Në pritje të BKH dhe SPAK, SHBA fond shtesë prej 920 mijë dollarësh për burgjet

554
Sigal

Mbështetja e Shteteve të Bashkuar të Amerikës, për miratimin e Reformës në Drejtësi ka qenë e madhe, e kjo është përkthyer edhe në fonde për sistemin e ri që po ngrihet.

Më 1 tetor, Shtetet e Bashkuara kanë akorduan një fond shtesë prej 920,000 dollarë në mbështetje të programeve të ligjzbatimit në Shqipëri.

Lajmin e ka bërë me dije ambasada e SHBA-së në vendin tonë, duke theksuar edhe mbështetjen e tyre për të ndihmuar Shqipërinë që të ndërtojë një sistem drejtësie penale që të jetë i efektshëm dhe transparent.

“Një sistem i përmirësuar burgjesh është thelbësor për përpjekjet e vazhduara të Shqipërisë për të forcuar sundimin e ligjit dhe luftuar krimin e organizuar. Më 1 tetor, Shtetet e Bashkuara akorduan një fond shtesë prej 920,000 dollarë në mbështetje të programeve të ligjzbatimit në Shqipëri, duke e rritur totalin e mbështetjes së SHBA në 5.1 milionë dollarë.

Ndihma shtesë do të kontribuojë për Planin e Veprimit për Burgjet 2019 të Ministrisë së Drejtësisë, të cilat do të kenë në shënjestër reformat brenda Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve për të profesionalizuar edhe më tej sistemin korrektiv, përforcuar sigurinë publike, dhe zbatuar masa energjike kundër aktivitetit kriminal të organizuar. Shtetet e Bashkuara mbeten të përkushtuara në mënyrë të palëkundur për t’i mbështetur këto përpjekje dhe për të ndihmuar Shqipërinë që të ndërtojë një sistem drejtësie penale që të jetë i efektshëm dhe transparent.”, -thuhet në njoftimin e ambasadës së SHBA.

Ndihma financiare vjen në një kohë, kur priten që të ngrihen edhe dy institucionet e reja, siç janë SPAK dhe BKH, të cilat kanë në shënjestrën korrupsionin e zyrtarëve të lartë dhe krimin e organizuar.