Dita e 13-të e protestës, qytetarët mblidhen sërish në shesh për largimin e kryeministrit Rama

Protesta qytetare kundër qeverisë ka hyrë sot në ditën e 13-të, ndërsa mijëra qytetarë janë mbledhur sërish duke kërkuar largimin e kryeministrit Edi Rama.

Protestuesit po tregojnë vendosshmëri duke vijuar mobilizimin e tyre dhe duke deklaruar se nuk do të tërhiqen deri në plotësimin e kërkesave të tyre.

Sigal

Me pankarta në duar dhe duke brohoritur thirrjet kundër klasës politike, qytetarët kanë qëndruar për orë të tëra në shesh.

Thirrjet e tyre të vazhdueshme janë “Rama jep dorëheqjen”, “Rama në burg, Berisha në burg”, “Arrestoni Belindën” etj ndërsa në protestë kanë marrë pjesë të rinj, familjarë me fëmijë dhe të tjerë të grupmoshave të ndryshme.

Protesta nisi fillimisht si një reagim kundër projektit turistik në Zvërnec, por ajo është shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare ndaj keqqeverisjes.

Protestuesit kanë artikuluar një sërë shqetësimesh që lidhen me qeverisjen, problemet në sistemin shëndetësor, korrupsionin, koston e jetesës dhe çështje të tjera sociale e ekonomike. Kërkesa e tyre kryesore është dorëheqja e kryeministrit Edi Rama.