Amnisti fiskale për të korruptuarit dhe trafikantët

318
Sigal

Qeveria “injoron” FMN-në. Amnistohen edhe paratë e trafikimit të drogës dhe të veprimtarive kriminale
Projektligji: Amnistia fiskale shpërblen të korruptuarit dhe evazorët fiskalë
Qeveria shqiptare publikoi projektligjin e shumëdebatuar të amnistisë, i cili fal kundravajtjet administrative dhe penale, për këdo që dëshiron të deklarojë para, prona të tundshme apo të patundshme, pavarësisht burimit të përfitimit, përkundrejt një tatimi minimal prej 5%.
Zyrtarët që përfitojnë
Projektligji “Për amnistinë fiskale dhe penale për subjektet që bëjnë deklarim vullnetar të pasurive” mbart mes të tjerash edhe klauzola të forta konfidencialiteti dhe sekreti për subjektet përfituese. Nga ligji duket se përfitojnë të gjithë ish-zyrtarët e tridhjetë viteve të fundit. Projektligji parashikon që nga ai nuk mund të përfitojnë vetëm zyrtarët aktualë të shtetit dhe familjarët e tyre, si dhe persona që dyshohen nga autoritetet si të përzierë në aktivitet kriminal në bazë të ligjit “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar”, një ligj amorf i vitit 2009, që synonte të luftonte pastrimin e produkteve të veprave penale, por që deri më sot nuk ka sjellë ndonjë rezultat të debatueshëm.
Sa kohë do jetë amnistia fiskale dhe përqindja e tatimit
Sipas projektligjit, amnistia do të vijojë për 12 muaj pas hyrjes në fuqi dhe për aplikuesit e parë do të ketë legalizim të parave apo aseteve të tjera, përkundrejt pagesës së një tatimi në masën 5%. Këtë mundësi do ta përfitojnë të gjithë ata që aplikojnë brenda katër muajve të parë të ligjit. Për ata që aplikojnë në katër muajt e dytë, tatimi do të jetë 7%, ndërsa ata që aplikojnë të fundit do të duhet të paguajnë 10%. Aktualisht në Shqipëri paguhet 15% për çdo fitim të ligjshëm në formë tatimi mbi të ardhurën personale, tatimi mbi fitimin e një kompanie apo tatimin e një fitimi kapital. Por nëse ke shmangur pagesën e taksave duke bërë evazion fiskal, apo nëse ke të ardhura të tjera të padeklaruara, fjala vjen nga korrupsioni, apo nga trafiqet e paligjshme, ligji duket se të krijon mundësinë t’i legalizosh të gjitha për një tatim shumë më të ulët se sa tatohen fitimet e ndershme.
Amnistia dhe paratë e drogës
Projektligji parashikon jo vetëm amnisti fiskale, (falja e detyrimeve tatimore), por edhe amnisti penale, pasi përcakton që subjektet përfituese “përjashtohen nga ndjekja penale për veprat penale që lidhen drejtpërdrejt ose tërthorazi me krijimin dhe disponimin e pasurisë së deklaruar”. Përveç kësaj, tatimet urdhërohen të mos hetojnë subjektet, që përfitojnë nga amnistia, ndërsa përfituesit nuk do të kenë për detyrë as të deklarojnë se në çfarë periudhe kohore, apo në çfarë rrethanash i kanë bërë paratë, që po legalizojnë, duke eliminuar në këtë mënyrë edhe mundësinë për të parë nëse një subjekt i ka paratë e palegalizuara të rrjedhura nga evazioni fiskal, apo i ka nga trafiku i drogës. Sipas projektligjit, i gjithë procesi do të jetë i rrethuar nga sekreti. Tatimet nuk do të mund të publikojnë të dhëna mbi subjektet përfituese.
Përjashtime të përcipta
Neni 6 i projektligjit rendit një numër subjektesh që nuk përfitojnë dot nga amnistia fiskale. Këto subjekte janë zyrtarët aktualë, por jo ish-zyrtarët si dhe personat që sipas përkufizimit ligjor, “janë në përbërje të gjendjes familjare të tyre, në datën e hyrjes në fuqi të këtij ligji”. Ky është një përkufizim që praktikisht kufizon numrin e personave që nuk legalizojnë paratë te trungu familjar i regjistruar si i tillë në regjistrin civil, pasi kufizon personat e lidhur te “gjendja familjare” dhe jo te, fjala vjen, rrethi i tyre i ngushtë. Përjashtimi është i përciptë, pasi flet për “subjekte të ligjit për deklarimin e pasurive”, të cilit i nënshtrohen zyrtarët aktualë dhe ish-zyrtarët, por këta të dytët vetëm për një periudhë deri në 2-4 vjet pas përfundimit të mandatit. Nuk është e qartë nëse nga ligji i amnistisë përjashtohen edhe ish-zyrtarët që kanë dorëzuar detyrën publike në vitet e shkuara. Po kështu përjashtohen ata që projektligji i referohet si “subjektet e ligjit nr. 10192, datë 3.12.2009 , “Për parandalimin dhe goditjen e krimit të organizuar dhe trafikimit nëpërmjet masave parandaluese kundër pasurisë, të ndryshuar”, një ligj i njohur gjerësisht si anti-mafia, por nuk përcaktohet nëse shteti ka ndonjë listë të subjekteve të këtij ligji, apo bëhet fjalë për ata që kanë qenë në të shkuarën subjekte të këtij ligji. Kryeministri Edi Rama, ka vendosur të çojë përpara planin për amnisti fiskale pavarësisht kritikave të përsëritura të Fondit Monetar Ndërkombëtar, se një masë e tillë mund të kthehet në një hapësirë për pastrim parash të fituara me trafiqe apo me korrupsion.
FMN-ja kundër amnistisë fiskale
Në deklaratën e saj të fundit më 1 korrik, FMN-ja shkroi: “Ne përsërisim këshillën tonë kundër një amnistie fiskale për shkak se ajo mund të minojë nënshtrimin ndaj taksave. Para se të ndërmerret një hap i tillë duhet të ketë sisteme efikase për të dalluar evazionin fiskal dhe për të parandaluar mundësitë për pastrim parash dhe korrupsion.”