Deputeti i Partisë Demokratike, Xhelal Mziu, ka kërkuar një reformë të re territoriale, e cila sipas tij duhet të bazohet në nevojat e qytetarëve dhe të ketë dakordësinë e mazhorancës dhe opozitës.
Mziu tha se një pjesë e qytetarëve, përfshirë edhe socialistë, kanë kërkuar rritjen e numrit të bashkive. Sipas tij, një numër rreth 80 bashki do të ishte një zgjidhje më e përshtatshme.
Mziu kritikoi mënyrën se si është realizuar reforma territoriale, duke argumentuar se vendimmarrja nuk duhet të jetë vetëm në duart e qeverisë, por duhet të përfshijë edhe qytetarët përmes dëgjesave publike. “Duhet të kemi një reformë territoriale që të ketë dakordësinë e mazhorancës dhe të opozitës dhe ndërkohë duhet të organizojmë dëgjesa në të gjitha ato njësi vendore”, deklaroi ai. Deputeti i PD-së u ndal edhe te numri i punonjësve në administratën vendore. Ai solli si shembull vitin 2014, kur sipas tij kishte rreth 17 mijë të punësuar në 373 njësi vendore, ndërsa sot, pas reduktimit të numrit të bashkive, pretendon se numri i punonjësve ka arritur në rreth 41 mijë.
Sipas Mziut, reforma nuk ka sjellë efikasitetin e pritshëm dhe fondet publike janë orientuar gjithnjë e më shumë drejt pagave dhe sigurimeve shoqërore, në dëm të investimeve.Ai akuzoi gjithashtu administratën vendore për fryrje dhe punësime me motive partiake, duke pretenduar se një pjesë e konsiderueshme e të punësuarve nuk kanë kushte apo mjete pune.“Jo vetëm që është rritur numri i punonjësve, por kemi dhe për pasojë një ndryshim total të buxhetit të bashkisë.
Nuk kemi pasur një ekonomi shkalle, por kemi pasur një bashki në funksion të qeverisë”, tha Mziu.Në përfundim, deputeti demokrat deklaroi se një rritje e numrit të bashkive nuk duhet të shoqërohet automatikisht me rritjen e administratës, por me përmirësimin e shërbimeve ndaj qytetarëve.
“Qytetarë, sepse një pjesë e tyre, socialistë kryesisht kanë munguar, por në të gjitha debatet që ne kemi bërë, shumica prej tyre kanë kërkuar që, ose duhet të ruhet kjo status quo kuptohet edhe politikisht, por së dyti një pjesë e mirë e tyre kanë kërkuar që të rritet numri i bashkive.
Pra në logjikë duhet të themi, jo vetëm ajo çfarë kërkon PD-ja, por edhe mjaft eksponentë të Partisë Socialiste kërkojnë që të rritet numri i bashkive. Pra, ne në logjikë shpresojmë që ndoshta të mos jetë numri 100 i bashkive sa mendojmë ne por absolutisht do të ishte një zgjidhje oportune për të patur diku te 80 bashki.
Nëse i referohemi se çfarë mund të ndodhë, kjo nuk varet nga ne, kjo varet nga oreksi i kryeministrit i cili, ndoshta, mund të zgjohet një ditë të bukur, po themi në shtator apo në fundin e gushtit, dhe të thotë që nuk do të jem dakord as me 46 bashki po ne do ta bëjmë me 36 bashki apo me 26 bashki si komitetet e partisë të asaj periudhe”, tha Mziu.






















