Aleksandër Meksi: Kishat e Shqipërisë

441
Sigal

Aleksandër Meksi

Historia, Arkitektura, shek IV-XV

 Ndër monumentet e kulturës shqiptare një vend të rëndësishëm zënë dhe ndërtimet e kultit të krishterë të shek. IV-XV. Këto ndërtime, si dhe ato të periudhës paleokristiane që i takojnë Antikitetit të Vonë, së bashku me të Mesjetës së Hershme e të Mesme, që shtrihen në të gjithë territorin e vendit, janë dëshmi materiale autentike me vlera të jashtëzakonshme për studimin e historisë së arkitekturës të ndërtimeve në përgjithësi dhe të historisë së popullit tonë.

Studimi i kishave të këtyre periudhave, që përmbyllin lashtësinë ilire, për të kaluar në periudhën e formimit të popullsisë arbëreshe (shqiptarët e sotëm), ka rëndësi të veçantë, sepse ato, krahas fortifikimeve, janë dëshmia e vetme që ruhet për t’u njohur me arkitekturën kishtare shqiptare.

Të gjitha ndryshimet në teknikën dhe në materialet e ndërtimit, në parimet dhe në shijet estetike, në ceremonitë dhe liturgjinë e kohës nuk kishin si të mos pasqyroheshin në këtë gjini në tërësi dhe në aspektet e çdo ndërtimi. Shoqëria e atëhershme përdorte për këto ndërtime mjete të shumta, gjithnjë në përputhje me mundësitë, dhe vinte në punë mjeshtrit më të mirë që kishte, duke dëshmuar nivelin ekonomik e shoqëror të kohës.

Për studimin e historisë së organizimit kishtar në vendin tonë, krahas vëllimit VII të “Illyricum Sacri” të D. Farlatit, dhe vëllimeve të C. Eubel, P. B. Gams, M. Le Quien, nga shek. 18-19, ndihmojnë dhe botimet e G. Fedalto, L. Tacchella, P. Bartl e të tjerë, mbahet ende themeltar studimi i M. Šufflay për gjendjen e kishave dhe veprave të kultit, ku në mënyrë të gjithanshme trajtohen dukuritë e krijimit dhe të ndryshimeve të strukturave të kishës në Shqipëri, jepen fakte të shumta dhe trajtohen, në këndvështrime të ndryshme, çështje të veçanta të historisë mesjetare të Shqipërisë. Por për mendimin tonë sot lipset t’i drejtohemi arkivave dhe dokumentacionit bazë për të dhëna më të plota e më të sakta, e sidomos për ato që lidhen me trojet tona e kishën vendase.

Duke mos mundur të ndajmë ecurinë e arkitekturës mesjetare dhe zhvillimin në kohë të saj nga rrethanat dhe ndodhitë politike, nga zhvillimi ekonomik e shoqëror i vendit, nga marrëdhëniet e shqiptarëve me popujt fqinjë gjatë Mesjetës, nga prania e pushtuesve, e ndiem të domosdoshme të shqyrtojmë kuadrin historik e atë të organizimit kishtar.

Por, në mënyrë që përfundimet të jenë të sakta, duhet që materiali i studiuar të jetë sa më i plotë, si për sa i përket shtrirjes territoriale, ashtu edhe asaj kohore. Për këtë, gjatë dy dhjetëvjeçarëve të para, që kemi studiuar dhe restauruar në terren, u kemi kushtuar një vend të veçantë kishave mesjetare për gjurmimin e tyre në tërë hapësirën e vendit tonë. Kësaj periudhe i takojnë dhe gërmimet tona të para dhe studimi i kishave paleokristiane. Krahas kërkimeve në terren, jemi munduar të vjelim të gjitha të dhënat për këto ndërtime në burimet e shkruara dhe në dokumentacionin historik. Për këtë na kanë shërbyer krahas punimeve të sipërpërmendura, dhe vëllimet e “Acta et Diplomata”, “Regjistri i kadastrës së Shkodrës të vitit 1415” dhe “Defteri turk i vitit 1431-32”, Burimet Bizantine etj. Gjithashtu, na kanë shërbyer edhe përmbledhjet e burimeve për “Historinë e Shqipërisë” dhe botime të tjera të kësaj natyre, të cilat kemi mundur të shfrytëzojmë.

