“Qyteti i parë i rilindjes sonë”- Presidenti Begaj në Durrës për 111-vjetorin e ngritjes së flamurit: Në kohë kaosi i paraprinë shpalljes së Pavarësisë

26
Sigal

Kreu i Shtetit vlerësoi rolin e qytetarëve të Durrësit, që në atë kohë dolën në krah të patriotëve për ardhmërinë e Shqipërisë së pavarur dhe gjithashtu, vizionin e tyre sot për transformimin e qytetit

“Durrësi është qyteti i parë i Rilindjes sonë, ku 111 vjet më parë, më 26 nëntor, u ngrit krenar flamuri i Kastriotit të lavdishëm, një akt i shenjtë dhe një kujtesë për vlerat më të shtrenjta, njësoj si gjaku dhe gjuha, njësoj si betejat dhe sakrificat e panumërta që janë bërë mbi këtë tokë e për këtë truall”, theksoi Presidenti.

Presidenti Begaj, gjatë fjalë së tij në këtë ceremoni, shprehu mirënjohje për sakrificat që durrsakët kanë bërë gjithmonë për të mirën e vendit dhe mençurinë që kanë treguar, duke kapërcyër çdo ndasi për interesin kombëtar.

“Do t’u jemi gjithmonë mirënjohës qytetarëve të trevës së Durrësit, atdhetarë kurajozë në përpjekjet sfiduese për hapjen e shkollave shqipe dhe ruajtjen e gjuhës, veprimtarë të çështjes kombëtare me angazhimin e tyre si pjesë e lëvizjes mbarëkombëtare për liri e pavarësi.                   

Në një kohë kaosi politik, administrativ e social, si dhe të mungesës së qartësisë për të ardhmen, durrsakët, me maturi dhe zgjuarsi, u bënë pararendësit e ngjarjes më të rëndësishme për kombin, që do të ndodhte vetëm dy ditë më vonë në Vlorë”, – u shpreh Presidenti.

Gjatë vizitës në Durrës për festën e flamurit, Presidenti Begaj u takua me qytetarët dhe autoritetet drejtuese vendore. Gjithashtu, ndoqi një ekspozitë pikture për festat e nëntorit dhe zhvilloi një vizitë në sitet arkeologjike të Durrësit.

FJALA E PRESIDENTIT TE REPUBLIKËS NE QYTETIN E DURRESIT
26 NENTOR

Zonja dhe zotërinj,
Të nderuar të ftuar dhe qytetarë të Durrësit,
Jemi bashkë sot për të nderuar historinë, si mënyra më e mirë që, duke nderuar dhe kuptuar të shkuarën, të projektojmë më mirë të ardhmen ku duam të shkojmë, Shqipërinë e së ardhshmes, një vend që dimë si ka qenë, e jetojmë siç është dhe duam që të jetë, ashtu siç na e kanë lënë amanet etërit e atdheut tonë të përbashkët.

Durrësi, qyteti me historinë e madhe dhe të jashtëzakonshme të Dyrrahut antik, të Durrësit port, është ajo pjesë e Shqipërisë ku fryn gjithmonë era dhe frymëzimi i Perëndimit.

Durrësi është qyteti i parë i Rilindjes sonë, ku 111 vjet më parë, më 26 nëntor të vitit 1912 u ngrit krenar flamuri i Kastriotit të lavdishëm, një akt i shenjtë dhe një kujtesë për vlerat më të shtrenjta, njësoj si gjaku dhe gjuha, njësoj si betejat dhe sakrificat e panumërta që janë bërë mbi këtë tokë e për këtë truall.

Të nderuar qytetarë të Durrësit,

Do t’u jemi gjithmonë mirënjohës qytetarëve të trevës së Durrësit, atdhetarë kurajozë në përpjekjet sfiduese për hapjen e shkollave shqipe dhe ruajtjen e shqipes, veprimtarë të çështjes kombëtare me angazhimin e tyre si pjesë e lëvizjes mbarëkombëtare për liri e pavarësi.
Në një kohë kaosi politik, administrativ e social, dhe të mungesës së qartësisë për të ardhmen, durrsakët, me maturi dhe zgjuarsi, u bënë pararendësit e ngjarjes më të rëndësishme për kombin tonë që do të ndodhte vetëm dy ditë më vonë në Vlorë.

Durrësi është qyteti i parë që priti Ismail Qemalin dhe atdhetarët e shquar që e shoqëronin në rrugëtimin për realizimin e ëndrrës dhe misionit të shenjtë për shpalljen e pavarësisë së Shqipërisë.

Me ngritjen e flamurit, më 26 nëntor 1912, u cel rrugëtimi drejt krijimit te shtetit të pavarur të shqipëtarëve. Kështu, Durrësi dëshmoi se Shqipëria do të bëhej dhe asnjë përcarje, tradhti apo intrigë nuk do ta ndalte dot krijimin e shtetit modern të një kombi historik në Europë.

