Nga Agron Mema: Labëri moj zonjë e rëndë, dhe për besë, dhe për këngë…

146
Sigal

Paraditja e së shtunës së kaluar, në mjediset e Hotel “TATZATI”, ka mbledhur konferencën e degës së shoqatës “Labëria” dega e Sarandës. Nuk është hera e parë që në mjediset e këtij hoteli shoqata “Labëria” kryen aktivitetet e saj. Kjo për shkak të përkatësisë labe të pronarit Bejdo Çela, por jo vetëm kjo shoqatë ka akseset e zhvillimeve të aktiviteteve të tyre, falë dashamirësisë për kulturën dhe sportin dhe patriotizmit të tij. Por të kalojmë tek aktiviteti ku kanë qenë pjesëmarrës vetë kryetari Prof. Dr. Ago Nezha dhe n/ kryetari Agim Çiraku, njëkohësisht edhe botues i gazetës “Labëria”.

Takimi është hapur me jehonën elektrizuese të këngës polifonike labe e cila ushtimën e saj e ka përhapur jo vetëm në mjediset e lokalit, por edhe në qytet. Labët janë mbledhur në kuvend dhe kuvendet i bëjnë mes këngës së tyre. Në këtë atmosferë elektrizuese e ka marrë fjalën vetë kryetari i shoqatës “Labëria” Prof. Dr. Ago Nezha, i cili është përqëndruar tek vlerat dhe traditat labe, nevojën e përsosjes së organizimit të shoqatës në situatat që kalon vendi. Sipas tij, përsosja e organizimit dhe drejtimit të punës dhe, jo vetëm kaq, por për t’a vendosur edhe mbi baza studimore e shkencore, kjo në shërbim të misjonit tonë fisnik e atdhetar si shoqatë dhe si lebër. Dhe për këtë duhen strategji të mirëstudiuara në elementet e projekt-platformave të hartuara, brenda kritereve të lejuara. 
Ndër të tjera Prof. Dr Ago Nezha nënvizoi se: “Është një punë e mënçme dhe e domosdoshme të mbështetemi në të shkuarën për të përgatitur të ardhmen, se pa këtë do të mbetemi zbrazëtirë, që përmban në vete shumë rreziqe. Duhet bërë përpjekje të mëdha për të ruajtur gjatë kujtesën historike. Labët janë të shpërndarë anë e kënd vendit tonë dhe në botë dhe ky organizim ka rëndësi jetike, ekzistence dhe rezistence, që mos të mbetemi në mjegullën e braktisjes dhe moszhvillimit edhe të trevës sonë. Më pas fjalën e ka marrë n/ kryetari i shoqatës zoti Agim Çiraku, i cili më shumë i ka mëshuar në fjalën e tij “esenciales së patriotizmit të shoqatës “Labëria”, sepse Labëria dhe labët vetë, nuk janë vetëm për ne labët. Labëria është një trevë që edhe të huajt e kanë zili, ndaj duhet të ketë gjithpërfshirje dhe jo lakmi bindjesh politike. Jashtë shoqatës secili të shprehë bindjet e tij.” Fokusi i konferencës është përqëndruar në kuadër të përcaktimit dhe hartimit të strategjive dhe planeve programore si dhe në përditësimin dhe shtimin e pasurive burimore të të gjitha vlerave të kësaj treve, në propagandimin dhe shfrytëzimin e tyre, pasi kjo nuk ka dyshim që bëhet dhe do të bëhet padyshim, sepse kjo krahinë krenare, trimërore, e besës dhe e këngës, fanatike në ruajtjen e traditave, dallohet nga trevat e tjera për atë çka ajo i ka dhënë historikisht luftrave shumëshekullore të popullit tonë për liri e pavarësi dhe kjo i ka siguruar vendin e veçantë e të merituar në historinë e popullit e të kombit shqiptar, e favorizuar edhe nga natyra për vetë pozicionin gjeografik mbrojtës që fatmirësisht e ka në ashpërsinë dhe sigurinë e saj malore, por edhe karakteri dhe shpirti i pamposhtur patriotik e liridashës i labit. Kjo e ka bërë që të kthehet në një nga vatrat kryesore të qëndresës dhe krenarisë shqiptare në luftrat për liri dhe ekzistencë racore, kjo ka nxjerrë nga luftrat shumë figura e kapedanë me emra në altarin trimëror të luftrave të popullit tonë. Dhe jo vetëm luftarak, por edhe të besës se, po nuk je besnik, nuk mundesh të arrish sakrificën sublime të rezistencës luftarake deri në derdhje gjaku e dhënie jete për mbrojtje të trojeve të vatanit tënd, nuk mudesh të jesh përherë kundërshtar i së keqes dhe kërcënimit të huaj dhe këtë t’a jep vyrtiti i besnikërisë.

Këtë besë nuk e vyshku e nuk e meku dot asnjë pushtues kohëgjatë e kohëshkurtër, as diktatura komuniste e as tranzicioni i tejzgjatur trishtues e i pashpresë. Pas diskutimeve dhe debateve kryetari i degës, zoti Rustem Duka ka lexuar vendimin e kryesisë së degës ku është miratuar dorëheqja e tij nga ky post dhe zgjedhja e kreut të ri, zotit Asim Canaj si dhe e forumeve drejtuese të degës së shoqatës, të cilat janë votuar unanimisht edhe nga të pranishmit. Vetë kreu i ri i degës, Asim Canaj ka falenderuar për besimin dhe ka kërkuar mbështetjen labërore në kryerjen sa më mirë të kësaj detyre patriotike, sepse shoqëria, në kushtet e sotme përjetuese ka nevojë për përvojat historike, evokimin dhe propagandimin e tyre, edhe pse jo edhe rishikimin ku janë bërë shtrembërime të figurave dhe fragmenteve të caktuara historike. Pas takimit protokollar një koktej dhe mes kësaj atmosfere, ashtu siç u hap takimi, ashtu edhe u mbyll me jehonën e këngës labe, sepse labët nuk mundet të mos shfaqen dot me kartën e tyre të identitetit; këngën polifonike e cila shpërndau emocionet patriotike e kombëtare nën krenarinë labe.