Ministri Malaj: 121 kamera të reja në dogana për modernizimin e monitorimit

Ministri i Financave, Petrit Malaj, drejtori i përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja dhe ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në Shqipëri, Nicholas Abbott vizituan Degën Doganore Bllatë, ku inspektuan nga afër investimin e realizuar nga Mbretëria e Bashkuar për modernizimin e sistemeve të monitorimit dhe kontrollit në pikat kufitare shqiptare.Gjatë vizitës, Malaj vlerësoi mbështetjen e vazhdueshme të Mbretërisë së Bashkuar në forcimin e sigurisë kufitare dhe modernizimin e administratës doganore.“Ky është një investim i cili shtrihet në 11 pika doganore dhe kap një vlerë prej 1,6 milionë paundësh”, u shpreh ministri Malaj.Nga ana e tij, drejtori i përgjithshëm i Doganave, Besmir Beja theksoi se projekti ka sjellë një përmirësim të ndjeshëm të kapaciteteve operacionale të administratës doganore.“Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, si përfituese e këtij projekti, tashmë ka në dispozicion 121 kamera të reja me teknologji moderne, që na sigurojnë që të kontrollojmë në mënyrën më të mirë të mundshme të gjitha pikat tona kufitare. Çdo qytetar dhe çdo biznes që kalon në territorin e Republikës së Shqipërisë do të ketë kontrollin e duhur, por do të shohë edhe shpejtësinë e duhur në këtë kontroll”, deklaroi Beja.Ambasadori i Mbretërisë së Bashkuar në vendin tonë, Nicholas Abbott, vlerësoi rezultatet konkrete të bashkëpunimit me autoritetet shqiptare, duke e cilësuar atë një model të suksesshëm partneriteti në funksion të sigurisë kufitare dhe luftës kundër aktiviteteve të paligjshme.

NOA