Suplementi Pena Shqiptare/ Petrit Ruka: Një ëndërr hua

A nuk më nis një ëndërr nga të tuat,
Se (eh!) më në fund u plaka,
Të miat si hiri, pa ngjyra, plot arna,
Të tuat kërcasin si flaka.

Të tuat këndojnë si gotat me verë
Para dashurisë,
Të miat bien erë të rëndë ilaçesh,
Pa le të mërzisë!…

NOA

Pse nuk më çon një natë me hënë,
me bar të shtypur tek lumi,
Këput dy komça nga bluza mbi gjinj,
Ti pi si tableta gjumi…

M’i nis një natë me postën e hënës,
Yshti si grua, çfarë pret?
Si të palosje ylberet në kutinë e zemrës
shpëto një jetë!

Në të dhimbsen zgjidh atë më të shp’larën
Ato që teprojnë më nis,
E hidhur jeta që mua më ka mbetur,
Nuk di si ta gris…

Fundja ma jep ti hua, se borxhin
Ta ruaj dhe në varr,
Ta kthej me shiun që do vijë tek unë,
mbi barin e parë…

Të lutem një ëndërr që mund ta paguaj
dhe me një sy,
Veç po ndjeva brenda thërrime mëshire,
T’u thafshin ëndrrat dhe ty…

 

BALADË PENSIONISTËSH

Në lagjen tjetër, një kafe e hidhur,
Kushton dhjetë lekë më pak,
Të tre bastunët e tyre drejt saj…
Trak – trak, trak- trak, trak-trak.

Pas tyre unë me qyqet në gjak…

Sa e gjatë kjo rrugë për gjunjët e lodhur,
(Më “i riu” me valvul në zemër,)
Të dobët sa qesja e ilaçeve në xhep
I anon dhe ecja merr shtrembër.

Pas tyre unë me shpirtin në thembër…

Të pestë me rrobat të blera tek “Gabi”
“Republikën” e mbajnë mbi kokë,
Mbi kapelen e tyre qiejtë shqiptarë
Rënkojnë po s’dëgjohen në tokë…

Të pestë të ulur me kafen e lirë
Nga ajo që vjen era baltë,
I thonë sho-shokut do bëhet më mirë,
Se boll vuajtëm. Mjaft!

Pas tyre unë… dhe kafja që pi-
Tri gllënjka me naftë.

Ai që ka radhën sot të paguajë,
Numëron në xhep monedhat me dorë,
Dalin a s’dalin, dreqi e marrtë,
në shpinë i bie borë…

Pas tyre rrak-shtrak,… rrak-shtrak,
poeti i gjorë…

Të lumtur ngrihen …Dhe sot u panë,
Si dihet gjer nesër fatit “pa faj”…
Pas tyre këngën e mykur në grykë
E lidh komb të mos qaj…

Po Atdheu, atdheu, ku është që s`e shoh,
Do jetë shkrehur në vaj?