Energjia elektrike, shtyhet afati për përditësimin e të dhënave

1098
Kompania OSHEE, në bashkëpunim me nënkontraktorin që po zbaton në terren procesin e përditësimit të të dhënave, vendosën për vijimin e procesit deri në Mars 2018. Sipas njoftimit zyrtar, shtyrja bëhet në kushtet aktuale kur në sportele janë me mijëra klientë duke saktësuar të dhënat. “Vendosja e afatit 31 Janar dhe rezervimi i të drejtës për ndërprerjen e energjisë elektrike në rast mospërditësimi të të dhënave, ka shtuar fluksin e abonentëve në pikat e autorizuara për përditësimin e të dhënave”, thekson OSHEE-ja. Procesi i përditësimit ka vijuar gjatë gjithë vitit 2017, ku pavarësisht intensifikimit të punës në terren, konstatohen ende abonentë që nuk kanë saktësuar të dhënat, kryesisht shtëpi të dyta, emigrantë, por edhe konsumatorë, të cilët nuk janë gjetur gjatë procesit të intervistimit. “Për t’i sensibilizuar më tej, abonentët u njoftuan sërish në tetor 2017, përmes njoftimeve në media, rrjete sociale, te zyrat e Kujdesit ndaj Klientit në OSHEE, dhe nga kontraktori. Përditësimi/plotësimi i të dhënave të abonentëve është një proces mjaft i rëndësishëm, jo vetëm në aspektin ligjor, por edhe në drejtim të cilësisë së shërbimit dhe vendosjes së marrëdhënies kontraktore korrekte mes palëve! Me përditësimin/plotësimin e të dhënave, si numri i kontratës së furnizimit, kartën e identitetit, NIPTI, etj, evidentojmë qartë të dhënat e klientit, objektit që furnizohet me energji elektrike dhe shmangim pasaktësitë në trajtimin apo ofrimin e shërbimit”, nënvizon OSHEE. Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike sqaroi se, procesi i përditësimit të të dhënave nuk lindi si nevojë ditët e fundit, por në fillim të zbatimit të reformës, pasi u konstatuan pasaktësi të dhënash për një pjesë të abonentëve tanë, të trashëguar në vite. Gjithashtu, për klientët të cilët nuk kanë një sticker/ voucher në banesën e tyre, kanë mundësinë të kontaktojnë në zyrat me adresat e mësipërme, respektivisht sipas qyteteve ku banojnë. “Ndërprerja e energjisë elektrike nuk është qëllim në vetvete, sesa rëndësia e përditësimit të të dhënave, dhe për këtë arsyeje po shikohet mundësia e përballimit të fluksit”, theksoi OSHEE.
Sigal