Durrës, kabinat elektrike pa kushte të sigurisë teknike

655
Sigal

Kabina dhe kutitë metalike të rrjetit shpërndarës nëpër pallate, pa dyer dhe me kabllo të zhveshur. Në rrezik jeta e banorëve

CEZ-i jo vetëm që lakohet për lënie të zonave të ndryshme pa drita, por me pakujdesinë që tregohet në Durrës me kutitë metalike të rrjetit shpërndarës nëpër pallate ai edhe vret. Kanë qenë të shumta lajmet në kronikën e zezë të këtij viti, ku është njoftuar se kanë gjetur vdekjen shumë persona, mes të cilëve edhe të rinjve e fëmijë, pas kontakteve që kanë pasur me linjat elektrike. Kjo ka pasur një shtrirje gjeografike mjaft të madhe në të gjitha rrethet e vendit. Aksidenti më i fundit ka ndodhur në plazhin e Durrësit në lagjen Nr. 13, ku në kontakt me një kabëll elektrik ka humbur jetën, para disa muajsh një fëmijë 10-vjeçar. Dhe për të gjitha rastet që kanë ndodhur aksidente me vdekje qofte nga kontakti me kabllo të zhveshura, ashtu dhe nga vdekje të konstatuara brenda kabinave elektrike pasi janë me dyer të shqyera (dhe shpesh të hequra për t’i shitur për skrap), policia në komunikata të ndryshme ka deklaruar se ka hapur një hetim lidhur me vdekjen etj., për nxjerrjen e përgjegjësisë, por asnjë herë kjo përgjegjësi nuk ka shkuar deri tek CEZ-i, i cili ka lejuar që objektet e rrezikshme të jenë të hapura duke u bërë shkak për humbje jete.

Qendra

Një foto e bërë në një nga lagjet qendrore të qytetit të Durrësit, tregon më së miri se si është gjendja. Në një pallat të lagjes Nr. 11-të, kemi të fotografuar një kuti të shpërndarjes së rrjetit elektrik në një hyrje të tij dhe nga fotot që po paraqesim gjendja është katastrofike. Trotuari është i ngushtë dhe në rrugë kalojnë makina dhe këmbësorët mund të rrezikojnë të takojnë në kabllot, të cilat janë izoluar edhe me plastmas si dhe në nyjet e lidhjeve janë fare jashtë sa që u duken metalet e kokave të kapikordave. Kabllot janë të shumta dhe disa prej tyre varen deri në afërsi të pllakave të trotuarit. Gjë që rrit veçanërisht rrezikun ndaj fëmijëve që janë jashtë kontrollit të prindërve. Sidomos në këtë rrugë që është qendrore në lagje dhe ka shumë kalimtarë në çdo orë të ditës. Por edhe natën duke qenë se ndriçimi është i mangët, ky rrezik është i shumëfishtë. Duke qenë se ka lokale në afërsi këtu mund të aksidentohen edhe të moshuar a mbase edhe të pirë. Ky shembull vjen nga qendra e Durrësit, por një foto që po paraqesim nga periferia e Durrësit është më domethënëse.

Periferia

Një kabinë elektrike e hapur anash rrugës disa dhjetëra metra me tej zonës së Shkëmbit të Kavajës të zonës së plazhit, që i përket Komunës së Rrushbullit, është konstruktuar anash rrugës automobilistike dhe hekurudhës. Në të ndodhen në mëshirë të fatit vetëm gjysmë metër nga toka kabllot e një sërë ndërtesash që furnizohen me energji si dhe kontaktorët elektrikë të klientëve të ndryshëm. Ata janë aty në shi dhe në diell, të zbuluara dhe që mund të manipulohen nga kushdo specialist. Por shkalla e rrezikshmërisë është shumë e lartë, pasi është rrugë kalimi afër sajë dhe në stinën e verës pushuesit në pjesën e sipërme të kodrinës preferojnë të zbresin në këmbë deri në zonën e rërës së plazhit dhe një pakujdesi sado e vogël mund të paguhet me jetë njerëzore. Këto pakujdesi të konstatuara në kushtet të mungesës plotë të sigurimit teknik, për të cilat vite më parë ka pasur shumë kërkesa që kanë qenë mjaft rigoroze dhe deri të ndëshkueshme ligjërisht, kur janë të konstatuara gjithandej kthehen vetvetiu në pakujdesi kriminale. Dhe tregojnë se investimet që ishte i detyruar që të bënte CEZ-i në sistem janë fare të parëndësishme.

CEZ lë 5 ditë pa ndriçim bibliotekën

Biblioteka e qytetit të Durrësit ka qenë e pafrekuentuar nga lexuesit për pesë ditë radhazi. Që nga dita e enjte asaj i mungonte energjia e nevojshme elektrike për t’u shërbyer lexuesve në sallat e saja. Për riparimin e defektit në linjë specialisteve të CEZ-it u janë dashur pesë ditë. Dhe defekti i linjës ishte jo shumë larg,- thanë lexuesit. Ai kishte ndodhur në një shtyllë që është vetëm 3 metra larg ndërtesës së bibliotekës. Elektricistët që janë paraqitur ditën e martë kanë punuar pak minuta. Problemi nuk qëndron vetëm në vonesën, por edhe në atë që mund ta cilësojmë si mos vlerësim të institucionit kulturor, i cili është nga me të respektuarit në Durrës dhe nga me të frekuentuarit njëkohësisht. Që ka rreth 2500 lexues të rregullt. Shërbimi ndaj, të cilëve ka çaluar për një defekt që nuk ka kërkuar shumë mund dhe kosto.