Paraqitën pasaporta false të Koresë së Jugut, arrestohen dy kinezë në Rinas

42
Sigal

Dy shtetas kinezë janë vënë në pranga në aeroportin e Rinasit.

Policia bën të ditur se personat me inicialet J. Sh., 27 vjeç dhe Ch. Ch., 52 vjeç, kanë paraqitur pasaportë të Koresë së Jugut, të cilat pas verifikimeve rezultuan të falsifikuara.

Gjatë kontrollit fizik, këtyre shtetasve iu janë gjetur pasaportat e tyre kineze, me të njëjtat gjeneralitete si pasaportat e falsifikuara. katër pasaportat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Dy personat, do të hetohen për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, kryer në bashkëpunim.

Njoftimi i policisë:

Rinas/Kontrolle të shtuara nga Policia Kufitare, bazuar në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore. Goditet një rast i tentativës për të kaluar kufirin, me pasaportë të falsifikuar. Arrestohen në flagrancë 2 shtetas kinezë që paraqitën në dalje, pasaporta false të Koresë së Jugut. Sekuestrohen 2 pasaportat kineze që iu gjetën këtyre shtetasve, gjatë kontrollit fizik, dhe 2 pasaportat false.

Shërbimet e Policisë Kufitare Rinas, krahas punës së përditshme për t’iu ofruar shërbim korrekt shtetasve shqiptarë dhe atyre të huaj që hyjnë ose dalin në këtë pikë të kalimit kufitar, kanë shtuar kontrollet për goditjen e krimeve kufitare, bazuar në analizën e riskut dhe në informacionet e siguruara nga inteligjenca policore. Si rezultat i kontrolleve është goditur një rast i tentativës për të kaluar kufirin, me pasaportë të falsifikuar. Për këtë rast, specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Rinas kanë arrestuar në flagrancë shtetasit kinezë:

J. Sh., 27 vjeç dhe Ch. Ch., 52 vjeç.

Në dalje të Republikës së Shqipërisë, secili nga këta shtetas ka paraqitur pasaportë të Koresë së Jugut, të cilat pas verifikimeve rezultuan të falsifikuara. Gjatë kontrollit fizik, këtyre shtetasve iu janë gjetur pasaportat e tyre kineze, me të njëjtat gjeneralitete si pasaportat e falsifikuara. 4 pasaportat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Tiranë, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Falsifikimi i letërnjoftimeve, i pasaportave ose i vizave”, kryer në bashkëpunim.