Aksidentoi familjen te vijat e bardha në Tiranë, lirohet nga qelia Ajas Sulejmani

48
Sigal

Ajas Sulejmani, i cili përplasi me automjetin e tij tek vijat e bardha tek “rruga e Kavajës”, çiftin Konomi dhe foshnjën e tyre tre muajshe ka lënë qelinë.

Gjykata e Tiranës ka zbutur masën e sigurisë ndaj tij, nga arrest me burg në arrest shtëpie, duke vendosur që 39-vjeçari të hetohet nën masën e arrestit shtëpiak.

Në seancën mbajtur këtë të hënë togat e zeza të kryeqytetit pranuan kërkesën e Suljemanit për masë më të butë sigurie edhe për shkak të normalizimit të marrëdhënieve mes palëve.

Ndërkohë një tjetër argument i 39-vjeçarit për masë më të butë është fakti se ai ishte baba i tre fëmijëve të mitur.

Ngjarja e rëndë ndodhi mesditën e 8 majit, ku 39 vjeçari ishte duke lëvizur me shpejtësi tej normave të lejuara, në zonën e 21-shit, duke kaluar me të kuqe, e si rrjedhojë përplasi  te vijat e bardha familjen Konomi.

Pasi shkaktoi aksidentin, ai braktisi aty mjetin me targa gjermane dhe u largua menjëherë, por tre orë pas aksidentit, ai u arrestua ne një spital privat po në Tiranë. I riu pretendonte se ishte larguar nga vendi i ngjarjes pasi në makinë kishte vajzën e tij të traumatizuar dhe se kish marrë lëndime.

Pas arrestimit ndaj tij prokuroria ngriti tre vepra penale: “Shkelje e rregullave te qarkullimit rrugor”, “Largim nga vendi i aksidentit” dhe “Drejtim mjeti ne mënyrë të parregullt”.

Ndërkohë që  çifti Arjan dhe Vilma Konomi ndenjën në spital disa javë, pasi morën fraktura të shumta. Ndërsa fatmirësisht vetëm me një gërvishtje shpëtoi foshnja e tyre tre muajshe.