Mësuesit në testim për rritjen e pagave

1043
Të gjithë arsimtarët, të cilët duan të përfitojnë shtesë rroge, do t’i nënshtrohen një tjetër provimi
Të gjithë mësuesit që duan të përfitojnë rritje page dhe që kanë pesë, dhjetë apo njëzet vite punë në arsim do t’i nënshtrohen një tjetër provimi. Ministria e Arsimit ka informuar dy ditë më parë të gjitha njësitë arsimore vendore për testin që do të zhvillohet në datën 21 prill. Në shkresë nënvizohet se programet orientuese për secilin profil janë tashmë online, ndërsa mësuesit që do të marrin pjesë në testim, kanë tri javë afat për të dorëzuar dokumentet, pjesë të portofolit profesional dhe atij personal. “Mësuesit kandidatë për provimet e kualifikimit, të plotësojnë formularët e aplikimit për të marrë pjesë në procedurat e kualifikimit dhe të dorëzojnë portofolat e tyre sipas profileve përkatëse, brenda datës 20 shkurt 2018”, thuhet në njoftimin zyrtar. Një komision i posaçëm do të vlerësojë dhe skualifikojë nga provimi kandidatët, që nuk fitojnë të paktën 5 pikë nga 15 të mundshme. Numri i atyre që do të testohen këtë vit në rang kombëtar, do të merret vesh vetëm një javë më vonë, kur Drejtoritë Arsimore Rajonale dhe Zyrat e Arsimit do të hartojnë fillimisht, e më vonë t’ia nisin listën e kandidatëve për provimin e kualifikimit, Institutit të Zhvillimit të Arsimit, institucionit përgjegjës për provimin.

Mësuesit që nuk kalojnë me sukses provimin, kanë të drejtë t’i nënshtrohen deri në tri herë, ndërsa kaluesit, përveçse ngjiten një shkallë më lart në karrierë, përfitojnë edhe shtesën në pagë, e cila korrespondon me vitet e punës që kanë në arsim (në përqindje). Kështu, mësuesit me mbi 5 vite përvojë, fitojnë kategorinë “Mësues i kualifikuar” dhe 5% shtesë mbi pagën, ata me mbi 10 vite punë ose “Mësues specialist”, fitojnë 10% më shumë mbi pagë. Ndërsa arsimtarët me përvojë më shumë se 20- vjeçare bëhen “Mësues mjeshtër”, duke përfituar rritje 20 për qind. theksojmë se përllogaritja bëhet mbi pagën bazë, e cila vazhdon të jetë e pandryshueshme (14 mijë lekë), edhe pse pagat kanë pësuar rritje. Referuar kësaj të fundit, rritja për tri kategoritë është përkatësisht 700, 1400 dhe 2800 lekë në muaj për të gjithë mësuesit, që kalojnë me sukses provimin e prillit. Vitet e kaluara, kjo rritje është reflektuar në pagë duke nisur nga muaji korrik.

Edhe për vitin 2018, qeveria ka premtuar një tjetër rritje page. “Ne kemi në program rritjen e mëtejshme për pagave për mësuesit. Pagat e mësuesit janë rritur në mënyrë të ndjeshme, ju jeni vetëm dëshmitarë. Një rritje që ka ardhur edhe nominalisht vitin e shkuar, por që ka ardhur qysh në fillim të mandatit tonë të parë me uljen e taksës mbi rrogën. Megjithatë ne jemi të vetëdijshëm që është shumë më mirë seç ishte, por është shumë pak seç duhet të jetë dhe për këtë arsye do vazhdojmë rritjen progresive për pagat e mësuesve”, ka theksuar kryeministri Rama pak javë më parë. 
Sigal