Veliaj zbulon detajet, çfarë do të ndodhë më 28-29 Nëntor në Tiranë: Ejani festojmë të gjithë bashkë

23
Sigal

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj zbulon detajet e organizimit për festat e 28-29 Nëntorit në Tiranë. Festat do kulmojnë me “Paradën e Shqiptarëve”, e cila zhvillohet për herë të parë në kryeqytetin shqiptar, ku do të bëhen bashkë shqiptarët nga e gjithë Diaspora.

“Do të fillojmë që nesër, në datën 27, me pritjen zyrtare. Janë rreth 150 kryetarë të bashkive që përfaqësojnë këto 150 delegacione nga i gjithë rajoni, që do të jenë për pritjen zyrtare në Pallatin e Brigadave. Aty do të jetë, le të themi, fillimi solemn i aktiviteteve. Në datën 28 është parashikuar që Parada të fillojë në oren 11:00, pra që njerëzit të marrin kohën e tyre me familjet dhe nëse moti na mban, do t’i rrimë këtij plani për datën 28 Nentor”, tha Veliaj.

Ai zbuloi se parakalimi fillon nga sheshi “Nënë Tereza”, si pika e grumbullimit, per të vijuar në drejtim të sheshit “Skënderbej”. “Pasi të bashkohemi të gjithë në sheshin “Skendërbej”, aty do të jetë ngritja ceremoniale e flamurit. Parashikoj që, Parada do të zgjasë disa orë, do të parakalojnë disa grupe. Në këtë sens, nga ora 11 deri në orën 2 besoj do të jetë pjesa e parakalimit dhe pastaj vjen pjesa ceremoniale e ngritjes së flamurit, ndërkohë që presidenti, kryeministri, kryetarja e Kuvendit do të bëjnë ngritjen ceremoniale të flamurit diku nga ora 10 paradite në Vlorë. Pastaj do të vazhdojnë festime gjatë gjithë pasditen dhe plani është që në darkë, grupet më të mira të Festivalit të Gjirokastrës, por dhe të tjerat që kanë ardhur nga këto ansamble, do të kenë një koncert në sheshin “Skënderbej”, tha Veliaj.

Kryebashkiaku zbuloi edhe surprizën e datës 29 Nëntor, ku do performojnë disa nga këngëtarët më të famshëm shqiptarë.

“Në datën 29 është parashikuar që, përtej ceremonisë protokollare tek Varrezat e Dëshmorëve, Nata e Bardhë të sjellë artistët më të mirë dhe më të njohur shqiptarë. Është hera e parë që i bëjmë të gjithë bashkë për një natë të paharrueshme. Do kemi një miks shumë të mirë të të gjithë më të mirëve shqiptarë nga të gjitha trojet. ”

Në fund Veliaj uroi gjithë shqiptarët kudo që janë për festa të gëzueshme dhe me reflektim. “Shpresoj që të gjithë të kuptojnë që gjërat që na bashkojnë, të jenë më shumë se ato që na ndajnë”, tha ai.