Pashko Vasa shqiptari i madh që vdiq Guvernator i Libisë

245
Sigal

 

-130-vjetori vdekjes-

-Lindi 1883 vdiq, në 29 qershor të vitit 1892-

Përgatiti: Albert Z. ZHOLI

Vaso Pasha ishte njëri ndër rilindësit më të spikatur të Shqipërisë dhe njëri ndër iluministët e ndritur të kombit. Ai, tërë jetën dhe veprën ia kushtoi çështjes së çlirimit të Shqipërisë, arsimimit, kulturës, diturisë.

Pashko Vasa, lindi në Shkodër më 17 shtator të vitit 1825. I ati quhej Hilë Gjokë Vasa, kurse e ëma Drande Gjegja. Të parët e fisit të tij, nga i ati, ishin shpërngulur prej Mirdite dhe ishin shvendosur në qytet, n’atë shtëpi ku sot është shtëpia-muze e Pashko Vasës. Pasi kreu mësimet e para në vendlindje, shërbeu si sekretar i konsullatës britanike nga 1842 gjer më 1847, ku pati mundësinë me përmirsu dijet e tij në gjuhët e huaja: italisht, frëngjisht, turqisht dhe greqisht.

Më 1847 vajti në Itali, ku ziente lufta kryengritëse për liri. Ai mori pjesë gjallërisht në radhët e forcave kryengritëse italiane. Në Bolonjë u caktua si oficer i Kalorësisë Qytetare. Asokohe ishtë frymëzuar nga atdhetarët e shquar italian, si Aleksando Mazzini, Gjuzepe Garibaldi, Gioberti. Idetë që e ushqyen për këtë qëllim solidar ai i shpreh në dy letra, që i dërgon në qershor dhe korrik 1848, nga Bolonja, Nikolo Tomazeut, poet dhe enciklopedist, mik i Jeronim De Radës dhe i Dora d’Istrias.

Në shpalljen e Republikës Venedikase jetëshkurtë, nga Daniele Manin, mori pjesë përkrah popullsisë kryengritëse të atij qyteti që u rrethua nga austriakët. Ndërkohë që austriakët hynë me 28 gusht 1849 dhe Pashko Vasa u largua me disa shokë të tjerë për në Ankona. Aty austriakët e kapën dhe e detyruan, si shqiptar me nënshtetësi turke, të ikte në Stamboll. Mbas disa peripecish ze vend në shoqëninë e tramvajeve të qytetit, duke u ngjitur ma vonë në shkallët e administratës së saj. Që këtej u vendos me punë në aparatin e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Perandorisë Osmane.

Perandoria merrte nëpër poste njerëz të kombësive e feve të ndryshme për të lënë përshtypjen se shteti i përkiste të gjithëve. Disa nga atdhetarët, e në mesin e tyre edhe Vaso Pasha këtë veprim të Perandorisë e shfrytëzoi për të ngritur për zgjidhje çështjen kombëtare shqiptare.

Nga disa të dhëna që nxirren prej përmbledhjeve me vjersha italisht “Rose e spine”-“Trëndafila e gjemba”, botuar në Stamboll më 1873, mësojmë se Pashko Vasa ka qenë i martuar me një shqiptare (rreth 1855), që vdiq më 1872. Nga po kjo vepër mësohet se Pashko Vasa së paku që nga viti 1861, ishte me punë në Halep të Sirisë. Gjithashtu thuhet se Pashko Vasa kishte shërbyer disa vjet pranë ambasadës turke në Londër, ku dhe botoi më 1887 veprën frëngjisht “Gramatikë e shqipes”. Më 1862 e gjejmë në Shkodër, vit në të cilin një grup intelektualësh, përfshirë Zef Jubanin e tjerë, u përpoqën për nje kryengritje antiosmane në Shqipërinë e Veriut, në Mirditë.

