Kim Mehmeti: Shqiptarët nuk ikin pse janë kriminelë, por u ikin kriminelëve!

197
Sigal

Neve shqiptarëve na ka ndodhur që për të mbijetuar ta braktisim vendlindjen dhe të ‘maskohemi’ në grekë, italianë…,vetëm që ashtu të ‘maskuar’ më lehtë të na pranojë mjedisi ku shtegtonim. Dhe shumicës prej atyre që u davaritën nëpër metropolet e botës, me kalimin e viteve, nisi t’u pëlqejë ‘maska’ e ta harrojnë fytyrën e vërtet etnike, me çka u rrit numri i tanëve të shpërndarë nëpër këtë rruzull tokësor, por u zvogëlua numri i shqiptarëve.

Ne shqiptarët shpesh herë kemi qenë të detyruar t’i ikim varfërisë, por kurrë nuk na kishte ndodhur ajo që i ndodh sot rinisë shqiptare: të mos ik për t’i shpëtuar skamjes, por që t’u shpëtojë kthetrave kriminale që kanë marrë në duar ‘Shqipëritë’ tona. Dikur pra ishte varfëria ajo që na detyronte të tjetërsohemi e sot, për shembull, është regjimi i Piktorit ai që i detyron të rinjtë të venë ‘maskën’ e ta fshehin fytyrën shqiptare, por jo pse nuk janë mjaftueshëm atdhetarë dhe, jo pse i tremben varfërisë, por pse turpërohen nga përfaqësuesit e tyre politik. Sot pra, shumë nga të rinjtë shqiptarë e braktisin vendlindjen jo pse atje ku jetojnë nuk mund të jetohet, por pse ndjehen të tradhtuar nga burrështetasit që morën në duar fatin e tyre, siç janë për shembull ata të ‘Rilindjes’, të cilët Shqipërinë e bënë ‘atdhe’ të kriminelëve, e bënë vend ku shkruhet disfata jonë kolektive dhe ku shqiptaria nuk është e rrezikuar nga armiq të jashtëm, por nga pandjeshmëria e hajdutëve tanë. Dhe sot pra, kur qeveritë dhe mediat e huaja mëkatojnë dhe e trajtojnë rininë tonë si kriminele, ne e dëgjojmë Piktorin si na shpjegon se edhe anglezët i braktisin fshatrat dhe shpërngulen në Londër, thuajse ata kanë marrë gomonet e sapo kanë arritur në Vlorë?! Pra dëgjojmë arsyetimet e njeriut, të cilit t’i thuash se është e turpshme dhe mëkatare ta gënjesh e vjedhësh popullin tënd, është njësoj si t’i thuash pijanecit se dehja të turpëron e të çnjerëzon. Po, ne shqiptarët e njohim mirë sofrën e varfërisë dhe atë të kurbetit,. Dhe kemi qenë të detyruar që për t’i shpëtuar skamjes t’i braktisim trojet tona ku madje edhe kurrë më nuk jemi kthyer. Por kurrë nuk na ka ndodhur ajo që na ndodh sot: që të mos i ikim varfërisë, por kriminalizimit të shoqërive tona, shoqëri në të cilat u vra dhe u varros shpresa rinore.