Informacionet e para për ndërtimet mesjetare të kultit janë të udhëtarëve të gjysmës së parë të shek. XIX, si M. Leake, Hughes, Hobhaus, Pouqueville etj., që megjithëse nuk janë studime shkencore kanë rëndësinë e tyre. Për Shqipërinë e Mesme, dhe kryesisht atë të Veriut, nga T. Ippen janë botuar në kapërcyellin e këtij shekulli mjaft kisha ku paraqitet arkitektura, zakonisht me një përshkrim të shkurtër, por me vlerë edhe pse jo profesional, zbukurimorja, mbishkrimet dhe sipas rastit të dhënat gojore që lidhen me monumentin; jepen gjithashtu përmasat dhe rrallë herë, si për kishën e Rodonit, Shën Mërinë e Drishtit, ndonjë planimetri e përafërt. Të dhëna për kishat e Shqipërisë së Veriut kemi edhe nga Degrand, Hecquard e Nopcsa. Një material të këtij lloji na ofron në periudhën ndërmjet dy luftërave botërore dhe Cordignano e G. Valentini. Po kështu, janë me vlerë njoftimet e fundit të shekullit të kaluar për kishat e Shqipërisë së Jugut nga A. Aleksudhi e Pulica.

Fillimit të shekullit tonë i takojnë të dhënat e arkeologëve austriakë C. Patsch e C.

Praschniker, të cilët, krahas monumenteve të periudhës antike, interesohen dhe për disa ndërtime kulti në Zvërnec, Marmiro, Ballsh, Pojan.

Pas vitit 1944 janë studiuesit shqiptarë ata që i orientojnë kërkimet edhe në këtë fushë. Që në hapat e para të kërkimeve në ish-Institutin e Shkencave u mblodhën të dhënat për hartimin e listës së parë të monumenteve që do të viheshin në mbrojtje shtetërore, ku u përfshinë edhe mjaft nga monumentet, që njiheshin nga literatura. Njëkohësisht, nga J. Adami, veçmas ose në bashkëpunim me H. Cekën dhe S. Anamalin, u filluan ekspeditat përnjohëse të monumenteve, për të cilat kishte të dhëna përmes materialeve që u përmendën më lart, ose nga kërkimet e pavarura në terren. Raportet e këtyre ekspeditave informative janë botuar vonë, më 1984. Në to jepen të dhëna për arkitekturën, pikturën dhe ikonat, mbishkrime e në disa raste edhe ndonjë planimetri.

Më tej, studimet u vijuan nga historianët e artit V. Puzanova, Th. Popa e Dh. Dhamo, të cilët në studimet e tyre për pikturën murale japin dhe të dhëna për arkitekturën e monumenteve bizantine të vendit e në ndonjë rast, Dh. Dhamo boton dhe arkitekturën e monumentit (Maligrad, Vau i Dejës).

Këtyre viteve i takon dhe publikimi i arkitekturës së kishës së Shirgjit nga V. Koraç, krahas atij të A. Deroko. Duhet të veçojmë këtu punimin e parë si një studim të mirëfilltë arkitekture, vlerat e të cilit në përgjithësi ruhen edhe sot. Përshtypje nga vizitat në monumentet bizantine të Shqipërisë së Jugut boton në 1964 dhe A.Ducellier, duke i bërë të njohur botës shkencore këtë pasuri.

Kërkimet në struktura të organizuara dhe në bazë të planeve shkencore mund të thuhet se fillojnë në vitin 1965, kur, pas një sërë ekspeditash njohëse monumentet e arkitekturës bizantine të Shqipërisë së Jugut bëhen objekte studimi qoftë në sektorin e historisë së arteve dhe të arkitekturës mesjetare pranë Institutit të Historisë dhe Gjuhësisë (P.Thomo), qoftë në sektorin e restaurimit të monumenteve mesjetare pranë Institutit të Monumenteve të Kulturës (A. Meksi). Këto kërkime u shoqëruan me mbledhjen e dokumentacionit të plotë grafik, fotografik e përshkrimor të monumentit.

Botimet e para i takojnë P. Thomos, nga të cilët njëri flet për kishën e Mborjes (1967) dhe tjetri për kishat e Kosinës dhe Shën Triadhës në Berat (1972). Këto dy artikuj shënojnë fillimin e botimeve shkencore në lëmin e arkitekturës së ndërtimeve të kultit në vendin tonë. Ato japin të plotë arkitekturën me analizën tipologjike dhe fazat e ndërtimit, të shoqëruara me dokumentacionin e nevojshëm për një botim shkencor (plane, prerje, pamje, fotografi). Në to jepen datimi i monumentit dhe vendi i tyre në tërësinë e arkitekturës bizantine.

