Hapja e kopshteve dhe çerdheve, flasin prindërit

451
Sigal

Kopshtet dhe çerdhet planifikohet që të hapin dyert për fëmijët, duke nisur nga data 1 qershor. Pas mbylljen të mësimit në të gjithë sistemin arsimor më 9 mars për shkak të Covid-19, Ministria e Shëndetësisë bëri me dije se hapja e tyre do të bëhet vetëm nëse situata do të jetë e qëndrueshme. Disa prindër të pyetur nga Euronews Albania thonë se nuk do t’i dërgojnë fëmijët në kopesh apo çerdhe pasi rreziku nuk ka kaluar ende.

“Shumë i shpejtuar për fëmijët e vegjël. Momentalisht nuk do i dërgojmë”, shprehet një prind. “Po akoma nuk ka kaluar rreziku mendoj dhe fëmijët janë më delikatë”, thotë një tjetër. “Për mua jo, ne po rrimë në shtëpi nuk po punojmë, të çojmë edhe fëmijët me 1 qershor tani në çerdhe e kopsht, më duket absurde”, deklaron një baba.

“Unë për vete nuk e dërgoj se nuk kam besim”, tha një tjetër prind. Por, nuk janë të paktë edhe prindërit që mendojnë se hapja e institucioneve për të vegjlit e tyre është i domosdoshëm. Kjo pasi ata janë në punë dhe nuk kanë se ku të lënë fëmijët.

“Shpresojmë që të ketë siguri, që të jemi dhe ne të qetë. Unë jam në punë kështu që patjetër më duhet që të hapen”, shprehet një prind. “Është e domosdoshme që të hapen. Një njëri i cili është i punësuar, ku do i lë fëmijët? Unë do t’a çoj patjetër, duhet të paraqitem në punë”, tha një baba.

“Nga njëra anë më duket e drejtë sepse njerëzit janë nëpër punë dhe kanë vështirësi me mbajtjen e fëmijëve në shtëpi e duan të shkojnë në punë. Nga ana tjetër mendoj se duhet edhe maturuar edhe pak pasi duhen kontrolluar kushtet nëse plotësohen të gjitha kushtet”, deklaroi një nënë.