Zhani Ciko, “Mjeshtër i Madh”
U bënë mëse 20 vjet që diskutohet prejardhja e Polifonisë apo këngës labe. Pra në këto dekada lindin një sërë pyetjesh? A është e vërtetë se kënga Polifonike Shqiptare rrjedh nga Sirenat greke?! A është e vërtetë që Polifonia Shqiptare apo kënga vënçe rrjedh nga Kori i kishave të Bizantit? Ka dhe shumë pyetje të tjera. Por dhe hamendësira, sepse me Polifoninë Shqiptare është abuzuar shumë, madje deri në kufijtë e të pamundurës! Në këtë libër prej 300 faqesh lexon dhe kalon nëpër duar mendimet shkencore, të korifejve të letrave shqiptare, të kompozitorëve të shquar shqiptar, të muzikologëve dhe bartësve të këngës Polifonike dhe merr një informacion të plotë. Pra në këtë libër gjen dhe përgjigjet e pyetjeve të mësipërme. Ose më qartë pyetjet që qëndrojnë pezull për ata që deformojnë këtë emërtim i gjen po aq të qarta në librin që kemi në dorë. Shumë njerëz, që janë dyzuar në prejardhjen dhe emërtimin e Polifonisë i rekomandoj të lexojnë librin e Albert Zholit “Historia dhe madhështia e këngës Polifonike Shqiptare”. Në këtë libër do të gjesh shkrimet dhe opinionet e të mëdhenjve të diturisë shqiptare si Eqerem Çabej apo Ramadan Sokoli, por do të gjesh edhe vërtetësinë e atyre që e këndojnë këtë këngë dhe kanë çuditur platetë e botës. Pra ky libër është një udhëshkrim i gjithë historisë së këngës madhështore të Polifonisë Shqiptare. Duke shfletuar librin unë hedh mendimet e mia si më poshtë: “Për mendimin tim, duke lexuar librin e Albert Zholit, Polifonia është gjëja më e vyer jona, pasi është më e vjetër dhe mbase identiteti i kombit tonë.

Po ju referoj një fakt shkencor që shumë pak njihet dhe shumë pak i jemi referuar dhe shumë pak e kemi dëgjuar. Muzika siç e kemi mësuar nëpër shkolla, ndahet në strukturat e saj në Tone dhe Simitone. Nga një Ton është distanca mes notes. Do dhe Re dhe gjysmë Toni mes Do dhe Do diezis. Polifonia jo, polifonia ndahet me çerek toni. Pra është më e lartë se ekzistenca e modeve. Shpesh herë është thënë në studimet tona, ose është parë dhe njihet se disa studime janë edhe të politizuara. Nuk e di kur do shpëtojmë nga kjo e keqe e madhe që na ka zënë. Fenomenin e çerek tonit ne nuk e gjejmë vetëm tek Polifonia që është nga koha e Pellazgëve, apo më parë, por i gjejmë dhe tek rapsodët që tashmë po përpiqen t’i vlerësojnë në rangun e UNESCO-s. Edhe rapsoditë me lahutë janë me çerek toni. Pra, ai lahutari i Veriut, që këndon vetëm majë shkëmbit me labin që jeton mbledhur, bashkë, paskan të njëjtën strukturë. Kjo është diçka shumë interesante, që duhet të ndalen studiuesit tanë. Ndaj, ne duhet të investojmë në këtë drejtim, për këto studime dhe shteti të mos mjaftohet të japi dy çika lekë për Festivalet si “Bylispolifonia”. Punoja në Patos kur u zbulua Bylysi si një vendbanim Ilir. Krahasimi i dytë që dua të bëj është ajo me Polifoninë botërore. Në Botë është një periudhë e caktuar në zhvillimin e muzikës, që quhet periudha e zhvillimeve Polifonike. Këto kanë ndodhur kryesisht në vendet e ulëta në periudhën e zhvillimit të muzikës (Belgjikë, Holandë, Danimarkë). Kjo