Tatimet thirrje qiramarrësve, si të aplikoni për shtyjen e qirave

334
Sigal

Tatimet kanë dhënë informacion lidhur me shtyrjen e pagesës së qirasë me dy muaj.

Në zbatim të Aktit Normativ Nr. 12, datë 2.4.2020 “Për një shtesë në Aktin Normativ Nr.3, datë 15.3.2020,  të Këshillit të Ministrave, “Për marrjen e masave të veçanta administrative gjatë kohëzgjatjes së periudhës së infeksionit të shkaktuar nga Covid-19”, të ndryshuar; Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve i bën thirrje kategorive si më poshtë:

  • Qiramarrësit individë të cilëve i është pezulluar/zgjidhur kontrata e punës si pasojë e gjendjes së shaktuar nga Covid-19 dhe kanë kontratë qiraje ose çdo dokument tjetër që vërteton mardhënien kontraktore qiradhënës – qiramarrës;
  • Qiramarrësit studentë të cilët kanë një kontratë qiraje për banesë apo çdo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien kontraktore qiradhënës– qiramarrës, përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë;
  • Persona fizikë/juridikë me të ardhura deri në 14milionë lekë në vit, të cilët kanë kontratë noteriale qiraje për zhvillimin e aktivitetit të tyre ekonomik, të nënshkruar përpara shpalljes së gjendjes së epidemisë dhe e kanë ndaluar aktivitetin si pasojë e gjendjes së shkaktuar nga COVID–19;

Me qëllim të përfitimit të lehtësive të parashikuara në Aktin Normativ dhe për vendimmarrje të mëtejshme të Keshillit të Ministrave, të aplikojnë me procedurat si më poshtë:

  • Individët qiramarrës dhe stundentët qiramarrës, duhet të aplikojnë në adresën e email [email protected], sipas Formularit Nr. 1 në rastet kur marrëdhënia midis palëve është Individ me Individ ose sipas Formularit Nr. 2 kur marrëdhënia midis palëve është Individ me Tatimpagues. Në çdo rast aplikimit i duhet bashkëlidhur kopje e kontratës së qirasë apo çdo dokument tjetër që vërteton marrëdhënien kontraktuale.
  • Personat fizikë/juridikë të regjistruar, duhet të aplikojnë në llogarinë e tyre në e-filing, tek menuja ‘’Çështjet e mia’’, duke ngarkuar Formularin e aplikimit Nr. 3, kur marrëdhënia midis palëve është Tatimpagues me Tatimpagues ose sipas Formularin Nr. 4 kur marrëdhënia është Tatimpagues me Individ. Në çdo rast aplikimit i duhet bashkëlidhur kopje e kontratës noteriale të qirasë.

Të gjithë qiramarrësit e përcaktuar më lartë në këtë njoftim, të cilët kanë ankesë për moszbatim të Aktit Normativ nga ana e qiradhënësit, pasi të kenë plotësuar të gjithë procedurën më sipër, të dërgojnë një email në adresën ankesa.qirajaime@tatime.gov.al , me objekt/titull të Email-t, NIPT në rastin e Personave fizikë/juridikë të regjistruar, dhe NID (Numri Unik i Identifikimit) të Letërnjoftimit në rastin e individëve apo studentëve, duke përshkruar arsyen e ankesës.