Në këtë përvjetor ne nderojmë me respekt dhe mirënjohje figurat e shquara durrsake për veprimtarinë atdhetare, kurajon dhe vizionin për një shtet të lirë e të pavarur shqiptar: kryetarin e parë të Bashkisë së Durrësit, zotin Hafiz Ali Podgorica, përfaqësuesit e Durrësit në Kuvendin e Vlorës, Dom Nikollë Kaçorri, Jahja Ballhysa, Mustafa Basha dhe Abaz Çelkupa, patriotët durrsakë, Agostin Sereqi, Sotir Veveçka, Sulejman Kadiu, Stefan e Marie Kaçulinit, e të tjerë.
Klubet patriotike “Vllaznia” e “Bashkimi”. ishin dëshmues të faktit se sa të lidhur ishin durrsakët me lëvizjen patriotike shqiptare.
Dua të falenderoj me mirënjohje dhe “Këshillin e Katundarisë se Durrësit” të asaj kohe, që në vulën e këshillit bashkiak të Durrësit, vuri shqiponjën dykrenare.

Duke nderuar këto personalite që luftuan për drejtësi, barazi dhe liri, duke iu dhënë atyre të gjithë mirënjohjen tonë, ne i japim më shumë kurajo dhe dinjitet vetes.

Duke respektuar rrënjët, kuptojmë më mirë çfarë duhet të ngrihet edhe më tej mbi ato themele gjaku dhe dinjiteti.

Të dashur qytetarë të Durrësit,

26 Nëntori është, gjithashtu, një ditë për t’u ripërkushtuar ndaj vlerave të dhembshurisë, ndjeshmërisë dhe solidaritetit, është një ditë për të riafirmuar përkushtimin tonë për ndërtimin e një bote më të drejtë dhe më të barabartë për të gjithë.

4 vjet me parë ky qytet dhe banorët e tij u përballën me një nga fatkeqësitë natyrore më të vështira që ka kaluar vëndi ynë dekadat e fundit.

Vlerat njerëzore të këtij qyteti dhe të kombit tonë si: humanizmi, solidariteti, angazhimi, mobilizimi, dhe puna e jashtëzakonshme bënë që gjurmët e asaj fatkeqësie të kalonin sa më shpejt.
Sot, pas 4 vjetësh, le të kujtojmë me respekt viktimat e tërmetit të 26-nëntorit.

Të nderuar qytetarë të Durrësit,

Kjo ditë shërben edhe si një mundësi për ne, që të shikojmë të ardhmen me shpresë dhe vendosmëri. Në këtë ditë le të kujtojmë mësimet e së kaluarës dhe t’i përdorim ato për të na udhëhequr në rrugëtimin tonë në të tashmen dhe të ardhmen.

Durresi është porta historike e Shqipërisë dhe e kombit për në Europë, dhe e tillë do të mbetet edhe në të ardhmen, kur sfidat tona do të jenë akoma më të rëndësishme, kur ne të jemi pjesë e familjes së madhe në Europën e bashkuar.

Durrësi, si pak qendra të tjera urbane në Shqipëri, ka qenë Europë edhe në kohën kur e gjithë Shqipëria ishte nën zymtësinë e akullt, monotone e të dëshpëruar të grisë së Lindjes, sepse ka qenë portë e parë dhe port i Perëndimit në Shqipëri.

Qyteti juaj ka ditur gjithmonë të bëjë zgjedhjet e duhura, duke ruajtur karakterin e tij specifik: ndërthurjen e trashëgimisë historike e kulturore me dinamikat e zhvillimit. Durrësi është një ndër pasuritë më të mëdha të trashëgimisë sonë kulturore.
Durrësi historik duhet të ruajë fizionominë e tij, e reja duhet ta respektojë e të harmonizohet me të.

Në Durrës po realizohen investime domethënëse dhe projekte sfiduese me rëndësi urbane, të cilat pritet të krijojnë mundësi të reja punësimi, të nxisin zhvillimin ekonomik, të rrisin turizmin dhe mirëqenien e qytetarëve durrsakë.
Durrësi është ndër qytetet më të rëndësishme shqiptare.
Të tillë e bën atë jo thjesht pozita gjeografike, por edhe rëndësia
gjeo-strategjike. Kjo rëndësi nuk lidhet vetëm me historinë e jashtëzakonshme të këtij qyteti dhe të shqiptarëve që jetojnë në 5 shtete në Ballkan, por kji lidhet ngushtë me të ardhmen tonë të përbashkët, të ardhmen e kombit shqiptar.

Korridori 8-të, qe lidh Lindjen me Perëndimin, projektet e mëdha
infrastrukturore që do të ndërtohen, zhvillimi i Turizmit modern, i shoqëruar edhe me urat lidhëse, e bëjnë Durrësin portën kryesore të shqiptarëve me të ardhmen e tyre Europiane.
Durrësi është krenari e Shqipërisë, është histori e hershme plot dritë në këtë anë të Adriatikut, është edhe e nesërme e padiskutueshme e historisë sonë moderne.

Le ta gëzojmë së bashku këtë ditë të bekuar!

Gëzuar të gjithëve!