Ku do “arratisen” shqiptarët për Festat e Nëntorit

631
Sigal

28 dhe 29 Nëntori janë Festa Kombëtare, por edhe këtë vit, një pjesë e konsiderueshme shqiptarësh kanë zgjedhur t’i kalojnë ato jashtë vendit, me një kërkesë që rritet çdo vit, siç raportojnë për “Monitor” agjencitë e udhëtimit. Një ndër arsyet kryesore që nxit këtë tendencë është çmimi i leverdishëm, sidomos në ofertat për vendet e rajonit. Edhe këtë vit, shqiptarët kanë zgjedhur të shkojnë për festat e nëntorit në disa prej vendeve të rajonit. Rezervimet më të shumta kanë qenë për Malin e Zi, për të cilin operatorët turistikë pohojnë se “janë mbyllur që dy javë më parë”. Maqedonia e Greqia, por edhe disa vende europiane si Hungaria dhe Italia, konsiderohen destinacionet më të kërkuara këtë vit. Nën moton “FESTONI NDRYSHE FESTAT E NËNTORIT”, Union Travel u ka ofruar shqiptarëve oferta që në fillim të këtij muaji, kryesisht në rajon. Çmimet nisin nga 100 euro dhe paketat janë interesante. Pjesa më e madhe e prenotimeve u bënë rreth një muaj më parë, gjë që ndikoi për të përfituar çmime më të lira. Operatorët turistikë thonë për “Monitor” se, rezervimet kanë qenë në nivele të kënaqshme. Kjo mund të lidhet me faktin se, ndryshe nga një vit më parë që ishin veç dy ditë pushim, këtë vit janë 6 të tilla. Agjencitë pohojnë se interesi për të kërkuar një destinacion për këto festa nisi shumë shpejt, pasi një pjesë e mirë e të interesuarve kanë marrë pushim edhe ditën e premte, të vetmen që sipas kalendarit rezulton ditë pune (data 30 nëntor). Oferta të tilla tërheqëse nuk u ofruan nga vendi ynë, thonë burime nga agjencitë, ndaj rajoni duket më konkurrues, sidomos me paketat e çmimeve të favorshme. Destinacioni me ofertat më të mira, edhe këtë vit, ka qenë Budva dhe Budapesti./monitor