Përmbytjet e shumta, mblidhet me urgjencë Shtabi i Emergjencave në Tiranë e Durrës

545
Situata e krijuar nga përmbytjet, ka mbledhur me urgjencë Shtabin e Emergjencave në Prefekturën e Tiranës dhe në Durrës.
Prefekti i Tiranës, Sadi Vorpsi theksoi se prioritet duhet të jetë jeta e qytetarëve dhe parandalimi i katastrofave. Prefekti kërkoi koordinimin e punës dhe rritjen e gatishmërisë, në mënyrë që të garantohet siguria e njerëzve dhe kalueshmëria rrugore. Shtabi i Emergjencave në Tiranë është mbledhur sot për të dytën herë brenda kësaj jave.
Nga shirat e shumtë në Tiranë sot ka patur probleme në aksin Tiranë – Elbasan, pranë hotel “Eklips”, ku ka një rrëshqitje masivi dheu. Aktualisht qarkullimi kryhet me vështirësi nën monitorimin e Policisë Rrugore.
Një urë e vogël që lidh ish-Uzinën ”Dinamo” me Paskuqanin është dëmtuar dhe është ndërprerë qarkullimi i automjeteve në këtë drejtim. Në Bërzhitë ka një rrëshqitje toke, e cila rrezikonte 4 familje. Emergjencat kanë bërë evakuuimin e tyre dhe kanë nisur ndërhyrjen me mjete për normalizimin e situatës.
Ndërkohë rreth mesditës është mbledhur edhe në Durrës Shtabi i Emergjencave.
Në Bashkinë Shijak dhe në njësinë administrative Sukth, ka pasur vërshime të ujërave të lumit Erzen. Është punuar gjatë gjithë natës nga forcat e Policisë, të ushtrisë, forcat vullnetare me motorbarka dhe gomone për të bërë të mundur evakuuimin e banorëve që rrezikoheshin në banesat e tyre. Në Bashkinë Shijak janë evakuuar rreth 50 familje.
Në njësinë administrative Sukth janë evakuuar rreth 30 familje dhe vazhdon evakuuimi i familjeve të tjera. Shtabet e emergjencës së Prefekturës dhe të Bashkive Durrës dhe Shijak, po punojnë me gjitha strukturat.
Sigal