Ndalim qarkullimi për Krishtlindje, Pollo: Të rrëzohet urgjentisht vendimi që rikthen ateizmin shtetëror

293
Sigal

Ish-deputeti i Partisë Demokratike Genc Pollo e cilëson si të “pakuptueshëm” vendimin e fundit të qeverisë që imponon ndalim-qarkullimin në mbrëmjen (ora 20:30) e vigjiljes së Krishtlindjes.

Në një reagim përmes rrjeteve sociale, Pollo shprehet se ky vendim evokon kujtime të errëta të ateizmit shtetëror komunist dhe masakrën mbi klerin e besimin me kulm në vitin 1967.

I pakuptueshëm! Kjo është më e pakta që mund thoja  për vendimin e qeverisë që imponon ndalim-qarkullimin në mbrëmjen (ora 20:30) e vigjiljes së Krishtlindjes.

Po të kujtoj këtu se në 4 maj informacionet publike qeveritare kishin përmbajtje antifetare,  atëherë duhet ta quaj shumë shqetësues. Atëherë reagova publikisht duke e denoncuar njoftimin “që evokonte kujtime të errëta të ateizimit shtetëror komunist dhe masakrën mbi klerin e besimin me kulm në vitin 1967.” Kërkova heqjen e njoftimit e pasoja për përgjegjësit.

Sot i pari që protestoi për ndalimin e meshës së Krishtlindjes ishte Kryetari i Konferencës Ipeshkvore. E mbështes atë me gjithë zemër siç kam bindjen se do e mbështesë i tërë Këshilli Ndërfetar i Shqipërisë.

Siç besoj do e mbështesin të tërë ata që duan e çmojnë lirinë e besimit. Kremtimi i Krishtlindjes të enjten në darkë mund të bëhet fare mirë duke zbatuar me kujdes rregullat anti Covid. Ndalimqarkullimi 24 dhjetorit ora 20:30 duhet të rrëzohet”, shprehet ish-ligjvënësi demokrat Genc Pollo, i cili ripublikon dhe qëndrimin e tij të mbajtur më 4 maj të këtij viti lidhur me këtë çështje.

“4 maj 2020

“Njoftimi i qeverisë për të shmangur specifikisht grumbullimet vetëm në kisha e xhami evokon kujtime të errëta të ateizimit shtetëror komunist dhe masakrën mbi klerin e besimin me kulm në vitin 1967. Ai njoftim duhet hequr urgjent; përgjegjësit pasoja!!”, theksoi Genc Pollo.