Fillimisht, objekt i studimeve tona ishin ndërtimet në Shqipërinë e Jugut të arkitekturës bizantine. Studimi i vazhdueshëm i tyre solli botimin e një sërë artikujsh në revistën “Monumentet”. Më tej, në bazë të të dhënave bibliografike dhe në informacionet e mbledhura, u kalua në ekspedita përnjohëse dhe studimore në monumentet e kultit të Shqipërisë së Mesme e të Veriut dhe në botimin e tyre. Ekspeditat për studimin e monumenteve të veçanta u shoqëruan, kur lipsej, me restaurimin e tyre.

Botimi i parë i kësaj monografie i përfunduar në vitin 1990 pa dritën e botimit në vitin 2004. Gjatë këtyre 30 viteve studimet e shumta të kolegëve shqiptarë e të huaj kanë shtuar monumentet e zbuluara, e studimet për to e, sidomos, nivelin e tyre, duke i botuar brenda e jashtë vendit. Të gjitha këto e bëjnë të domosdoshme ripunimin e plotësimin e thelluar të monografisë dhe ribotimin e saj.

Në këto 30 vite janë shtuar radhët e studiuesve të fushës, që po kontribuojnë me kërkimet e botimet e tyre në njohjen më të mirë të monumenteve të periudhës, duke na mundësuar, mbi bazën e të dhënave të reja, përmirësimin dhe përditësimin e monografisë, që në ndonjë rast, edhe ndryshojnë mendimin e shprehur më parë prej nesh. Është e kuptueshme që për këto monumente jemi mbështetur kryesisht në botimet më të fundit të studiuesve, shqiptarë e të huaj, që, në kushtet e reja të krijuara, paraqesin një rritje të nivelit të kërkimeve dhe botimit të rezultateve, duke iu përmbajtur në pasqyrimin e tyre natyrës së kësaj monografie. Ne i jemi mirënjohës punës së tyre.

Pa njohjen dhe pa studimin e monumenteve do të ishte tepër e vështirë të mund të arrinim në përgjithësime reale e me vlerë, për karakteristikat e përgjithshme të arkitekturës mesjetare shqiptare dhe të përcaktonim tiparet dalluese të saj, huazimet, ndikimet, mënyrën dhe përmasat e përfshirjes së saj në drejtimet e mëdha të arkitekturës.

Studimi i afro dymbëdhjetë shekujve të arkitekturës së kultit nuk mund të kryhej pa pasur parasysh fillimet e rrethanat e krijimit të kësaj arkitekture, vazhduese e së cilës është arkitektura mesjetare shqiptare në fushën e ndërtimeve të kultit të krishterë. Për këtë, Kreu i parë pas një parashtrimi të historisë së fillimeve të krishterimit dhe organizimit të tij në trojet e sotme të shqiptarëve i është kushtuar krijimeve të arkitekturës paleokristiane (shek. IV-VI erës sonë), ku shqyrtohen monumentet e gërmuara apo të studiuara.

Kreu i dytë “Shqipëria në shek. VII-XV, kushtet historike dhe organizimi kishtar” paraqet një sprovë për një rimarrje të problemit, që deri më sot ishte bërë në mënyrë të pjesshme dhe me mangësi. Ky studim u bë mbi bazën e dokumentacionit që njihet mbi organizimin kishtar të Perandorisë Bizantine (Patrikana e Kostandinopojës) dhe kishës katolike të Shqipërisë Veriperëndimore (Kryepeshkopata e  Tivarit). Kreu paraprihet nga një tablo historike lidhur me gjendjen e trevave të banuara nga shqiptarët, nga dyndjet sllave në to dhe pushtimet e mëvonshme të mbretërisë bullgare.

kishtare gjatë Mesjetës, territoret nën administrim të peshkopatave të veçanta dhe vendndodhja e selive peshkopale. Këto aspekte trajtohen pa u ndarë nga rrethanat historike-politike të Shqipërisë Mesjetare.

Pjesa vijuese e monografisë, Kreu i tretë dhe Kreu i katërt, shtjellojnë monumentet e të dy periudhave: shek. VII-XII dhe shek. XII-XV. Në të, në mënyrë të përmbledhur në krerë të veçantë për secilën periudhë, jepen përshkrimi i monumentit, vlerat dhe karakteristikat kryesore, datimi, zbukurimorja dhe vendi që zë në tërësinë e ndërtimeve të kësaj periudhe. Një rëndësi i është dhënë marrjes në konsideratë të studimeve të reja, që janë jo të pakta. Shënoj se literatura e përdorur paraqitet vetëm për aq sa nevojitet, duke lënë vend për hollësira artikujve të veçantë.

