Balluku e Manastirliu inspektojnë aksionin e ISHTI-t për sigurinë e instalimeve elektrike në institucionet arsimore

12
Sigal

Inspektorati Shtetëror Teknik dhe Industrial ka nisur një aksion në të gjithë vendin sa i takon masave të sigurisë së instalimeve elektrike, kaldajave dhe enëve nën presion, apo bombolave të gazit që përdoren në institucionet arsimore. Aksioni është shtrirë në të gjithë vendin, duke pasur në fokus sigurinë e objekteve arsimore. Inspektorët e ISHTI-t do të verifikojnë në terren kushtet e sigurisë, duke lënë edhe detyra konkrete kudo ku do të evidentohen problematika.

Zëvendëskryeministrja, njëherësh Ministër i Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku, së bashku me Ministren e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu ishin në shkollën 9-vjeçare “Nuçi Naçi” në qytetin e Korçës, ku ndoqën nga afër të gjithë procesin. Drejtori Sokol Zaimi bëri të ditur të gjitha hapat që po ndiqen nga ana e inspektorëve të ISHTI-t.

Ministrja Balluku tha se prej disa kohësh ka nisur një inspektim i të gjitha institucioneve arsimore, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit edhe me pushtetin vendor dhe të gjitha institucionet e tjera për mirëmbajtjen e institucioneve arsimore. “Ne duhet të mitigojmë të gjithë ato problematika që janë në njësitë arsimore që janë të ndërtuara prej kohësh, ndërkohë që unë jam shumë e sigurt që të gjitha projektet e reja i kanë kushtet dhe parametrat që duhen plotësuar dhe sigurisht ata që ndjekin kontratat do ti plotësojnë këto”, tha Balluku.

Ministrja e Infrastrukturës dhe Energjisë shtoi më tej se është e rëndësishme evidentimi i të gjitha problematikave teknike, si dhe të lihen detyrat për të ndërhyrë menjëherë kudo ku do të evidentohen problematika. “E rëndësishme është angazhimi i të gjithë aktorëve për të kontribuar dhe për të rritur sigurinë në shkolla, ashtu siç kemi bërë prej muajsh për të rritur sigurinë në fushën e turizmit”, u shpreh Balluku.