Prof. Dr. Agron Fico: Ngjarja e pabesueshme në fletët e një libri

689
Sigal

Një ngjarje e pabesueshme në fletët e një libri

(Për romanin “Patkoi me katër harqe” e autorit Rrustem Rrustemi)

Prof. Dr. Agron F. Fico, H.C.

Në peizazhin e librave të botuara në shqip në Kosovë, tema, kryetema, e këtyre veprave ka qenë dhe është: Etja e zjarrtë për liri dhe pavarësi; sakrificat e pamasa, njëherazi lufta epike, burrëria e pashoqe kundër sundimit të gjatë e të egër të serbëve. Në të gjitha zhanret letrare; poezi, poema, tregime, novela e romane; në këngët dhe rapsoditë e bardëve popullore etj., është pasqyruar dhe skalitur populli dardan i Kosovës që ka përballuar furtunat e kohës dhe ka dalë fitimtar. Në këtë hulli ka qenë edhe publicistika si gazetaria, radioja e televizioni. Libri i sapo botuar i shkrimtarit Rrustem Rrustemi “Patkoi me katër harqe” me subjektin tronditës dhe të pabesueshëm shënon një prurje origjinale në fondin e kulturës bashkëkohore shqiptare.

E vërteta

Konferenca e ambasadorëve në Londër, më 1913 vendosi arbitrarisht dhe egërsisht copëtimin e territoreve shqiptare; pjesë të tëra të saj iu dhanë fqinjëve; Greqisë, Serbisë, Malit të Zi. Shqipëria, sipas gjeografit të shquar prof. Amet Gashi me katër vilajete dhe me një sipërfaqe 146 mijë kilometra katrorë u reduktua në 28.000 km. katrorë. Tokat e shenjta të Kosovës, Çamërisë, të Shqipërisë së Veriut u përfshinë me dhunë e barbari brenda territoreve të shteteve grabitqare fqinje. Në Serbi, menjëherë mprehën hanxharët dhe shpallën synimin e tyre strategjik afatgjatë, dëbimin e shqiptarëve të Kosovës dhe formimin e Serbisë së madhe. Kryeministri i Serbisë, Karagjeorgjeviç në një libër të posaçëm, madje të shkruar gjermanisht që Fuqitë Evropiane mund ta lexonin drejtpërdrejt, shpalli se shqiptarët qenkan me bisht dhe të paaftë për shtetformim. Kjo ideologji raciste antishqiptare do të përsëritej më vonë nga Kryetari i Akademisë të Serbisë, Çubriloviç,që shpalli doktrinën e pastrimit etnik të Kosovës nga shqiptarët.

E gjithë e vërteta

Romani “Patkoi me katër harqe” i zotit Rrustemi e pasqyron artistikisht këtë kuadër dramatik, duke vënë në qendër një subjekt tronditës, të paimagjinueshëm nga mendja normale njerëzore. Bacë Ukë Rrezallaj në Gurinë, mbante gjithnjë pranë nipin e vetëm Rrulin dhe i fliste edhe për muhaxhirët, 700 fshatra shqiptare të përzënë nga Sanxhaku i Nishit forcërisht nga shovinistët serbë; një nga këto familje ishte edhe ajo e Ukë Rrezallaj…”E dëgjoja gjysh Ukën kur më tregonte histori për muhaxhirët e përzënë nga Sanxhaku i Nishit” f.122 Rruli, personazhi kryesor i romanit, përfaqëson brezin e ri të Kosovës, që luftoi dhe u sakrifikua për liri dhe pavarësi, duke paguar çmimin më të lartë, edhe humbjen dhe vrasjen e njerëzve të tyre të dashur. “Të nesërmen, i shpjegon gjyshja nipit, Rrulit, trupin e Marinit e gjetën të vrarë dhe të masakruar në skaj të rrugës që çonte për Tasjan…”.Gjyshja në vazhdim shtoi “..Ajo më e zeza, more bir ishte se Marini në trupin e masakruar, nuk kishte kokën, ia kishin marrë kokën”. f.126.

