Zbardhet sherri me dy të plagosur në Maliq, arrestohet 32-vjeçari që goditi me thikë bashkëfshatarët

132
Sigal

Policia e Korçës ka zbardhur një ngjarje të rëndë, të ndodhur dje në Maliq, ku mbetën të plagosur dy persona. Sipas uniformave blu është arrestuar autori i kësaj ngjarje, një 32-vjeçar i cili u bë protagonist i sherrit në një lokal, duke përdorur armë të ftohta.

“Në vijim të informacionit paraprak datë 28.06.2022, që bën fjalë për një konflikt të ndodhur në fshatin Bregas, Maliq, ju informojmë se:

Specialistët për Hetimin e Krimeve në Komisariatin e Policisë Maliq bënë arrestimin në flagrancë të shtetasit G. M., 32 vjeç, banues në fshatin Bregas, Maliq, për veprat penale “Plagosja e rëndë me dashje” dhe “Prodhimi, mbajtja, blerja apo shitja pa leje e armëve të ftohta”.

Nga veprimet hetimore rezulton se ky shtetas, pas një konflikti për motive të dobëta, në ambientet e brendshme të një lokali, ka goditur me thikë shtetasin B. P., 39 vjeç, si dhe ka dëmtuar fizikisht shtetasin I. Z., 65 vjeç, banues në fshatin Bregas, Maliq, të cilët ndodhen në spitalin e Korçës, aktualisht jashtë rrezikut për jetën”, njofton policia.