Polifoni e tyre është një Polifoni jo popullore, jo etnike (komb), por e krijuar nga kompozitorët, që zgjodhën rrugën jo të monodisë të një melodie, por zgjodhën rrugën e polifonisë. Dhe nuk zgjodhën rrugën me 5 ose 6 zëra sa ne, por mbi 40 zëra. Polifonia e tyre eklipsoi muzikën, e mbyti nga zërat e shumtë. Mendo çdo ndodhte po të shtoheshin 6 marrës, 7 kthyes e të tjera . Do humbiste, por populli e ruajti në strukturën më të mirë edhe nga pikëpamja e akustikës edhe nga pikëpamja e origjinalitetit të këngës. Të gjitha këto i kanë bërë kompozitorë me emër si Ombreht, Otegen e kompozitorë të tërë të Mesjetës derisa e kaluan këtë periudhë. Nga festivalet e polifonisë kam shumë kujtime. Në vitin 1999, një grup i televizionit francez erdhi në Tiranë. Ne po përgatiteshim tek orkestra e RTSH për Festivalin e 55 në RTSH. Njëkohësisht kjo orkestër po përgatitej për një koncert të radhës. Një grup nga Elbasani po bënte prova. Unë isha me grupin e violinistëve. Ata donin të shikonin muzikën shqiptare pas atyre që ndodhën në vitet 1997-1998. Një vend që nuk ka muzikë nuk ka të ardhme. Ata donin të shkonin në Vlorë, që ishte kryeqendra e rebelimit 1997. Donin të takonin grupet polifonike të Vlorës. Por nuk na dilnin në celular askush. Na thoshin se kanë ikur të gjithë jashtë. Por unë kisha besimin që Polifonia nuk mund të humbiste në Vlorë as në konfliktet më të mëdha. Tek Ura e Mifolit ishin disa postblloqe, që nuk na penguan. Pyeta për të takuar Haxhi Dalipin, por më thanë se ka ikur në Gjirokastër. Shkova në lagjen e tij dhe u futëm në një kafene. Disa fytyra të njohura më pyetën -Profesor përse ke ardhur? U them se televizioni francez do të filmojë këngë labe, a ekziston kënga pas këtyre ngjarjeve? U thashë ndaj në pallat kërkoni sa të mundini njerëz dhe të bëjmë një grup. Po si të këndojmë pa prova më tha njeri? Pas disa minutash ata u mblodhën mbi 15 vetë dhe filluan të këndojnë. Kënga mori për mirë dhe ata nuk dinin të ndalonin. Televizioni francez xhironte pa pushim. Pra kënga labe po mbijetonte, polifonia po tregonte virtytet e saj. Ata bënë një dokumentar 30 minuta ku cilësohej se, ky vend nuk shuhet kurrë se ka këngën e fortë dhe të bukur. Edhe ky aktivitet tregon për rolin e këngës labe dhe polifonisë që ngrihet lart e më lart. Polifonia nuk duhet të tjetërsohet në Isopolifoni. I uroj suksese Shoqatës “Polifonia Shqiptare”!
Duhet Dita e Polifonisë

Gjëja më absurde është se kur Shqipëria u hap, e polifonia, kënga jonë ‘vënçe’ do të eksportohej jashtë, do të studiohej, do të njihej, në këtë moment, ajo nga një makinacion injorant u prezantua si iso-polifoni, pavarësisht se sot është regjistrim zyrtar në UNESCO. Duhet më shumë përkrahje edhe nga organet e tjera. Duhet të propozojmë që për polifoninë shqiptare të caktohet një ditë, që të jetë dita e polifonisë. Nismën mund ta marrë dhe Ansambli për të pasur në kalendarin tonë ditën e polifonisë shqiptare. Nëse nuk do të luftojmë fort, kjo pasuri do të mbetet e prejardhur nga sirenat e kishës bizantine greke, gjë që e ardhmja nuk do të na e falë kurrë.




















