Maturantët e pakënaqur/ Tre ditë afat për të marrë kopjen, nuk ka rivlerësim! QSHA: Procedura për aplikimin dhe tërheqjen e fletëpërgjigjes

158
Sigal

Maturantët e pakënaqur me rezultatin e marrë në katër provimet me detyrim e me zgjedhje të Maturës Shtetërore kanë të drejtë të njihen me tezën e korrigjuar. Ashtu si çdo vit, Qendra e Shërbimeve Arsimore e ofron këtë mundësi, por në tjetër formë.

Nuk do të ketë afate shtesë pas çdo provimi, por vetëm një të tillë. Dhe fletëpërgjigjja nuk do të vijë në shkollë për secilin maturant, por përmes llogarisë personale të gjithsecilit në “e-Albania”.

Përmes një njoftimi në faqen zyrtare të saj, QSHA-ja fton maturantët që kanë rezerva mbi korrigjimin e kryer të një ose disa prej testimeve të maturës, të mund të marrin kopje të saj. Ata kanë lënë një afat 3-ditor nga data 1 deri në 3 korrik. Si aplikimin ashtu edhe përgjigjen do ta marrin online, përmes llogarisë së tyre personale në portalin qeveritar “e-Albania”

“Në zbatim të Rregullores së Maturës Shtetërore, të gjithë maturantët/kandidatët që kanë dhënë provimet e MSH-së 2022, sesioni i parë, kanë të drejtë të kërkojnë fotokopjen e testit dhe të fletëpërgjigjes, pas përfundimit dhe shpalljes së rezultateve të të gjitha provimeve.

Çdo maturant/ kandidat që kërkon kopjen e testit dhe fletëpërgjigjes përkatëse, duhet të kryejë aplikimin online në portalin ‘eAlbania’, duke përdorur shërbimin ‘Kërkesë për kopje të testit të Maturës’, për të gjitha provimet, në periudhën 1 – 3 korrik 2022.

Pas trajtimit të kërkesës, QSHAja do të nisë kopjen e testit dhe të fletëpërgjigjes për secilin maturant/kandidat që e ka kërkuar atë, në ‘Hapësira ime’, seksioni ‘Dokumentet e mia’, në llogarinë përkatëse të çdo maturanti/ kandidati, në ‘e-Albania’”, citohet në njoftimin zyrtar të QSHA-së.

E drejta për të marrë një kopje të testit ka ekzistuar dhe është aplikuar që kur u aplikua Matura Shtetërore, por rruga është përmirësuar me kalimin e viteve. Më herët, ka qenë një procedurë e gjatë që kërkonte kohë dhe para. Kërkesa bëhej në QSHA (pas pagesës së tarifës) dhe merrej përgjigjja në shkollë. Ndërsa tanimë, si kërkesa dhe kopja e tezës merret online. E nëse më herët nevojiteshin 400 lekë të vjetra, duke gjeneruar miliona të ardhura për llogari të QSHA-së, tanimë një procedurë e tillë kryhet pa asnjë pagesë.

Ndonëse iu jepet si mundësi marrja e një kopjeje të tezës nuk do të ketë asnjë vlerë. Një gjë e tillë nuk është bërë asnjë herë me maturat e mëparshme me pretendimin që testi kalon në dy duar korrigjuesesh, por dhe është parashkruar në Rregulloren e Maturës Shtetërore në pikën ku flitet për detyrimet dhe të drejtat e maturantëve.

Pra, edhe në rast se ai konstaton se i është bërë padrejtësi apo pasaktësi në korrigjim, nuk do të ketë lëvizje note.

“Kur maturanti/kandidati vëren ndonjë shkelje të rregullores së provimit, ai ka të drejtë të informojë administratorin e provimit dhe përfaqësuesin e MAS-it. Maturanti/kandidati ka të drejtë të kërkojë fotokopjen e testit të tij pas përfundimit të të gjitha provimeve. Nuk ka rivlerësim të testit”.