Më 1864, në Stamboll, bashkohet me Kostandin Kristoforidhin, Hasan Tahsinin dhe Ismail Qemalin, për sigurimin e fondeve financiare, lidhur me formimin e shkollave shqipe, si dhe me caktimin e një alfabeti të vetëm. Më 1867 ai qëndron në krye të përpjekjeve për themelimin e një shoqërie kulturore dhe të një alfabeti të përbashkët mbi bazën e alfabetit latin. Më 1869 merr pjesë në grupin nismëtar për krijimin e një shoqate shqiptare me karakter kulturor, arsimor e gjuhësor. Më 1871, në Stamboll, bashkë me Jani Vreton dhe Sami Frashërin, nis orvatjen për krijimin e një organizate atdhetare shqiptare.

Pashko Vasa hyri që herët në lëvizjen patriotike, por veprimtari të dendur për çështjen kombëtare zhvilloi në vitet 70, kur bashkë me Kostandin Kristoforidhin, u përpoq për krijimin e një shoqërie për përhapjen e shkrimit shqip dhe ngjalljen e ndërgjegjies kombëtare. Në vitet 1878-1882 krahas Abdyl Frashërit u shqua si një nga figurat kryesore të Komitetit të Stambollit për mbrojtjen e Shqipërisë. Më 1879 ishte ndër veprimtarët më aktivë të «Shoqërisë së të shtypurit shkronja shqip». Pashko Vasa ishte autor i një vargu veprash me karakter politik e historik, në të cilat mbrojti çështjen e popullit shqiptar, të drejtën e tij për të jetuar i lirë dhe i pavarur. Botoi «Skicë historike mbi Malin e Zi sipas traditave të Shqipërisë («Esquisse historique sur le Monténégro d’après les traditions de l’Albanie», Constantinopole, 1872), ku përshkroi pashallëkun e Shkodrës nën Bushatasit, «E vërteta mbi Shqipërinë dhe shqiptarët» («La vérité sur l’Albanie et les Albanais», Paris 1879), në të cilën, krahas të dhënave historike mbi popullin shqiptar dhe qëllimet e luftës së tij, kritikoi administratën burokratike osmane dhe paraqiti kërkesat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Penës së Pashko Vasa i përket edhe vepra «Bosnja dhe Hercegovina gjatë misionit të Xhevdet Efendiut» («Bosnie et Hercegovine pendant la mission de Djevdet Effendi», Constantinopole 1865).

Pashko Vasa shkroi një varg veprash, të cilat i shërbenin zgjidhjes së çështjes së shkrimit dhe mësimit të shqipes; «Alfabeti latin i zbatuar në gjuhën shqipe» («L’alphabet latin appliqué à la langue albanaise», Constantinopole 1878, «Gramatika shqipe për të u përdorur nga ata që dëshirojnë ta nxënë këtë gjuhë pa ndihmën e një mësuesi» («Grammaire albanaise à l’usage de ceux qui désirent apprendre cette langue sans l’aide d’un maître», London 1887).

Ai zuri një vend edhe në historinë e letërsisë shqiptare, që po krijohej; ai është autor i vjershës së njohur «Moj Shqypni, e mjera Shqypni!» (1880), e cila u botua si fletë fluturuese. Me dashurinë e flaktë për atdheun, që dergjej nën thundrën e të huajit, me notën e dhimbjes për të, me grishjen drejtuar bashkatdhetarëve për të kapërcyer dasitë fetare dhe për t’u bashkuar në emër të çlirimit të vendit. Vjersha luajti rol për zgjimin kombëtar të shqiptarëve. E vënë në muzikë, ajo u këndua si himn patriotik. Vepër tjetër e Pashko Vasës në lëmin e letërsisë është «Bardha e Temalit» («Barda de Témal», Paris 1890), një nga romanet e para në letërsinë shqiptare. Aty përshkruhet mjedisi shqiptar në Shkodër në vitet 40 të shek XIX me doket dhe zakonet karakteristike. Botoi edhe një përmbledhje me vjersha italisht «Rose e spine» (1873).