Lexues i dashur, nga ç’pyje të egra, nga cilët kopshte zoologjike kanë dalë këto shtazë me këto instinkte? Autori ka ndjekur një hetim letrar për këtë ngjarje tronditëse. Ai na tregon se Rruli, i biri i profesorit të shquar Marin Rrezallaj, një luftëtar i kalitur në beteja, me shtatin si bjeshkët e larta dhe me një përkushtim të pamasë përpiqej që të zbulonte fajtorët e kësaj masakre instinktive dhe të qetësonte familjen dhe të atin e varrosur. I ati i Rrulit, profesor Marini, me kulturë, perëndimore, shquhen sa si studiues, por edhe si përkrahës i lëvizjes studentore të universitetit të Prishtinës kundër arbitraritetit ushtarak serb. Ai ishte në listën e zezë të shërbimeve sekrete serbe. Në përpjekje për t’u larguar nga Prishtina për në Iliridë, në një tren të kafshëve, policia e trenit e njeh profesorin, e zvarrit jashtë dhe disa metra larg vagonëve e masakron bashkë me mjaft shqiptarë të tjerë. Një gjeneral serb, që kokën e kishte të mbushur plot me akrepa, siç do të shkruante Shekspiri për Makbethin, me emrin Ramllak, urdhëron ushtarët, për masakrimin e trupit të Marinit dhe t’i pritet koka, të cilën, ai e merr me vete në Beograd e bën llambadar për dhomën e gjumit. Kjo kafshë, kjo bishë me fytyrë njeriu që sundohej vetëm nga instinktet primitive përfaqëson gjithë agresorët kolonialistë serbë.

Vetëm e vërteta

Autori tregon se lufta e UÇK-së dhe ndërhyrja ushtarake e NATO-s, pas 78 ditë luftërash të ashpra në vitet 1989-1999, solli çlirimin e Kosovës njëherë e përgjithmonë nga kolonizimi gati një shekullor serb. Ndofta pjesa më e bukur, më e skalitur dhe më tepër dramatike është dialogu i fantazmës së Marinit me gjeneral Ramllakut. Ja një moment brilant nga pena e shkrimtarit. “…Ramllaku nga frika e fantazmës që kishte përpara, filloi të çirrej si i marrë …I prekur pak edhe nga alkooli që kishte pirë, po përjetonte simptomat e para post-traumatike të “sindromës vietnameze”. Ishte gatitur rrafshi i tij mendor dhe psikik.”f.146. Autori në roman jep mesazhe të forta, që e shquajnë kombin shqiptar si komb paqësor, miqësor, një komb që njeh vetëm dashurinë dhe urrejtjen, por nuk pranon hakmarrjen, se “…Bibla dhe Kurani na porositin “Hakmarrja i takon Perëndisë”f.165

Në një vështrim tërësor mund të thuhet se romani “Patkoi me katër harqe” është një fjalë e re në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Stili i librit është i rrjedhshëm, i shprehur me fjali të shkurtra që kur e lexon të japin ndjesinë, atë të trokut e një kali që ngjitet drejt bjeshkëve. Gjuha në shtratin e shqipes së njësuar letrare, gërshetuar me dialogë dhe monologë e bëjnë leximin të këndshëm. Është meritë e autorit që romani “Patkoi me katër harqe” në ditët tona tingëllon si trumbetë alarmi për disa kolltukofagë në Prishtinë, të cilëve etja për pushtet, luksi, dhe jeta plot kënaqësi u ka dëmtuar kujtesën historike ndaj një populli që dha gjithçka të shenjtë. Ky popull, në piedestalin e lirisë, vuri jetën, madje edhe me çmimin më të lartë, kokën e vet, siç ndodhi me heroin e librit, profesorin e nderuar Marin Rrezallaj. Lexuesi shqiptar, pikërisht për të tilla libra ka nevojë që, jo vetëm pasurojnë bibliotekën e tij, por edhe i japin kënaqësinë estetike dhe mendësi atdhetare.

Romani “Patkoi me katër harqe” është një fjalë e re në letërsinë bashkëkohore shqiptare. Stili i librit është i rrjedhshëm, i shprehur me fjali të shkurtra që kur e lexon japin ndjesinë e trokut të një kali që ngjitet drejt bjeshkëve. Është meritë e autorit që romani tingëllon si trumbetë alarmi për disa kolltukofagë në Prishtinë, të cilëve etja për pushtet, luksi, e jeta plot kënaqësi u ka dëmtuar kujtesën historike ndaj një populli që dha gjithçka të shenjtë