Në Klik Ekspo Group- JETRO: Ja çfarë ofron Japonia për kompanitë në Shqipëri

700
Sigal

Thuhet që për të jetuar e përjetuar mendësinë japoneze, duhet të çmësosh gjithë sa ke mësuar deri më tani; edhe në mënyrën e të bërit biznes, Japonia zgjodhi strategjinë e veçantë të prezantimit në Panairin Ndërkombëtar të Tiranës, në një forum eksplorues, i cili i paraprin “zbarkimit” të afërt të investimeve japoneze në Tiranë, dhe po aq gatishmërisë për të pritur mallrat e munguar “Made in Albania” në Japoni. Japonia ofron mundësi të shkëlqyera bashkëpunimi ekonomik me Shqipërinë dhe mjaft lehtësi për kompanitë shqiptare që duan të bëjnë biznes me Japoninë. Satoshi Abe përfaqësuesi i JETRO (Japan External Trade Organization) ishte sot në Tiranë në ambientet e edicionit të 25-të të Panairit Klik Ekspo Group ku lançoi disa nga mundësitë e bashkëpunimit i shoqëruar nga Ambasadori i Japonisë në Tiranë, Makato Ito. Zoti Abe tha se Japonia është e interesuar të bashkëpunojë me Ballkanin në kuadër të Iniciativës së Vjenës, por për Shqipërinë ka disa interesa specifike në sektorin e industrisë ushqimore, ku po jepet konsulencë për zhvillimin e disa produkteve të tilla si; vaji i ullirit, të cilat do të mund të eksportohen në Japoni nga kompanitë shqiptare. Në këtë kontekst Japonia ofron disa mënyra bashkëpunimi për bizneset shqiptare nëpërmjet JETRO.

Së pari, në websitin www.jetro.go.jp/en/invest të gjithë të interesuarit do të mund të informohen për infrastrukturën ligjore dhe fiskale me të cilën trajtohen investitorët e huaj në Japoni. Portali i JETRO ofron informacione të bollshme për sektorë të veçantë, ambientin dhe ekonominë japoneze.

Së dyti, bizneset shqiptare kanë mundësi të ekspozojnë mallrat dhe shërbimet e tyre në panairin Foodex Japan 2019, që do të mbahet me datat 5-8 mars në Makahuri Messe (Chiba Japan).

Së treti, bizneset shqiptare nëpërmjet JETRO mund të sigurojnë një hapësire zyre falas 13.5-36 metër katror për 50 ditë në Japoni, sqaroi më tej zoti ABE. Zoti Abe tha se “ekonomi të vogla si Shqipëria e kanë të vështirë të prodhojnë për të furnizuar tregje të mëdha si Japonia, por ne kemi disa përvoja interesante dhe po këshillojmë kompanitë shqiptare si mund të jenë prezent me produktet e tyre në tregjet tona. Ambasadori Japonez në Tiranë tha se qëllimi i tij kryesor është rritja e bashkëpunimit ekonomik, pasi aktualisht volumi tregtar ndërmjet vendeve është shumë i ulët dhe ka ende shumë hapësira të mëtejshme bashkëpunimi. Zyra e JETRO në Vjenë ka përvojë të gjatë që ka nisur që në vitin 1968, duke ofruar ndihmë ndaj kompanive që të fillojnë dhe të zgjerojnë biznesin me Japoninë. Qëllimi kryesor i zyrës së Vjenës është promovimi i zhvillimit të tregtisë dhe mundësive të tjera në sektorin e biznesit kryesisht me Austrisë, Shqipërinë, Bosnjën, Bullgarinë, Kroacinë, Kosovën, Sllovakinë, Slloveninë, Serbinë, Malin e Zi. “Nëse po konsideroni ngritjen e një biznesi në Japoni, ose thjesht dëshironi të eksploroni mundësitë në Japoni, mos hezitoni të na kontaktoni. Ne mund t’ju sigurojmë një pasuri informacioni rreth tregut japonez dhe t’ju këshillojmë për strategjitë më të mira të hyrjes”, tha zoti Abe. JETRO suportoi 193 kompani të huaja Startups me 2017, nga të cilat 53% ishin në Rajonin e Azisë, 23 për qind ishin në Evropë dhe 21 % ishin në Amerikën e Veriut. Prodhimi Brendshëm Bruto i Japonisë ishte 500 trilionë Yen, më 2017-n, duke e renditur atë se ekonominë e tretë më të madhe në botë pas SHBA-ve dhe Kinës. Parashikimet tregojnë se në vitin 2030, GDP-ja e Japonisë do të arrijë 5,468 bilionë USD dhe do të renditet ekonomia e katërt më e madhe në botë.

