Shteti në shërbim të Samir Manes! Pas rrugës dhe molit, 1.5 mln euro për ujësjellësin privat të “Green Coast”

696
Sigal

Pak javë më parë, Boldnews faktoi se tenderi 5 milionë USD i Fondit Shqiptar të Zhvillimit, ishte totalisht në shërbim të “Green Coast”.

Nëpërmjet dokumenteve ne faktuam se në shërbim të fshatit turistik të oligarkut Samir Mane do të bëhej rruga, parkimi dhe moli. Të gjitha me paratë e shqiptarëve të varfër! Por, pa kaluar disa ditë nga ky skandal, Bold News ka siguruar dokumente të një tenderi tjetër që është sërish në shërbim të “Green Coast”. Plot 1.5 milionë euro nga taksat e shqiptarëve do të shkojnë për të ndërtuar Ujësjellësin privat të “Green Coast”.

Gjikuria, “all in” në Palasë
Fitues i këtij tenderi është firma “Gjikuria”, e njëjta që po ndërton në favor të Samir Manes fshatin turistik. E njëjta që fitoi pak kohë më parë ndërtimin e rrugës. E njëjta që u mor e pandehur për ndërtim pa leje. Madje, e njëjta që shkatërroi “Deltën e Përroit të Palasës”, një monument natyre.

Pas ARRSH-së dhe FSHZH-së, kësaj herë tenderin e ka zhvilluar Bashkia e Himarës. Në dokumente thuhet se paratë janë “grante”, pra nga pushteti qendror. Por, “specialistët” për të mos rënë shumë në sy, kanë menduar që tenderin ta zhvillojë pushteti lokal. Dhe, ashtu si herët e tjera, fituese është shpallur kompania “Gjikuria”, e cila njihet për lidhje të afërta me biznesmenin Samir Mane.

Në dokumente thuhet se në tender kanë marrë pjesë 3 kompani, me vlera të përafërta me njëra-tjetrën. Por, fitues me rreth 20 mijë euro më pak është shpallur “Gjikuria”, e cila krahas punimeve private nga Mane, po “gllabëron” edhe paratë publike në shërbim të fshatit turistik të VIP-ave.

Ujësjellës privat për “Green Coast”
Në dokumente thuhet se objekti i tenderit është “përmirësimi i sistemit të furnizimit me ujë të zonave Dhërmi, Faza II, Gjilek, Kondraq dhe Palasë”. Deri këtu çdo gjë në rregull. Por, po të shfletojmë dokumentet e tenderit do të shohim se ky Ujësjellës është privat për “Green Coast”.

Shikoni me vëmendje projektin e Ujësjellësit. Uji do meret në mal, sipas fshatit Palasë dhe Dhërmi. Do të zbresë me tubacione anës “Deltës së Përroit të Palasës”. Do të bëhen depozita, prita dhe çfare i nevojitet një Ujësjellësi. Më pas, gjurma do të zbresë deri në bregdet, ku i gjithë tubacioni do të derdhë ujin në një depozitë të ngritur sipër fshatit turistik.

Siç duket edhe nga dokumentet, depozita do të jetë vetëm pak metra larg “Green Coast”, nga ku do të furnizohen me ujë shtëpitë e VIP-ave. Pra shqiptarë, rehatohuni. Pasi VIP-at do të kenë ujë 24 orë edhe në vilat e treta, katërta… Ndërsa Ju, do të vijoni të keni ujë me orare!