Pa këta dy Krerë monografisë, do t’i mungonte mbështetja faktike materiale dhe zbërthimi i historisë së ndërtimit për çdo monument, datimi dhe të dhëna të tjera, të cilat, duke u trajtuar këtu, nuk rëndojnë trajtimin e krerëve vijues (Krerët pesë deri nëntë), që trajtojnë aspekte thelbësore të kësaj trashëgimie, ku këto fakte mendohen të ditura apo të shpjeguara dhe rrallë herë jepen në to, veçse për përfaqësueset e çdo tipi e të çdo nënvarianti, duke nxjerr mbështetur në karakteristikat thelbësore dhe përfundimet..

Në Kreun e pestë kemi klasifikimin tipologjik dhe periodizimin e arkitekturës së tyre me karakteristikat e përgjithshme dhe veçantitë e secilit tip e varianteve të tyre si në përbërësit thelbësorë, ashtu edhe në elementët e tyre.

Kreu i gjashtë dhe Kreu i shtatë trajtojnë dy elementë me rëndësi të vlerave të kësaj arkitekture: teknikën e ndërtimit dhe zbukurimoren e format arkitekturore. Këta elementë dhe studimet për ta vështrohen në tërësi dhe në lidhje të ndërsjellët duke arritur në përfundime me interes.

Kreu i tetë merret me teorinë dhe praktikën restauruese të monumenteve të kultit. Parashtrimi njëherësh i parimeve të restaurimit që gjejnë zbatim konkret në këtë gjini ndërtimesh, si dhe i praktikës shqiptare, në më shumë se një gjysmëshekulli, mendoj se paraqet interes për të ardhmen. Punimet në këtë lëmë, veç të tjerash, kanë ndihmuar për një vlerësim shkencor dhe estetik të monumenteve dhe kanë sjellë të dhëna me mjaft vlerë.

Kreu i nëntë shtjellon karakteristikat e përgjithshme të arkitekturës mesjetare të kultit dhe vijimet e kësaj arkitekturore në Mesjetën e Vonë (shek. XVI-XIX). Nxjerrja në pah e anëve të ndryshme të arkitekturës së kultit ndihmon për ta vendosur arkitekturën shqiptare në një kuadër më të gjerë ballkaniko-mesdhetar. Nga ana tjetër, vlerat e kësaj tradite nuk mund të kuptohen pa dëshmuar vijueshmërinë e saj, rezultat i rrënjëve të thella në vetëdijen dhe në kulturën e një populli dhe në prirjet ndërtimore të tij, prirje dhe aftësi, të cilat shqiptarëve nuk i kanë munguar asnjëherë.

Ky vëllim shoqërohet me bibliografinë, ku paraqitet literatura e shfrytëzuar. Në të paraqiten të gjitha monumentet, përfshirë dhe ato që janë zbuluar e studiuar në këto vitet e fundit, që japin në këtë mënyrë më të plotë arkitekturën e kishave të Shqipërisë në shekuj.

Përfundimi i këtij punimi monografik nuk do të ishte i mundur pa ndihmën e dhënë nga shumë kolegë për informacione, literaturë, ilustrime e vërejtje me vlerë. Për ta mirënjohja ime është e plotë. Vlen të përmend ndër ta P. Thomo, G. Hoxha, A. Rëmbeci, I. Mara, A. Islami, Leon Çika, si dhe Oraldo Bulku e Dritan Spahiu për paraqitjen grafike, ashtu dhe Shtëpinë Botuese Plejad ,e veçanërisht Ndriçim Kullën për bashkëpunimin në dobi të këtij botimi. E njëjta vlen dhe për bashkëpunëtorët e mi në Institutin e Monumenteve të Kulturës për ndihmën e tyre gjatë kërkimeve si dhe gjatë hartimit të monografisë në vitet e vështira ’80, Gj. Karaiskaj, V. Shtylla, S. Dashi, F. Guralumi e A. Qyshka, të cilët edhe njëherë i falënderoj. Vetë publikimi i këtij libri është një vlerësim për punën e të gjithë atyre, të cilëve u shpreh edhe një herë mirënjohje të thellë.