“Shumica e banorëve nuk kanë firmosur marrëveshje”, nis prishja e tre shtëpive te “5 maj” në Tiranë

170
Sigal

Ka nisur shembja e disa banesave në lagjen “5 maj” të kryeqytetit. Inspektoriati Kombëtar i Mbrojtjes së Territorit mbërriti mëngjesin e sotëm në këtë zonë dhe ka nisur shembjen e banesës së parë.

Sipas informacioneve, është rënë dakord të shemben tre shtëpi për të cilat pronarët e tyre kanë arritur marrëveshje kompensimi.

Por, fillimisht, një pjesë e banorëve të “5 majit” bllokuan hyrjen e punonjësve të IKMT-së, por pas bisedimeve është lejuar që të prishen ato banesa për të cilat pronarët kanë pranuar marrëveshjen me bashkinë.

Disa banorë të tjerë janë vendosur në tarracat e banesave për të mos lejuar prishjen e shtëpive të tyre.

Një banor ka kundërshtuar marrëveshjen e prishjes së banesës së tij dhe i kërkon bashkisë së kryeqytetit të reflektojë.

Ai thekson se shumica e banorëve të zonës nuk kanë arritur asnjë marrëveshje për dëmshpërblim për prishjen e shtëpive të tyre.

“Ka pasur presion për firmosur marrëveshje. Më ka bërë përshtypje.  Nuk do ta firmos kurrë. Parimisht, nuk jam dakord që të bëhet diçka që nuk e dua me zor.  Ata të reflektojnë me ata që nuk kanë firmosur sepse janë shumica. Nuk u ka shkuar presioni te kocka”, deklaroi banori.