Që nga viti 1883 e derisa vdiq, në 29 qershor të vitit 1892, Pashko Vasa shërbeu si Guvernator i përgjithshëm i Libanit, ku edhe vdiq. Eshtrat tij u sollën në Atdhe në kohën e regjimit komunist të Shqipërisë.

 

O MOJ SHQYPNI

O moj Shqypni, e mjera Shqypni,
kush te ka qitë me krye n’hi?
Ti ke pas kenë një zojë e randë,
burrat e dheut të thirrshin nanë.
Ke pasë shumë t’mira e begati,
me varza t’bukura e me djelm t’ri.
Gja e vend shumë, ara e bashtina,
me armë të bardha, me pushkë ltina,
me burra trima, me gra të dlira;
Ti ndër gjith shoqet ke kenë ma e mira.
Kur kriste pushka si me shkrep moti,
zogu i shqyptarit gjithmonë i zoti:
ka kenë për luftë e n’luftë ka dekun
e dhunë mbrapa kurr s’i mbetun.
Kur ka lidhë besën burri i Shqypnisë,
i ka shti dridhën gjithë Rumelisë.
Ndër lufta t’rrebta gjithëkund ka ra,
me faqe t’bardhë gjithmonë asht da.

Por sot, Shqypni, pa m’thuej si je?
Po sikur lisi i rrxuem përdhe?
Shkon bota sipri, me kambë, të shklet
e nji fjalë t’ambël askush s’ta flet.
Si mal me borë, si fushë me lule
ke pas qenë veshun, sot je me crule,
e s’të ka mbetun as em’n as besë;
vet e ke prishun për faqe t’zezë.
Shqyptar’, me vllazën jeni tuj u vra,
ndër njiqind çeta jeni shpërnda:
Ca thonë kam fè ca thonë kam din,
njeni:”jam turk”, tjetri:”latin”.
Do thonë: “Jam grek”, “shkje”-disa tjerë,
por jemi vllazën t’gjith more t’mjerë!
Priftnit e hoxhët ju kanë hutue,
për me ju damun me ju vorfnue!
Vjen njeri i huej e ju rri n’votër,
me ju turpnue me grue e motër.
E për sa pare qi do t’fitoni,
besën e t’parëve t’gjith e harroni!
Baheni robt e njerit t’huej,
qi nuk ka gjuhën dhe gjakun tuej.
Qani ju shpata e ju dyfeqe,
shqiptari u zu si zog ndër leqe!
Qani ju trima bashkë me ne,
se ra Shqypnia me faqe n’dhe!
E s’i ka mbetun as bukë as mish,
as zjarm në votër, as dritë, as pishë,
as gjak në faqe, as nder ndër shokë,
por asht rrëxue e bamun trokë!
Mblidhniu ju varza, mblidhniu ju gra,
m’ata sy t’bukur q’dini me qa!
Eni t’vajtojmë Shqypninë e mjerë,
qi mbet’ e shkretë pa em’n, pa nder.
Ka mbet e vejë si grue pa burrë,
ka mbet si nanë, qi s’pat djalë kurrë!
Kujt i ban zemra m’e e lan’ me dekë
kët farë trimneshe, qi sot asht mekë?
Këtë nanë të dashtun a do ta lamë,
qi njeri i huej ta shklasë me kambë?
Nuk, nuk! Këtë marrè askush s’e do,
këtë faqe t’zezë gjithkush e dro!
Para se t’hupet kështu Shqypnia,
me pushkë n’dorë le t’desë trimnia!
Çoniu, shqyptarë, prej gjumit çoniu,
të gjithë si vllazën n’nji besë shtërngoniu!
E mos shikoni kisha e xhamia:
Feja e shqyptarit asht shqyptaria!
Qysh prej Tivarit deri n’Prevezë,
gjithkund lshon dielli vap’edhe rrezë.
Asht tok’ e jona, prind na e kanë lane,
kush mos na e preki, se desim t’tanë.
Të desim si burrat që vdiqnë motit
edhe mos marrohna përpara zotit.