“Zgjimi dhe Tregime të Zgjedhura”, një vepër nga Kate Chopin

1737
Shtëpia Botuese “Argeta LMG” ka sjellë pranë lexuesit një përmbledhje në prozë nga autorja amerikane Kejt Shopen (Kate Chopin), shqipëruar nga Manjola Nasi. Në të përfshihet romani i famshëm “Zgjimi”, i cili, në kohën kur u botua, krijoi një valë reagimesh të lexuesve e kritikëve që e cilësuan si skandaloz dhe të pamoralshëm, gjë që solli ndalimin e tij dhe për shumë kohë i hoqi mundësinë e një vlerësimi të kujdesshëm objektiv si dhe një grusht tregimesh të zgjedhura. Në ditët e sotme, Kejt Shopeni shihet shpesh si pararendëse e letërsisë feministe, pasi ajo u kushtoi vëmendje të veçantë kushteve në të cilat jetonin femrat, cenimet, kufizimet me të cilat ato përballeshin dhe vështirësinë e tyre për të qenë të lumtura e për të arritur të shprehin natyrën e tyre të vërtetë. Shopeni bën pjesë te të parët shkrimtarë që sollën në letërsinë amerikane tematikën e seksualitetit femëror, pa vënë në qendër, sado që pa lënë mënjanë, dilemat morale të grave si pjesë e strukturave shoqërore. Në romanin “Zgjimi”, Edna Pontelie, një grua e martuar dhe nënë e dy fëmijëve, fillon ta perceptojë veten si një qenie të mëvetësishme, jeta e së cilës po e humb kuptimin duke u vënë tërësisht në funksion të jetës së të tjerëve. Dalëngadalë ajo fillon të bëjë zgjedhje që e shkëpusin nga roli si bashkëshorte dhe si nënë dhe fillon të jetojë për veten e saj. Përkthyesja Manjola Nasi, njëkohësit pedagoge e gjuhës angleze në Fakultetin e Gjuhëve të Huaja të Universitetit të Tiranës, shprehet se megjithatë, vepra e Shopenit në përgjithësi dhe “Zgjimi” në veçanti, nuk duhen parë si letërsi e mirëfilltë aktivizmi në fushën e të drejtave të grave. Synimi i saj i vërtetë, nuk duket të ketë qenë nisja e një revolucioni, por paraqitja e të vërtetës, pa u ndrydhur nga normat e kohës dhe pa marrë parasysh se sa e hidhur dhe e papranueshme mund të ishte kjo e vërtetë për ata lexues që ishin mësuar me konceptin e gruas si qenie shoqërore, jo si individ në të drejtën e vet për të jetuar. Znj. Nasi vlerëson se është në të mirë të veprës fakti që tashmë këto tema nuk kanë më atë efekt tronditës te lexuesi, pasi kështu, ky i fundit mund të përqendrohet më mirë te vlerat e saj të tjera estetike, mes të cilave spikat në mënyrë të veçantë ndërtimi i personazheve, depërtimi i thellë në psikologjinë e tyre, analiza e kujdesshme e përballjes së tyre të vështirë me veten dhe me të tjerët, si dhe tipizimi i gjuhës, loja me simbolet e shumë elemente të tjera, që e bëjnë veprën e Shopenit të zërë vend në panteonin e arritjeve të letërsisë amerikane. Përveç se te “Zgjimi”, në këtë përmbledhje që i ofrohet lexuesit shqiptar, këto vlera bëhen edhe më të qarta tek tregimet e përzgjedhura me kujdes për tematikën dhe forcën e tyre artistike. Për këtë, kjo vepër, shqipërimi i së cilës u mbështet nga Fondi për Përkthim i Ministrisë së Kulturës, është një pasuri letrare në duart e lexuesit.
Sigal