Analiza e maturës, të rinjtë mangësi në gjuhë

Me mbylljen e sezonit të provimeve të maturës, ekspertët kanë bërë analiza duke nxjerrë në pah disa problematika të kurrikulave që ndikojnë në formimin e të rinjve. Të gjithë bien dakord në një pikë.

Që të rinjtë nuk njohin gjuhën amtare dhe se duhet punuar më shumë në këtë drejtim se sa investimi në shumë lëndë të tjera që mund t’iu shërbejnë pak ose aspak në jetë. Gjuhëtarja Ledi Shamku i lidh rezultatet e dobëta të maturantëve me ngarkesën e teksteve. Shamku thotë gjithashtu se nxënësit nuk janë mësuar me pyetje që kërkojnë përgjigje të lira, por me pyetje të ngurta që nuk lënë hapësirë për mendim.

Për këtë, sipas saj, nxënësit janë vështirësuar, pasi nëpër shkolla mësohen me metodën e ngurtë. “Nëse pyetjet bëhen më të lira, si ato të maturës, nxënësit nuk janë mësuar.

Liria ka çmim, por duhet edukuar me liri. Është më e vështirë të jesh i saktë kur je i lirë. Kjo tezë mature ka qenë ‘e lirë’, nuk ka pasur pyetje që kërkonin përgjigje të ngurta. 95% fillonin me ‘sepse’, këta nxënës janë krejtësisht të varur nga pyetja, përgjigjen vetëm në bazë të pyetjeve. Problemet kryesore, të formulimit të mendimit”.

Gjuhëtarja e sheh zgjidhjen te mësimi i gjuhës nëpër shkolla. Sipas Shamkut, gramatika që mësojnë nxënësit në shkolla është gramatika e Akademisë së Shkencave, ku ka pak ndryshime nga gramatika që bëjnë nxënësit në shkollë dhe ajo që bëjnë studentët në degën e Gjuhësisë.

Shamku dha një shembull se si në Itali në lëndët mësimore nuk integroheshin vetëm rregullat e gjuhës, por edhe kultura e saj. Për Nora Malaj, ish-mësuese Gjuhë-Letërsie dhe ish-zëvendëse e Arsimit, mosfunksionimi i mësimit siç duhet, pra mësimi online dhe mungesa e investimeve në arsim kanë sjellë këtë rezultat.

“Jemi larg premtimeve që qeveria ka thënë për GTP, pra nuk kemi rritje të GTP, pra një arsim pa të ardhura nuk mund të bëhet dhe reflektimi është pikërisht edhe te matura. Reforma në sistemin e arsimit ende nuk është realizuar e plotë. Edhe nxënësit që kanë mbaruar para tri viteve shkollën edhe ata që vijnë tani, kanë mangësi si rezultat i kushteve të procesit të mësimit gjatë periudhës së COVID-19.

Dikush i aftë, dikush më pak i aftë, puna është si do i aftësojmë, nuk është qëllimi t’i heqim nga sistemi, se janë të paaftë dhe me një të rënë të lapsit duhet t’i zhdukim por duhet të kuptojmë shkallë pas shkalle. Ministria e Arsimit e ka për detyrë të bëjë një analizë të gjendjes të standardeve dhe cilësisë që ka mësuesi”.

Ashtu si edhe vitet e kaluara, të rinjtë shqiptarë kanë arritur të shkëlqejnë në gjuhën e huaj me plot 611 dhjeta absolute, por jo në atë shqipe, në të cilën vetëm katër të rinj në të gjithë Shqipërinë arritën të merrnin 10.00.

Matura e këtij viti shkaktoi shumë pakënaqësi te nxënësit, të cilët ngritën pretendime dhe protestuan për mënyrën e hartimit të provimeve veçanërisht të atyre me zgjedhje. Por, për Ministrinë e Arsimit pyetjet e të gjitha testeve kanë qenë brenda programeve mësimore.