ARRSH: Ja akset në të cilat duhet të lëvizni me zinxhirë

623
Sigal

Autoriteti Rrugor Shqiptar, përmes një njoftimi për mediat, bën të ditur gjendjen e rrugëve duke theksuar se në disa akse duhet lëvizur me zinxhirë. Në Rajonin Verior akset Lusen-Bushtricë, Kuben-Vasie, vetëm 10 km e fundit, Qafë Dragalicë-Steblevë kalohet me zinxhirë. Në Rajonin Qëndror nuk ka patur rreshje por në aksin Lunik-Steblevë rekomandohen zinxhirë prej ngricës. Prezencë ngricash ka patur edhe në segmentet Krujë-Sarisalltik, Elbasan-Gjinar dhe rruga e “Qafë Krrabës”. Mësohet se është bërë shpërndarja e kripës nga kontraktorët dhe po mbahen në monitorim të vazhdueshëm. Në Rajonin Juglindor akset Boboshticë-Dardhë, në km 5-14 dhe Gërmenj-Leskovik rekomandohet kalimi me zinxhirë për shkak të erës së fortë. Në Rajonin Jugor gjatë natës ka pasur reshje bore në Qarkun e Korçës, shoqëruar me erëra të forta në lartësitë mbi 900 m mbi nivelin e detit. Është bërë pastrimi dhe kriposja e aksit dhe qarkullimi kryhet pa zinxhirë. Rekomandohet që përdoruesit e rrugës të bëjnë kujdes në lëvizje, të përdorin zinxhirë në segmentet e rekomanduara, të respektojnë sinjalistikën rrugore dhe udhëzimet e Policisë Rrugore.

Dibër

Qyteti i Dibrës është zbardhur nga bora dhe ka krijuar probleme. Rreth 40% e zona e të thella të qarkut të Dibrës kanë mbetur pa energji elektrike. Ndërkohë zonat më problematike janë Arras, Ostren, Trebicë e Lura. OSHEE është në terren por era e fortë nuk mundëson ndërhyrjen. Për të bërë të mundur qarkullimin në terren kanë dalë borëpastureset. Në Lurë rruga është e izoluar dhe nuk komunikon me Dibrën. Qarkullimi bëhet vetëm nga pjesa e Rrëshenit.

Elbasan

Reshjet e borës kanë shkaktuar problem në Elbasan, ku 3000 familje mbetën pa energji elektrike, ndërkohë që defekti u riparua por megjithatë sipas shefit të Emergjencave në Prefekturën e Elbasanit ka sërish probleme me energjinë në disa zona. “Kemi komunikuar me firmat e mirëmbajtjes së rrugëve. Në datë 5 nisën reshjet e dëborës, në Elbasan, Librazhd e në Prrenjas. Akset rrugore kanë qenë të hapura pa probleme. Furnizimi me energji, fillimisht patëm një problem e energjinë por më pas u riparua defekti. Në ato segmente me ngricë firmat kontraktuese ti trajtojnë me kripë. Kemi komunikuar me specialistët që të udhëzojnë shoferët që të marrin zinxhirë. Nga OSHEE kemi në Prrenjas dhe Librazhd disa familje pa energji. Ka patur probleme në disa kabina”.

Kukës

Në shumë shkolla të Kukësit nuk është zhvilluar procesi mësimor. Reshjet e borës dhe erërat e forta kanë bllokuar disa akse rrugore të njësive Bushtrice, Shishtavec e Zapod e si rrjedhojë nuk është arritur të kryhet transporti i mësuesve. Drejtori i zyrës arsimore Skënder Ahmeti thotë se komunikimi me këto njësi është i vazhdueshëm dhe po këshillohet personeli se si do të operohet në vijim. “Procesi mësimor në shumicën e shkollave është në kushte normale. Probleme kemi patur në Shishtavec, Zapot dhe Bushtricë. Në shumë shkolla nuk është bërë mësim për shkak të borës por edhe për shkak të një ere shumë të fuqishme. Sot në dy linja që mbulojmë transportin e mësuesve nuk kanë shkuar dot. Drejtuese kanë marrë masat që në të gjitha shkollat të priten ata nxënës dhe tu krijohet ngrohje si dhe te kthehen në shtëpi nën kontrollit nga mësuesit”.

Korça

Edhe “Parisi i vogël” është mbuluar nga bora. Në qytet trashësia e dëborës është nga 5 -10 cm dhe 25-30 cm në zonat malore. Rruga për në Dardhë është e kalueshme me zinxhirë nga kilometri 5 deri te 14, vështirësi ka pasur edhe në Qafën e Qarrit por është punuar gjatë natës për hapjen e rrugës dhe kriposjen. Të gjitha akset e tjera janë të kalueshme pa zinxhirë me përjashtim të Dardhës.