Ambasadori i Japonisë në Shqipëri: Të interesuar të investojmë në Shqipëri

Sipërmarrësit japonezë kanë shprehur interes për të investuar në Shqipëri. Aktualisht niveli i shkëmbimeve tregtare mes dy vendeve tona llogaritet në një shifër modeste, prej 8 milionë euro, por mundësitë janë drejt rritjes. I pranishëm në Panairin Klik Ekspo Group Ambasador i Japonisë në Shqipëri Makato Ito, u shpreh se mjedisi i biznesit në Shqipëri është i shkëlqyer dhe kompanitë japoneze kanë mundësi të vijnë dhe të punësojnë njerëz të kualifikuar. ‘’Shifra e shkëmbimit tregtar midis Shqipërisë dhe Japonisë momentalisht është një shifër modeste rreth 8 milionë euro. Sigurisht që nuk jam i lumtur me këtë shifër dhe mendoj që ka mundësi për ta zhvilluar edhe më tej bashkëpunimin ekonomik. Ndaj dëshiroj të ftoj shumë kompani japoneze që të vijnë të investojnë në fusha të ndryshme në Shqipëri. Mjedisi i biznesit në Shqipëri është i shkëlqyer, kompanitë japoneze kanë mundësi të vijnë në Shqipëri dhe të punësojnë njerëzit e kualifikuar në Shqipëri. Tregu evropian është pranë dhe mundësia për eksport në BE është shumë e mirë. Unë mendoj që dhe potenciali i turizmit në Shqipëri është shumë i madh dhe unë jam i bindur që ky numër do të ndryshoj për mirë në të ardhmen,’’ tha Ambasadori i Japonisë Makato Ito. Edhe sipërmarrësit nga japonia u shprehën mjaft optimistë për pjesëmarrjen e tyre në Klik Ekspo Group ndërkohë që theksuan se ka nevojë ende për shkëmbim të informacioneve dhe njohjeve mes dy vendeve. “Ky do jetë hapi i parë i nisjes së bashkëpunimit me Shqipërinë, për t’iu dhënë një informacion mbi Japoninë. Hapi tjetër është që të informojmë dhe qytetarët japonezë për Shqipërinë pasi nuk dinë shumë rreth vendit tuaj. Shqipëria nuk njihet shumë atje, ndërkohë që edhe qeveria dhe organizatat e tjera duhet të realizojnë disa broshura informative me të dhënat bazë për Shqipërinë në mënyrë që të kemi mundësi ta shkëmbejmë këtë informacion mes nesh. Duam ta vizitojmë Shqipërinë së bashku me përfaqësues nga kompani japoneze në një mision ekonomik. Momentalisht nuk kemi gjëra konkrete për në të ardhmen e afërt do të kemi më shumë bashkëpunime të frytshme,” tha Satoshi Abe, përfaqësues i biznesit japonez në panairin Klik Ekspo Group. Ndërkohë Ines Muçostepa, kryetarja e Bashkimit të Dhomave të Tregtisë dhe Industrisë së Shqipërisë bëri të ditur se në muajin dhjetor do të ketë një takim rajonal në Tokio ku Shqipëria do të ketë mundësi të prezantojë potencialet e saj përballë sipërmarrësve japonezë. “U munduam pikërisht që të fillonim një bashkëpunim së bashku midis dy vendeve tona Shqipëri-Japoni për zhvillimin më tej të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve tona. Ky ishte një takim i parë, të tjera do të vijojnë në muajin dhjetor ku ne jemi të ftuar me dhomat rajonale të prezantojmë vendet tona në një takim në Tokio. Pikërisht në këtë takim Shqipëria do të prezantojë çdo potencial lidhur me zhvillimet e mundshme në Shqipëri,” tha Muçostepa.