Rilindja e shesheve dhe kujtesa historike

1931
Sigal

Nga Gëzim ZILJA

Duke kaluar në shëtitoren  e re gjatë detit, në Skelë, përballë ish-Rruga-Urës ka mbirë një si vepër, si biçim kompozimi me tela dhe hekur të shtresëzuar. Midis telave, duken të salduara ca figura të zeza prej llamarine, që në pozicione të ndryshme duken herë si korba, herë si lakuriqë të mëdhenj nate, e herë si zogj deti të quajtur karabullakë. Me frikën se vepra të tilla mund të pushtojnë shëtitoren pyes: Është koha të ngremë vepra të tilla (…është moderne, më tha një fanatik partie) apo kemi ende borxhe të mëdha për të rregulluar e rindërtuar në Vlorë? Qytetarët vlonjatë tashmë kanë edhe një shesh të ri ku mblidhen, shëtisin, festojnë e gëzojnë. Edhe pse pjesa më e madhe i është grabitur detit, prapë ky shesh ia vlen. Por Vlora ka edhe një shesh tjetër historik, unik, të patjetërsueshëm e të pazëvendësueshëm, që quhet “Sheshi i Flamurit”. Sado me qejf ta kenë ideatorët dhe ndërtuesit sheshin e ri pranë detit, ky nuk e sfumon dot sheshin e vjetër. Sheshi i Flamurit ka një histori të vjetër, të lavdishme, sepse aty është ngritur flamuri dhe Shqipëria u shpall e pavarur pas pesëqind vjet errësire e robërie sundimi të egër osman. Në këtë Shesh ndodhet një pjesë e sarajeve të Vlorajve të famshëm, varri i Ismail Qemalit, shtatorja e Ushtarit të Panjohur dhe Shtiza e Flamurit. Nga vitet gjashtëdhjetë u ngrit Monumenti i Pavarësisë. Godina ku është ngritur Flamuri i pavarësisë nuk ekziston, është prishur në kohën e mbretit Zog për të ndërtuar lulishten, një pjesë e së cilës është dhe sot. Përballë tyre ndodhej një godinë e quajtur “e Sharrajve” e ngjashme me atë ku u ngrit flamuri, që u prish para dyzetë vjetësh për të ndërtuar një “palo Hotel”, që ngeli karabina deri para një viti. Shpesh, shqiptarë e të huaj ngatërrojnë Shtëpizën Muze të Skelës,  (për këtë “jetime” që po i marrin frymën kioskat e pallatet do të flasim një herë tjetër) ku u vendos Qeveria e Parë Shqiptare me atë të ngritjes së Flamurit. Derisa sa ka kohë, nge e para për të “vizatuar në ajër” zogj e korba, le të gjendet pak kohë e pak para e të rindërtohet godina, ku u ngrit flamuri i pavarësisë, atje ku ka qenë ose diku aty pranë. Qeveritë e këtyre tridhjetë viteve kanë lejuar që Sheshin e Flamurit ta kafshojnë, ndukin e gëlltisin pak e nga pak shushunjat, peshkaqenët e  hajdutët e tranzicionit. Sot ka mbetur ndoshta çereku i atij të mëparshmit dhe pjesën e luanit e ka privatizuar “në bazë të ligjeve të shtetit” një tregtar çimentoje, i cili ka zaptuar sërish “me ligj” gjithçka aty rrotull me përjashtim të një rripi të ngushtë, ku kalojnë makinat dhe autobusi urban. Para ca kohe një “iks” njeri për një pallat të shembur në bregdet u dëmshpërblye me gjashtë milion dollarë e pastaj Strasburgu që e quajti detin e kthyer në tokë, të ligjshëm, i shtoi edhe dymbëdhjetë të tjera. Le ta shembin atë shëmtirë betoni, ta dëmshpërblejnë  pronarin e ri dhe t’i kthehet “Sheshi i Flamurit”, ai i vërteti,  popullit shqiptar.  Nëse qeveria do të ketë dëshirë të shohë dokumentet e historisë së privatizimit të “Sheshit të Flamurit” dhe gjithë territorit të rrethuar, kalimin nga njeri pronar te tjetri, do të dalë skema e një megavjedhjeje dhe mashtrimi si kudo në Albani, por qeveritë i zgjidhin privatisht problemet me pronat e miliarderëve.  Për ringritjen e godinës modeste prej guri, ku është ngritur flamuri shqiptar, në krah të Monumentit të Pavarësisë, nuk duhen shumë lekë. Këtë mund ta bëjnë edhe vetë qytetarët vlonjatë me shpenzimet e tyre, mjafton që Kryetari i Bashkisë së Vlorës të ketë vullnetin e mirë e të japë lejen e ndërtimit. Shembuj ka, megjithëse të rrallë. Para tre vjetësh një grup qytetarësh vlonjatë, i bëri dhuratë popullit të Prishtinës shtatoren e punuar në bronz të Ismail Qemalit, vepër e mrekullueshme e skulptorit kosovar Luan Mulliqi. Nisma ishte e qytetarit vlonjat, të njohur për dashurinë e tij ndaj qytetit Bujar Leskaj. Në bashkëpunim me Kryetarin e Bashkisë së Prishtinës Shpend Ahmeti, u caktua vendi ku do të vendosej shtatorja dhe gjithçka përfundoi me një festë të organizuar nga vlonjatët (jo qeveria) dhe Bashkia e Prishtinës, në 23.05.2015, një vit pas nismës. Ndoshta për ta ngritur shtëpinë, ku u shpall pavarësia duhet sërish një nismë e qytetarëve vlonjatë se shpesh, me pak lekë bëhen vepra të mëdha, kur në vend të interesit privat e delirit të madhështisë, vendoset shpirti dhe dashurinë për dheun e të parëve. Sigurisht që emrat e vlonjatëve që paguan të gjitha shpenzimet për shtatoren e Ismail Qemalit në Prishtinë duhet të ishin në krye të shkrimit por kjo nuk ka të bëjë me vlerën dhe shembullin që ata dhanë me atë rast. Ata quhen: Bujar Leskaj, Petrit Golemi, Rrapo Saliu,  Artur Shehu, Dashamir Tahiri, Vullnet Sinaj, Ardian Dautaj, Arian Odhisea. Respekt për ta dhe veprën e tyre!