aktivitetet operacionale të Frontex-it pavarësisht nëse ato zhvillohen në territorin e BE-së apo jashtë saj”, tha agjencia në përgjigjen e saj me shkrim për pyetjet e BIRN.

“Ai përcakton procedurat që synojnë të garantojnë parimin e shtetit të së drejtës dhe respektimin e të drejtave themelore me fokus të veçantë për personat e cenueshëm, përfshirë fëmijët, si dhe për personat që kërkojnë mbrojtje ndërkombëtare.”

Lindin shqetësime shtesë duke pasur parasysh që Komisioni Europian dhe Frontex kanë shmangur prej kohësh zbatimin e një kornize të qartë që rregullon çështjet e përgjegjësisë.

Komisioni Europian dhe Frontex e vonuan për vite me radhë krijimin e një mekanizmi ankesash pavarësisht kërkesave të përsëritura nga Avokati Europian i Popullit në vitin 2013 dhe Parlamenti Europian në vitin 2015.

Që kur u prezantua një i tillë më në fund në shtator 2016, Forumi Konsultativ dhe Agjencia e të Drejtave Themelore e Komisionit Europian kanë ngritur vazhdimisht pikëpyetje në lidhje me efikasitetin e mekanizmave llogaridhënëse të agjencisë.

Nëntorin e kaluar, në një konferencë në Athinë, një zyrtar i Frontex-it e përshkroi mekanizmin e ankesave si ende “në ndërtim”, me vetëm 41 ankesa të pranuara që nga viti 2016.

Woollard tha se mjetet juridike në dispozicion të një individi që dëshiron të ndërmarrë veprime janë – dhe do të mbeten – të kufizuara.

“BE-ja nuk është palë në Konventën Europiane për të Drejtat e Njeriut, kështu që rruga të mbyllet”, tha ajo. “Një veprim për dëme ose përdorimi i mekanizmit të ankesave i Frontex-it janë të mundshme, por kërkojnë kohë, burime, informacione dhe këshilla juridike, të cilat shpesh nuk janë në dispozicion për një viktimë individuale.”

Zgjerimi i mandatit të agjencisë për të vepruar jashtë zonës së vet gjithashtu tregon një zhvendosje në përparësitë e BE-së për rajonin, sipas Woollard.

“Në vend që të përdorë mekanizmin e saj në rajon për të mbështetur zhvillime pozitive, BE-ja e përdor atë për të blerë bashkëpunim për kontroll të emigracionit”, tha ajo. “Ai gjithashtu bën një sy qorr ndaj shkeljeve që ndodhin; liderë europianë të caktuar i inkurajojnë ata në mënyrë aktive.”/Reporter.al